​Krasniqi me Bashën: Bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri e kemi të padiskutueshëm

Aktuale

​Krasniqi me Bashën: Bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri e kemi të padiskutueshëm

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 12:12
Lulzim Basha dhe Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është pritur në takim nga kryetari PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha. Në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi nga Tirana u shpreh se në takimin me Bashën kanë diskutuar për brengat e përbashkëta të të dyja vendeve, e ku ka theksuar se pavarësisht se a janë në qeveri apo në opozitë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri e kanë të padiskutueshëm.

Krasniqi: Ne bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri e kemi të padiskutueshëm

“Diskutuam në detaje për temat e brengave të përbashkëta. Kosova dhe Shqipëria padyshim ë kanë jashtëzakonisht shumë sfera që ka nevojë të intensifikojmë bashkëpunimin që të rrisim koordinimin edhe institucional dhe gjithmonë ka qenë dhe është shembull i mirë se pavarësisht se a jemi në qeveri apo në opozitë në vendet tona, ne bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri, Shqipëri-Kosovë e kemi të padiskutueshme dhe prioritet të prioriteteve andaj gëzohem se si dy udhëheqës të dy partive kryesore opozitare në Kosovë dhe Shqipëri e vlerësojmë që obligimet dhe përgjegjësitë tona për të thelluar këtë bashkëpunim ndërmjet shteteve tona janë detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta”, tha Krasniqi.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka përgëzuar PDK për rolin që k luajtur në procesin e formimit të shtetit të Kosovës. Ai ka thënë edhe se pikëpamja për të rikthyer një koordinim midis BE-së dhe SHBA-së është një shans i mirë për të shtyrë përpara dialogun Kosovë-Serbisë

Basha: PDK ka luajtur rol të rëndësishëm në procesin e formimit të Kosovës

“Ta përgëzoj PDK për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur në procesin e formimit të shtetit të Kosovës dhe për rolin që vazhdon të luaj si një opozitë konstruktive në shërbim të interesave të qytetarëve të Kosovës, folëm për zhvillimet e fundit, dhe në veçanti sa i takon zhvillimit të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë ku PDK qëndron fuqimisht në të njëjtin pozicion sa i takon objektivit të dialogut që është njohja e ndërsjellët në mes të dy vendeve dhe në veçanti ndanë pikëpamjen që rikthimi i një koordinimi midis BE dhe SHBA është një parantezë një shans e mirë për të shtyrë përpara këtë dialog dhe për të tejkaluar pengesat. Por sigurisht një barrë e madhe i përket BE dhe pesë vendeve anëtare, njohja prej të cilave dhe realitetit të Republikë së Kosovës do të shmang përfundimisht çdo skenar si ato që shohim që aviten aktualisht Bosnje Hercegovinë dhe kërcënojnë jo vetëm arkitekturën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan por edhe të paqes e stabiliteti evropian”, tha Basha.

Po ashtu në këtë takim Basha tha se kanë diskutuar për domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit, ku ka theksuar se armiku kryesor i mirëqenies qytetare si në Shqipëri por edhe në Kosovë janë dhe mbeten institucionet e dobëta dhe korrupsioni.

Krasniqi gjatë vizitës së tij në Shqipëri ka takuar edhe shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballën

Kurse vizitën e tij në Shqipëri e ka nisur me kryetaren e Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonjën Lindita Nikolla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat