Autobusët nisin qarkullimin pas alarmit të rrejshëm për mjet shpërthyes

Aktuale

Autobusët nisin qarkullimin pas alarmit të rrejshëm për mjet shpërthyes

Nga: H.O. Më: 5 janar 2022 Në ora: 09:56
Stacioni i autobuseve

(E plotësuar 10:56) - Në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ka nisur qarkullimi i autobusëve pas alarmit të rrejshëm për mjet shpërthyes.

Policia në vendin e ngjarjes nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë dhe tashmë është larguar nga vendi i ngjarjes.

Kujtojmë se edhe ditë më parë ka ndodhur një rast i ngjashëm, ku një qytetar ka telefonuar policinë dhe ka deklaruar se ka lënë një mjet shpërthyer në stacion.

Por njësoj si ky rast edhe ai pati rezultuar të jetë alarm i rrejshëm, pasi policia nuk gjeti asnjë mjet shpërthyer.

***

Një person ka telefonuar në Policinë e Kosovës, dhe ka deklaruar se ka vendosur një mjet shpërthyer në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Rreth orës 08:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që  janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti tha se pas kontrolleve të kryera nga policia, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, ka deklaruar ajo.

***

Policia e Kosovës edhe mëngjesin e sotëm ka bllokuar stacionin e autobusëve në Prishtinë. Kështu nuk ka lejuar qytetarët që të hynë brenda oborrit të stacionit.

Një qytetar ka treguar për ‘Bota sot’ se është ndaluar nga policia me arsyetim se kanë sërish dyshime për ndonjë bombë ose mjet tjetër të rrezikshëm.

Deri më tani policia nuk ka dalë me një informacion lidhur me këtë rast.

Ndryshe, pak ditë më parë, Policia e Kosovës ka pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjet shpërthyese në stacion./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat