Abdixhiku: Vepra e paarritshme e Presidentit Rugova mbetet vula identitare e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

Aktuale

Abdixhiku: Vepra e paarritshme e Presidentit Rugova mbetet vula identitare e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

Nga: M.L. Më: 21 janar 2022 Në ora: 12:00
Lumir Abdixhiku dhe zyrtarë tjerë të LDK-së gjatë homazheve në nderim të Presidentit Rugova

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka përkujtuar sot Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova në 16 vjetorin e shkuarjes në amshim.

Me këtë rast, Abdixhiku përkujtoi se si as as moti skajshmërisht i ftohtë, nuk i ndaloi qytetarët e shumtë, gra e burra, të rinj e të reja, të marrin rrugën drejt sheshit të kryeqytetit e drejt Kuvendit të Kosovës, për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e fundit Presidentit të tyre.

“Në janarin e acartë, më të acartin ndonjëherë, iku në amshim arkitekti i lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, prijësi historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Më 21 janar të vitit 2006, as moti skajshmërisht i ftohtë, nuk i ndaloi qytetarët e shumtë, gra e burra, të rinj e të reja, të marrin rrugën drejt sheshit të kryeqytetit e drejt Kuvendit të Kosovës, për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e fundit Presidentit të tyre. Ishte kjo lidhja e pathyer që Ibrahim Rugova kishte krijuar me popullin e tij; lidhje e nisur nga viti 1989 kur u krijua formacioni politik, demokratik e pavarësist i Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga aty, deri në amshim, Ibrahim Rugova mbeti prijës i popullit të Kosovës”, shkroi Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se Presidenti Rugova nuk konsiderohet rastësisht si “Gandi i Ballkanit”.

“Ai u lind dhe u rrit nga një familje me vlera të larta patriotike dhe atdhetare. Rugova u rrit pa kujdesin e babait, pasi që pushtuesi serb ia kishte pushkatuar atë, por ai nuk kultivoi ndjenjën e urrejtjes dhe hakmarrjes. Formimi i tij njerëzor e letrar ishte paqësor, nuk konsiderohet rastësisht si “Gandi i Ballkanit”.

Profil i Ibrahim Rugovës dhe rruga e jetës së tij janë shëmbëlltyrë e angazhimit dhe veprimtarisë së tij letrare, politike e atdhetare. Si studiues i spikatur i letërsisë, Rugova la gjurmë të thella në ndriçimin e letërsisë së vjetër shqipe sidomos veprimtarisë së Pjetër Bogdanit. Puna e tij në Institutin Albanologjik ishte e përmasave ndërkombëtare, duke i sjellë lexuesit shqiptar veprat më të njohura të letërsisë botërore”, u shpreh i pari i LDK-së.

Ai rikujtoi se si në vitet më të vështira të represionit serb mbi popullin e Kosovës, Rugova ndërmori hapin më determinues dhe më të guximshëm të politikës dhe orientimit strategjik të Kosovës në dekadat e ardhshme.

“Si shkrimtar dhe përfaqësues i Lidhjes së Shkrimtarëve, ai mblodhi rreth vetës elitën intelektuale të kohës, duke themeluar lëvizjen politike, partinë e parë pluraliste jo vetëm në ish-Jugosllavi po në gjithë Evropën Juglindore, pra Lidhjen Demokratike të Kosovës. LDK e tij, ishte LDK e popullit. Platforma politike e tij, u bë program nacional i gjithë shqiptarëve të Kosovës.

Dhe mbi këtë program nacional, u organizua dhe jeta politike, shoqërore, arsimore, shëndetësore, e sigurisë e soliditetit pa dallim - deri në liri”, u shpreh Abdixhiku.

Ai tha se Rugova udhëhoqi vendin tonë në rrugën e vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse nuk e përjetoi aktin e shpalljes së pavarësisë, Presidenti Rugova dhe shteti i Kosovës janë sinonime, janë thjeshtë të pandashme.

Vepra e paarritshme e Presidentit Rugova mbetet vula identitare e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai u rreshtua drejt vlerave perëndimore në momentet më të vështira, ndërtoj kohezion brenda e aleanca të pathyeshme jashtë; udhëhoqi nëpër kohë të paqarta, dhe tregoi me bindje rrugën përpara. Trashëgimia e tij politike e atdhetare është orientim dhe projeksion i ndërtimit të një shoqërie ku kultivohen të drejtat fundamentale për një shoqëri moderne. Kjo trashëgimi e tij, vazhdon të jetë udhërrëfyese edhe për gjeneratën e sotme e të ardhme. Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO dhe në BE, e me miqësi të përhershme me SHBA-të, është e udhrrëfim për ne”, u shpreh ai.

Abdixhiku tha se Ibrahim Rugova, Ati themeltar i shtetit të Kosovës, është figura më e madhe politike e historisë së Kosovës.

“Identifikimi me të, prandaj, paraqet vlerë; e këtë vlerë ne do ta mbrojmë dhe kultivojmë me përkushtim, me dije dhe me admirimin më të madh. I përjetshëm kujtimi për Presidentin Ibrahim Rugova!”, përfundoi kreu i LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat