​Kurti ia uron Ditën e Flamurit të komunitetit ashkali

Aktuale

​Kurti ia uron Ditën e Flamurit të komunitetit ashkali

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 18:28
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi komunitetin ashkali në shënimin e Ditës së Flamurit të këtij komuniteti, duke u uruar suksese dhe të arritura në të ardhmen.

Në një komunikatë për medie nga zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se kryeministri Kurti, mori pjesë në shënimin e kësaj dite i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi dhe këshilltarja e tij, Elizabeth Goëing.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës dëshirojmë t’i ndihmojmë ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha, më së pari e më së shumti”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se shteti duhet të dëshmohet aty ku janë nevojat më urgjente dhe aty ku ka pasur diskriminim, ku ka pasur shtypje, ku ka pasur margjinalizim e përjashtim.

Kryeministri theksoi se qeverisja aktuale e ka një dimension të fuqishëm social-demokrat, që i jep prioritet luftimit të pabarazisë dhe zhvillimit ekonomik të përqendruar në punësim.

Duhet që të drejtat të mos jenë vetëm nominale e formale, të jenë në fjalë goje e të shkruara në letër, por të jenë edhe aktuale e përmbajtësore, e kjo lidhet shumë me zhvillimin socio-ekonomik, shtoi ai.

Ai i njoftoi që së shpejti do të organizohet një tryezë e veçantë, në të cilën do të diskutohen problemet dhe çka do të mund të ndryshohet, edhe sa i përket infrastrukturës ligjore, po edhe sa i përket projekteve konkrete.

Kreu i Qeverisë e falënderoi komunitetin ashkali për kontributin që e kanë dhënë për shoqërinë në përgjithësi, për aktivizmin për komunitetin dhe gjithashtu edhe për Republikën e Kosovës si shtet i përbashkët i të gjithëve pa dallim etnie e nacionaliteti, pa dallim religjioni e gjinie.

Në këtë takim të organizuar nga grupi rinor United Toward Art, morën pjesë anëtarët e organizatave joqeveritare dhe iniciativave të tjera, si: Young Community Leaders, Voice of Roma, Ashkali dhe Egyptian, The Ideas Partnership, Sapunë, Drejtësi për Kujtimin, Balkan Sunfloëers, Roma Versitas, si dhe aktivistë nga komuniteti ashkali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat