Në mars mbahet konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin e Pjetër Shalës

Aktuale

Në mars mbahet konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin e Pjetër Shalës

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 12:57
Foto ilustrim

Më 4 mars pritet të mbahet konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes, në rastin ku Pjetër Shala po akuzohet për krime lufte.

Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat