​Osmani në Ditën e Pavarësisë: Për drejtësi thërrasim çdo ditë

Aktuale

​Osmani në Ditën e Pavarësisë: Për drejtësi thërrasim çdo ditë

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 14:26
Vjosa Osmani

Ditën e shtetësisë, Kosova e ka shënuar me parakalimin e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në sheshet e Prishtinës. Shumë qytetarë ishin mbledhur për t’i parë nga afër njësitet e këtyre dy institucioneve para së cilëve presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se pavarësia e Kosovës është e arritura më e madhe.

Kryetarja e shtetit ka kujtuar sakrificën e familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin, presidentin historik, Ibrahim Rugova, të gjithë dëshmorët dhe ata që mundësuan çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Osmani: Faleminderit Amerikë dhe NATO

“Rreth 13 mijë civilë të vrarë prej të cilëve akoma shumë të zhdukur, rreth 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës që akoma kërkojnë drejtësi, e shumë e shumë dëme, shkatërrime të tjera që kishin synim shfarosjen tonë, tregojnë se drejtësia akoma nuk është vendosur e për drejtësi thërrasim çdo ditë. Në këtë ditë të madhe për shtetin tonë nuk duhet të rreshtim së përsërituri faleminderit Amerikë, faleminderit NATO dhe faleminderit të gjitha shteteve mike të cilat na dolën në ndihmë më 1999 për të na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Millosheviqit”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës dhe garancia për çdo cep të territorit të Kosovës.

Osmani: Pavarësia e Kosovës është e arritura jonë më e madhe

“Pavarësia e Kosovës është e arritura jonë më e madhe, ky është projekti ynë nacional, një realitet që mban vulën e angazhimit tonë kombëtar, i përmbledhur më së miri në qëndrueshmërinë e brendshme dhe integrimin e jashtëm, këto janë dy parakushtet themelore për të ardhmen e vendit tonë. Institucionet me të gjithë mekanizmat e vet janë garantues se nuk do të lejojmë cenimin e integritetit territorial dhe të rendit juridik të republikës sonë. Do të jemi të vëmendshëm e të vendosur, republika është interesi mbi të gjitha. Ne na lidhë shumëçka me Evropën, por asgjë nuk na ndanë. Në këtë rrugëtim duhet ta ruajmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë tonë, duhet ta forcojmë sundimit e ligjit, ta përmirësojmë edhe më tej qeverisjen në interes të qytetarëve, t’i forcojmë institucionet dhe edhe më tutje ta zhvillojmë ekonominë e vendit”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se shteti është i përcaktuar për anëtarësim në institucionet euroatlantike.

Kurti: NATO është kushti i paqes për të gjithë ne

“Evropa është horizonti ynë i përkatësisë së të jetuarit ndërsa NATO është kushti i paqes për të gjithë neve. Ky është vlerësimi aktual i një republike në proces emancipimi, veprim dhe paqe. Rrugëtimi i popullit tonë deri në këtë ditë ishte i gjatë dhe i mundimshëm por edhe përplot me krenari e me nder. Mbi të gjitha sot i kujtojmë heronjtë tanë që dhanë më të shtrenjtën dhe të çmuarën, jetën e tyre, për atë që është më e shtrenjta dhe me çmuara e popullit tonë, liria e tij. Sot kujtojmë vuajtjen, flijimi e heronjve tanë, atyre që na e kujtojnë sa e shenjtë është liria dhe sa bukur që është të jetosh i lirë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se shteti i Kosovës është vend i të gjithë qytetarëve të saj, të barabartë para ligjit.

Kurti: Mirënjohjes dhe të përkulur para sakrificës

“Sot bashkohemi edhe në fuqi edhe në festë, në këtë ditë jemi mirënjohjes, jemi të bashkuar dhe reflektojmë idealet tona. Në ditën e pavarësisë së republikës e shikojmë të kaluarën dhe bashkohemi në aspiratat e së ardhmes së ndritur të popullit tonë, mirënjohës dhe të përkulur para sakrificës, krenar dhe vullnet të pashoq për të ardhmen të cilën së bashku po e ndërtojmë”, ka thënë ai.

Për të shënuar 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne ndërsa krerët institucionalë kanë bërë homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat