Gjykatës Speciale i kërkohet të evitojë sa më shumë redaktimet dhe seancat private

Aktuale

Gjykatës Speciale i kërkohet të evitojë sa më shumë redaktimet dhe seancat private

Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 10:06
Seanca

Shumë nga seancat gjyqësore ndaj Salih Mustafës në Hagë po zhvillohen të mbyllura dhe me redaktime. Lidhur me këtë, monitorues të këtyre seancave theksojnë parimin e publicitetit dhe bëjnë thirrje që, sa më shumë që është e mundur, seancat të zhvillohen të hapura për publikun. Ndërsa në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë thonë se seancat private urdhërohen nga gjyqtarët për të mbrojtur dëshmitarët ose personat e tjerë të përfshirë në procedurë.

Në procesin gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili ka filluar në mesin e shtatorit të vitit 2021 deri tani janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Prej tyre, dhjetë kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun dhe këto seanca kanë qenë kryesisht private dhe me redaktime.

Amer Alija koordinator në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se redaktimi dhe mbyllja e shpeshtë e seancave e vështiron punën e monitoruesve për të kuptuar në fund nëse ka pasur mjaftueshëm prova për një vendim meritor.

Alija: Për shkak të redaktimit të seancave publiku e ka vështirë të kuptojë çfarë po ndodh në gjykim

“Ne e kuptojmë që mbyllja e seancave dhe redaktimi i seancave është për shkak të anonimitetit dhe sigurisë së dëshmitarëve që mos t’i zbulohet identiteti por në anën tjetër edhe publiku, edhe monitoruesit, edhe media e kanë pak vështirë për ta kuptuar çka në të vërtetë është duke ndodhur në gjykim, për shkak se nëse 70% e seancave redaktohen atëherë ka me qenë pak vështirë për monitoruesit, sidomos për monitoruesit laik për ta kuptuar se nëse ka pasur mjaftueshëm prova për një vendim meritor”, thotë Alija.

E në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se duhet të respektohet parimi i publicitetit në mënyrë që gjykimet të jenë transparente.

Medina Kadriu nga ky institut shton se gjithashtu e konsiderojnë tejet të rëndësishme mbrojtjen e dëshmitarëve, viktimave dhe mbrojtjen e informacionit konfidencial.

Kadriu: IKD bënë thirrje sa më shumë të evitohen mbylljet e shpeshta të seancave në Hagë

“Përderisa Instituti i Kosovës për Drejtësi e konsideron tejet të rëndësishme mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve, viktimave si dhe mbrojtjen e informacionit konfidencial, ne po ashtu vlerësojmë se duhet të zbatohet parimi i publicitetit në mënyrë që gjykimet të jenë sa më transparentë për shkak se kur gjykimi është transparent atëherë kjo mund të jetë edhe garancë për zhvillimin e një procedure të rregullt gjyqësore. Andaj ne bëjmë thirrje që sa më shumë të evitohen mbylljet e shpeshta të seancave në mënyrë që publiku të jetë i informuar tërësisht se çfarë po ndodh në këto procese gjyqësore”, thotë Kadriu.

Në anën tjetër, udhëheqësja e njësisë së informimit dhe komunikimit publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Angela Griep në një përgjigje, thotë se gjatë seancave private të cilat nuk mund t’i ndjek publiku, i akuzuari dhe mbrojtja mund të marrin pjesë në procedurë.

“Seancat private në seancat gjyqësore dhe redaktimet në dokumentet publike të gjykatës urdhërohen nga gjyqtarët, në shumicën e rasteve për të mbrojtur dëshmitarët ose personat e tjerë të përfshirë në procedurë. Është e rëndësishme të kihet parasysh se gjatë seancave private, edhe pse publiku nuk mund t'i ndjekë ato, i akuzuari dhe mbrojtja mund t’i ndjekin dhe të marrin pjesë në procedurë si zakonisht. Është gjithashtu e rëndësishme të kihet parasysh se shumë gjëra që janë konfidenciale në një fazë, bëhen publike më vonë. Në dritën e parimit të publicitetit, dosjet konfidenciale shqyrtohen rregullisht dhe sa herë që arsyeja që justifikon klasifikimin e tyre si konfidenciale nuk ekziston më, ato riklasifikohen si versione publike ose publikohen si versione të redaktuara publike”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Griep.

Pas mbylljes së çështjes së ZPS-së, seancat gjyqësore ndaj Mustafës pritet të vazhdojnë me dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes.

Trupi gjykues pritet të caktojë datën për mbajtjen e konferencës përgatitore për mbrojtjen dhe të vendosë për procedurat dhe numrin e personave që do të japin dëshmi.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës ka filluar më 15 shtator të vitit 2021 dhe është procesi i parë gjyqësor në Gjykatën Speciale.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat