Ministri Latifi tregon masat e reja antiCovid, hyjnë në fuqi të shtunën

Aktuale

Ministri Latifi tregon masat e reja antiCovid, hyjnë në fuqi të shtunën

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 07:24
Rifat Latifi

(E plotësuar 16:27) -Komiteti për menaxhim të pandemisë COVID-19 në mbledhjen e sotme ka propozuar lehtësim të masave antiCOVID. Kufizimi i lëvizjes është propozuar të jetë deri në orën 24:00, ndërsa orari i lokaleve të gastronomisë është lejuar deri në 23:00. Po ashtu është lejuar hyrja në Kosovë me dy vaksina pa pasur nevojë për testin PCR.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se këto propozime të Komitetit nesër pritet të votohen në Qeveri, ndërsa hyjnë në fuqi të shtunën.

Latifi: Kemi vendosur t’i lehtësojmë masat

“Ne kemi vendosur në bazë të masave që kemi pasur deri tani, ato kanë treguar efekt shumë të mirë kështu që ne do t’i lehtësojmë shumicën prej këtyre masave. Për shembull hyrja në kufi do të jetë më dy vaksina, ne i kemi propozuar, nesër qeveria duhet t’i aprovojë sigurisht. Nëse i ka dikush dy vaksina ose tri mund të hyjë në Kosovë, ai që ka vetëm një duhet me pas test. Kjo e famshmja, që po i themi ne, ora policore, është shtyrë deri në orën 24:00, dhe fitneset do të hapen. Por qëllimi kryesor që të kërkoni nga të gjithë këta të restoranteve, lokaleve, të shtëpive të mallrave, qendrave tregtare që hyrja të kufizohet për vetëm ata që kanë vaksina”, tha ai.

Ministri Latifi theksoi se situata pandemike në vend iu ka dhënë mundësi për lirim të masave, por shtoi se nëse është nevoja brenda natës do ketë ashpërsim të masave.

Latifi po ashtu tha se orari i punës së gastronomisë me lirim të masave është mundësuar të jetë deri në orën 23:00.

Latifi: Puna e gastronomëve është lejuar deri në 23:00

“Nëse ora policore është shtyrë në orën 24:00 ata në restorant mundem me qenë deri në orën 23:00... Në bazë të dhënave që kemi jemi në gjendje t’i zvogëlojmë masat, t’i zbusim pak ato. Por t’iu them edhe njëherë, ne përcjellim gjendjen për çdo ditë, nëse duhet t’i shtojmë prapë masat ne i shtojmë krejt varet prej asaj se çka ngjan me statusin epidemiologjik... Këto miratohen nesër nga Qeveria dhe ne do vlerësojmë situatën çdo javë nëse duhet t’i ndërrojmë, ne i ndërrojmë edhe brenda natës, por shpresoj që nuk do të kemi nevojë... Hyjnë të shtunën në mëngjes”, tha ai.

Latifi nuk ka dashur ta komentojë mospjesëmarrjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës në takimet në Komitetin për menaxhim të situatës COVID-19.

Në 24 orët e fundit pozitiv me COVID kanë rezultuar 2 mijë e 110 qytetarë, ndërsa janë shënuar pesë raste të vdekjes.

Aktualisht në fuqi janë masat ku puna e gastronomisë lejohet vetëm deri në orën 21:00, ndërsa ora policore nis nga ora 22:00 deri në 05:00. Deri më tash, për të hyrë në Kosovë qytetarët duhet të kenë tri doza të vakinës antiCOVID apo dy doza dhe testin PCR. Kjo masë e fundit ka ngjallur reagime të shumta.

***

 Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë është mbledhur sot për vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe analizimin e vendosjes së masave të reja.

Në takim është vendosur që të lehtësohen masat e marra gjatë muajit janar.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi bëri të ditur se kanë rekomanduar lehtësim të masave Anti-COVID, të cilët do të miratohen nesër dhe të shtunën do të hyjnë në fuqi.

Latifi ka treguar se ora policore do të fillojë nga ora 00:00 deri në ora 05:00, ndërsa gastronomia do të punojë deri në orën 23:00.

Ndërsa, të gjithë ata që do të hyjnë në Kosovë duhet të dëshmojnë se kanë marrë dy doza të vaksinës.

Ata që kanë një dozë të vaksinës, duhet ta kenë edhe testin PCR.

Po ashtu, maska pritet të hiqet në ambientet e jashtme dhe fitneset të hapen.

Latifi bëri thirrje që çdo veprimtari, së cilës i janë lehtësuar masat, duhet që të pranojnë vetëm ata qytetarë që kanë dy doza të vaksinës.

Nis mbledhja e Komitetit për Shëndetësi, rekomandohen këto masa

Në mbledhjen e Komitetit të Shëndetësisë të mbajtur sot është propozuar lehtësimi i masave. Siç është bërë e ditur, orari i lëvizjes është propozuar të jetë deri në orën 24:00.

Gjithashtu është propozuar që të lejohet hyrja në Kosovë me dy vaksina. Orari i punës së gastronomisë do të jetë deri në orën 23:00, gjithashtu do të lejohet hapja e fitneseve.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se këto masa vijnë pasi situata është më e qetë.

Ai tutje ka paralajmëruar ashpërsim të tyre nëse është nevoja. Masat do të votohen nesër, ndërkaq do të hyjnë në fuqi të shtunën në mëngjes.

***

Komiteti për menaxhimin e pandemisë është mbledhur sot për vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe analizimin e vendosjes së masave të reja.

Aty është rekomanduar që ora policore të rikthehet nga ora 00:00 deri në ora 05:00 dhe që maska të hiqet në ambientet e jashtme.

Në këtë mbledhje janë duke marrë pjesë drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Këto propozime pritet të miratohen më 4 shkurt nga Qeveria e Kosovës.

***

Komiteti për menaxhimin e pandemisë është mbledhur sot për vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe analizimin e vendosjes së masave të reja.

Mësohet se ora policore mund të përgjysmohet ose potencialisht të largohet, ndërkaq gastronomia do të kthehet në orar të rregullt deri në ora 23:00. Nëpër pikat kufitare nuk do të ketë nevojë që qytetarët të dëshmojnë se kanë marrë tri doza të vaksinës, meqë do të jetë e mjaftueshme të kalohet kufiri me dy doza të vaksinës dhe pa test.

Po ashtu, MSH-ja mund të lejojë ahengjet dhe dasmat, megjithatë marrëveshja me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit është që nëse në një aheng s’i përfillin masat dhe mund të ketë pjesëmarrës pa dy doza të vaksinës, Inspektorati do ta mbyllë atë lokal deri në 12 muaj.

Sot shqyrtohen masat anti-COVID

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka bërë të ditur se sot do të bëhet shqyrtimi i masave kundër COVID-19, nga komiteti për menaxhimin e pandemisë, duke filluar nga ora 14:00. 

Në këtë mbledhje do të bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike dhe analizimi i vendosjes së masave të reja.

Raportohet se ora policore mund të përgjysmohet ose edhe të largohet, kurse orari për gastronominë do zgjatet deri në ora 23:00.

Edhe masa për dëshminë e tri vaksinave për të hyrë në Kosovë pritet të hiqet.

Avokati i Popullit para pak ditësh ka dalë me një opinion juridik përmes së cilit i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës t’i rishqyrtojë masat anti-COVID që janë në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat