Gjykata vendos për gjykimin e Milaim Zekës për tri vepra të rënda penale

Aktuale

Gjykata vendos për gjykimin e Milaim Zekës për tri vepra të rënda penale

Më: 17 janar 2022 Në ora: 12:49
Milaim Zeka

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim, me të cilin ka refuzuar kërkesën e avokatit Florent Latifaj, për hudhjen e aktakuzës së të mbrojturit të tij, Milaim Zeka, i akuzuar për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Zekën se pa autorizim e ka incizuar fshehurazi të dëmtuarën B.D në restorantin “Fshati” në Prishtinë, derisa kjo e fundit kishte kërkuar nga ai që mos ta përmend djalin e saj në shkrimet e tij apo kudo tjetër. Por më pas, në aktin akuzues thuhet se i akuzuari atë incizim ia kishte kaluar personave të tretë.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, marrë më 6 dhjetor 2021, thuhet se gjykata pas shqyrtimit dhe analizimit të kundërshtimeve të paraqitura nga ana e mbrojtjes, lidhur me kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, ka konstatuar se këto kërkesa duhet të refuzohen si të pambështetura në dispozita ligjore dhe se nuk janë argumentuar asnjëri nga kushtet e parapara në dispozitat e nenit 249 dhe 250 të KPPRK-së.

Kjo ngase, sipas vendimit provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale, e cila i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale.

Tutje, në vendim thuhet se lidhur me pretendimin e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit se nuk ka prova me të cilat dëshmohet veprimi me të cilën është kryer vepra e pretenduar penale si dhe pretendimin se e dëmtuara mund ta ketë bërë incizimin e bisedës vet, apo nga dikush tjetër dhe se pretendimi se deklaratat e dëshmitarëve janë marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të KPPRK-së, gjykata ka vlerësuar se këto pretendime do të provohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, ngase vlerësimi se një provë e tillë është e papranueshme dhe se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e të akuzuarit në këtë fazë, do të ishte jo i drejtë dhe jo i saktë, sepse sipas këtij vendimi vetëm pas administrimit të provave mund të vijmë në një përfundim të tillë.

Ndërsa, ky rast sipas procedurës ankimore ka shkuar në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 14 tetor 2021, i akuzuari Zeka ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale e cila i ngarkohet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Milaim Zeka po akuzohet se më 18 maj 2017, në rrugën “B”, në restorantin “Fshati” në Prishtinë, pa autorizim ka incizuar tani të dëmtuarën B.D dhe se këtë incizim ua ka shpërndarë personave të tretë.

Me këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon Milaim Zekën se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera te paautorizuara”, nga neni 205, par 2, lidhur me par 1 të KPRK-ës.

Për ngritjen e kësaj aktakuze, media ka provuar të kontaktojë edhe me të akuzuarin Zeka, mirëpo i njëjti ka qenë i paqasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat