Dimal Basha: Kriptovaluta është një lloj bastore

Aktuale

Dimal Basha: Kriptovaluta është një lloj bastore

Më: 6 janar 2022 Në ora: 00:02
Ilustrim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka folur rreth gjendjes emergjente që Qeveria e Kosovës e ka shpallur në lidhje me situatën energjetike dhe rreth vendimit të fundit që të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në Kosovë.

Basha tha se në gjendje emergjente nuk priten masa të buta, por edhe masat që merren, sipas Bashës, nganjëherë duken ekstreme për të tjerët.

“Por këto janë masa të arsyeshme në bazë të rrethanave dhe ne duhet t’ia besojmë ministres Rizvanolli detyrën që e ka marrë. Ajo është duke e kryer këtë punë me përgjegjësi të lartë dhe ne si qytetarë të Kosovës duhet “t’i shtrëngojmë rrypat” dhe duhet të ballafaqohemi me krizën që jemi”, ka thënë Basha.

Ndërsa, sa i përket vendimit që në Kosovë të ndalohet prodhimi i kriptovalutave, Basha tha se kriptovalutat janë një lloj bastore.

“Kriptovaluta është një lloj bastore, sepse ti i fut paratë por nuk ka garancion për fitore, e aq më tepër kur e dimë se kriptovalutat nuk janë të rregulluara në shumicën e vendeve të botës, prandaj nuk është fer ta konsiderojmë si pjesë të ekonomisë së Kosovës”, ka thënë Basha.

Më tej, Basha tha se është gabim që qytetarët të investojnë në kriptovaluta, pasi sipas tij, paparashikueshmeria është shumë e madhe.

“Unë nuk kam investuar dhe mendoj se është gabim për të investuar sepse paparashikueshmeria është shumë e madhe tek kriptovalutat”, është shprehur Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat