​Abdixhiku thotë se shtrenjtimi i energjisë është vendim i Qeverisë Kurti

Aktuale

​Abdixhiku thotë se shtrenjtimi i energjisë është vendim i Qeverisë Kurti

Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 16:42
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike është i Qeverisë Kurti veçse sipas tij e njëjta e ka kamufluar atë përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE). Sipas tij, kryeministri Kurti i ka injoruar brengat e qytetarëve lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike. Kreu i LDK-së ka bërë të ditur se do të ndjekin rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin e ZRrE-së ndërsa ka theksuar se përkrahin çdo iniciativë tjetër qytetare apo politike, të cilat shprehin pakënaqësi lidhur me shtrenjtimin e energjisë.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se dëgjimi publik i ZRrE-së është bërë vetëm mjet kamuflimi i vendimit të ri të Qeverisë.

Sipas tij, diferenca nga 600 në 800kWh është diferencë simbolike.

Abdixhiku: Vendimi për shtrenjtimin e energjisë është i Qeverisë i kamufluar përmes ZRrE-së

“Vendim i qeverisë i kamufluar nën petkun e ZRRE-së për shtrenjtimin astronomik të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, ky vendim i kamufluar nëpërmjet ZRrE-së, vendim i qeverisë parasheh që çdo shpenzim mbi 80 kWh qytetarët e Kosovës do të paguajnë tarifën e shtrenjtë nga 6.75 cent sa është sot në 12.5 cent pothuajse dyfish më shtrenjtë, ndërkaq tarifën e lirë nga 2.89 cent sa është sot saktësisht 5.9 cent, rreth 104% më shtrenjtë”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se LDK është parti që veprimin e vet politik e ka brenda institucioneve të Kosovës duke theksuar se kjo është rruga që do të ndjekin për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Abdixhiku: LDK do të ndjek rrugët ligjore për kundërshtimin e vendimit të ZRrE-së

“Ne do të ndjekim rrugët tona gjithsesi do të mbështesim çdo zë politik dhe jo politik siç kemi mbështetur deri tani që të ushtrojë të drejtën e tyre qytetare për të shfaqur pakënaqësi siç dhe nuk mbështesim dhe do të kundërshtojmë çdo tendencë për të shuar këtë zë, do të kundërshtojmë çdo tendencë për të shuar këtë zë nëpërmjet përdorimit të forcës e ushtrimit të dhunës policore. Andaj edhe njëherë po themi veprimet tona i kemi institucionale, parlamentare dhe jashtë institucionale. Brenda institucioneve kushtetuese të Kosovës do të bëjmë debatin publik, do të argumentojmë se kjo zgjidhja e qeverisë nuk është e mirë se kjo zgjidhje është rezultat i paaftësisë vepruese të tyre e qytetarët tanë duhet të lexojnë këtë argumentim tonin”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Abdixhiku ka thënë se do të kërkojnë edhe shkarkimin e bordit të ZRrE-së të vendosur nga qeveria Kurti e që sipas tij të njëjtit kanë treguar jokompetencë të plotë.

Ai ka shtuar se do të kërkojnë edhe mbajtjen përgjegjës të zyrtarëve qeveritarë, të cilët sipas tij kanë injoruar krizën energjetike në kohën kur vendet e rajonit janë marrë më një problem të tillë.

Abdixhiku: Kryeministri Kurti është shndërruar në një kontabilist buxheti që i ka braktisur qytetarët

“Kryeministri Kurti është shndërruar në një kontabilist buxheti që i ka braktisur qytetarët e vet dhe brengën e vetme e ka financiare për një balancë qeveritare. Në vitin e parë të qeverisë ai po u jep çmimet më të shtrenjta qytetarëve tanë. Prandaj kemi nisur mbledhjen nënshkrimeve, të 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme me qëllim që Kuvendi të dalë me qëndrim që e refuzon këtë vendim qeveritar dhe të ZRrE-së”, ka thënë ai.

Sipas kryetarit të LDK-së, krejt këto po ndodhin si pasojë e paaftësisë së Qeverisë Kurti.

Abdixhiku: Tarifat e rritura nuk aplikohen në veri

“Qeveria Kurti refuzon të trajtojë barabartë secilën familje në Kosovë meqë një pjesë e madhe e shoqërisë do të bartë barrën e konsumimit të energjisë elektrike të qytetarëve të tjerë e bizneseve pa dallim. Ky diferencim bëhet edhe më i rëndë kur tarifat e rritura nuk aplikohen në veri të vendit, pra Qeveria dhe ZRrE bashkërisht bëjnë diskriminim të shumëfishtë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qeveria Kurti refuzon të heq TVSH-në, siç kanë vepruar 11 shtete të Bashkimit Evropian , ajo rrit çmimet në njërën anë, takson më shumë në anën tjetër. Krizën e tanishme energjetike kjo qeveri po tenton ta shfrytëzojë për të mbledhur më shumë tatime”, ka thënë ai.

ZRRE ka marrë vendim të shtrenjtojë energjinë elektrike për shfrytëzuesit e konsumatorëve shtëpiak mbi 800 kWh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat