Presidentja reagon ndaj pushteteve paraprake: Idetë për ndarje promovoheshin me para të taksapaguesve, në vend se të skuqen...

Aktuale

Presidentja reagon ndaj pushteteve paraprake: Idetë për ndarje promovoheshin me para të taksapaguesve, në vend se të skuqen...

Nga: M.L. Më: 31 janar 2022 Në ora: 20:27
Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratave që arsyetuan shpenzimet e vogla të kabinetit të saj me “izolim ndërkombëtar”.

Me këtë rast, Osmani ka publikuar një kolazh të fotografive nga takimet ndërkombëtare.

Ajo ka thënë se e vetmja gjë që ka izoluar është dëmi i madh ndaj vendit “për të cilin duhet t’u "falënderohemi" pushteteve paraprake”.

“Keqpërdoruesit recidivistë të pushtetit, paskan tentuar dje të ndërtojnë narrativën se shpenzimet shumëfish më të vogla të kabinetit tim qenkan për shkak të "izolimit ndërkombëtar". Përderisa për këdo që pa paragjykime ka përcjellur aktivitetin tim për promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë nuk kam nevojë ta jap këtë spjegim, dua t’i them keqpërdoruesve recidivistë që e vetmja gjë që kam izoluar është dëmi i madh ndaj vendit për të cilin duhet t’u "falënderohemi" pushteteve paraprake”, shkroi Presidentja.

Ajo theksoi se idetë për ndarje e defunksionalizim të Kosovës promovoheshin me para të taksapaguesve, ndërkaq sot në vend se të skuqen për gjithë dëmin e shkaktuar, dalin e ankohen pse Presidentja e sotme nuk po vepron sikur pushtetarët paraprak.

“Ta keni të qartë, ju nuk jeni standardi me të cilin ne e masim veten. Jeni shembull i modelit që nuk duhet ndjekur.

Kujdesi ndaj parasë publike dhe transparenca e plotë janë rruga e vetme përpara. E vërteta është se në vitin 2021, ne kemi realizuar më shumë aktivitete ndërkombëtare se sa në periudhat paraprake (pa pandemi), ndërkaq kemi shpenzuar shumëfish më pak. Se sa të "izoluar", kemi qenë këtë vit, tregon pamja më poshtë”, përfundoi Presidentja shkrimin të cilit ia bashkëngjiti edhe fotografitë nga takimet e saj të shumta.

Image
Kolazh fotografishë me aktivitetet diplomatike të Presidentes Osmani

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat