Rrëfimi i familjarëve Bala që serbët u vranë 7 anëtarë/ Serbët e menduan të vdekur, Rroni tregon se ku u fsheh për t’i shpëtuar vrasjes

Aktuale

Rrëfimi i familjarëve Bala që serbët u vranë 7 anëtarë/ Serbët e menduan të vdekur, Rroni tregon se ku u fsheh për t’i shpëtuar vrasjes

Më: 19 shkurt 2022 Në ora: 10:53
Rron Bala

Data 12 qershor e vitit 1999 ishte ditë e tmerrit, për familjen Bala nga “Dardania” e Pejës, nga ku u vranë dhe masakruan shtatë anëtarë, prej të cilëve pesë fëmijë.

Ishte ora 21:00 e mbrëmjes, kur u thyen dyert e shtëpisë së familjes Bala në Pejë.

Brenda hynë paramilitarët serb: Zharko e ZhelkoBackoviç, Nebojsa Miniç, i njohur si “Mrtvi”, Dalibor Banjaç- Joshka, Zoran Raskoviç – Dukajev, Boça Bulatoviç, Kiro Vujisiç, Sinisa Misiç- Bosanac.

Ata me breshëri plumbash vranë Hajriun, djalin 12 vjeçar, motrën e tij Dardanen 11 vjeçe, vëllain Agonin 6 vjeçar, vajzat e axhës së tij: Rinën 6 vjeçare dhe Nitën 5 vjeçare së bashku me Vjollcën, e cila ishte nëna e këtyre dy të fundit, së cilës më pas ia morën dhe masakruan burrin, Musaun.

Nga kjo masakër mbijetuan gjyshja Mahije dhe djali i saj Isa, të cilën ndërruan jetë pas luftës, gruaja e tij Alisa, djali i tyre Vetoni, cili shpëtoi duke u hedhur nga kati i dytë, si dhe Rroni, të cilit iu vranë dhe masakruan prindërit dhe dy motrat.

Të mbijetuarit, Alisa, Vetoni e Rroni rrëfejnë  tërë ngjarjen e tmerrshme që ndodhi në qershorin e 1999-tes.

“Kanë hy brenda, i kanë marrë jastëkët e kokës që flinim, me na i kallë njëherë fëmijët. Mandej me na kallë edhe neve, krejt familjen. Na kanë sharë, na i kanë thy krejt çka kemi pasë në shtëpi, e mandej na kanë rendit në sallon dhe kanë fillu me na vra. Ne shtëpi kemi qenë, unë, burri im, katër fëmijët tanë, kunati me gruan e tij, tre fëmijët e tyre, dhe nana e burrit tim Mahija e cila ishte e palëvizshme”, rrëfen ajo.

Ajo u plagos me gjithsej nëntë plumba, e cila duke përmendur paramilitarët e cekur më lartë, thotë se emrat e tyre i di nga rrëfimi i burrit të saj, Ises, sipas të cilit, njëri prej tyre, gjegjësisht Nebojsa Miniç kishte qenë edhe banorë në lagjen e tyre.

“Unë isha e plagosur krejt me gjak, e mendonin që jam e vdekur. Po fati që nuk kisha kurrgjë afër vetës, për me gjuajt edhe unë kundër tyre. Humbës se humbës, bile pa i gjuajt edhe unë nuk e kisha lonë”,  rrëfen mes lotësh Alisa.

Paramilitarët, të cilët kërcënonin se “Kudo ku ka shqiptarë nuk do t’i lënë të gjallë”, pasi e kanë kryer krimin mbi këtë familje, në mënyrë që t’i digjnin edhe trupat e tyre, në largim e sipër kishin hedhur edhe mjet shpërthyes-bombe, por që fatmirësisht flakët nuk kishin përfshirë të gjithë hapësirën.

E djali i saj, Veton Bala tregon se si kishte arritur të shpëtonte nga vdekja e sigurt.

“Kam qenë me dy vëllezërit e mi duke fjetur, jonë hy paramilitarët e kanë kallë një jastëk edhe na e kanë ofru kah fytyrat tona, e unë aty jam tremb. Na kanë marrë na kanë rendit. Unë kam qenë afër nanës, jam fsheh, mandej kanë nisë me gjuajtë me automatikë. Kur e pashë se u ndalën pak, jom shtri, kom nisë me ecë zvarrë, deri në ballkon, e ata nuk më kanë pa, se atë natë nuk ka pasë energji elektrike, se nëse më kishin pa, më kishin vra. Kur kam dalë në ballkon, i kam pa poshtë te dera dy paramilitarë, e ata nuk më kanë pa mu. Unë mora guximin dhe jam gjuajt poshtë nga kati i dytë ku ishim. Mandej duke u fshehur kam shku tek kojshitë”, rrëfen Vetoni ngjarjen.

Vetoni, që atëherë kishte vetëm tetë vjeç, kur kishte shkuar tek oborri i fqinjëve, disa metra larg shtëpisë ku banonin, kishte depërtuar në kopshtin e tyre, që duke kërkuar ndihmë, ka hasur në babain e tij, Isen!

“Kur kam shku, kam thirrë me emra, e kur nuk e kam prit hiç, më është paraqit babi im, cili po ashtu kishte arrit me u largu prej atje, e më tha: Toni, a je ti?I thash, po! Më pyeti si kam ardhë deri aty, nuk e di se çka i kam thënë. Tek kojshitë kom ndejt tri ose katër ditë. Derisa babi është marrë më pjesën tjetër të familjes, me varrimin e trupave”, tregon ai.

E djali i familjes së axhës së Vetonit, Rron Bala, që në atë kohë kishte vetëm katër vjet, ishte i vetmi që kishte shpëtuar, duke u fshehur nën batanijen e gjyshes së tij,  Mahijes.

“Unë kam qenë mbas shpinës së nënës tu u mshef. Edhe njëherë e kanë marrë nanën, ia kanë marrë krejt dukatin që e ka pasur edhe e kanë kthy prapa. Mandej ia kanë nisë armët me kërsit, më pas mua, ose më ka rënë të fikët ne ato momente, ose jam ra në gjumë, këtë veç Zoti e dinë, por me kujtohet që kam hy edhe ndër plaf(batanije) tek gjyshja.  Pas një kohe, as vet nuk e di se sa, jam këndellë, edhe kam ecë mbi trupat e të vdekurve, kam rënë poshtë prej kauçëve, kur për një moment ndalem edhe i shohë krejt të vdekur. E mbajë në mend se motra e vogël, Nita ende ka qenë gjallë, ajo nuk ka vdekur menjëherë”.

Rroni, që sot është 27 vjeçar, master në Gjuhën Angleze, dhe i fejuar, punon në një fabrikë në sektorin privat.

Fqinja e kësaj familje, Servete Loci, e cila i hapi dyert për të mbijetuarit e familjes Bala nga Peja, rrëfen momentet nga kjo ngjarje makabër.

“Kemi qenë duke ndenjur në shtëpinë tonë, sepse na pati robëruar Policia, pasi që burri im Rizaja ka qenë gjykatës, e vinin e na kontrollonin, e na kërcënonin, nëse ikim ose nëse na vie edhe dikush tek ne. Për një moment janë ndegjuar kërsimat e automatikëve, e ne nuk e dinim se ku po ndodhin ato. Më pas ka ardhë Isa, na ka thirrë, jemi dalë në ballkon kish pas qenë edhe Vetoni me të, më tha merrma djalin shëptoma, se ata të tjerët mi kanë mbytë”, tregon fqinja Servete.

Ajo tregon se si arriti t’i strehonte e t’i fshihte të mbijetuarit nën frikën se po i gjenin paramilitarët serb.

“E kom marrë Vetonin prej tokës në ballkon, pas pak kohe ka ardhur nëna e tij Alisa, në derë, e kemi pa që ka qenë krejt e përgjakur, e mandej e kemi fut në bodrum. Se u frikësonim mos po hynë ata prap. Isa ka shku tek shtëpia. Alisa kishte nevojë për hospitalizim, por nuk kishim veturë. Ka kalu një veturë e Policisë, unë kam dalë në mes të rrugës e kam ndalu, kurse polici kishte qenë bosanc-musliman”, rrëfën ajo për Front.

Ngjarja kishte vijuar kur ditëve në vazhdim, fqiu Riza Loci me bashkëshortin e Alisës, Isën, dhe me dy fqinjë të tjerë, ishin marrë me varrimin e shtatë kufomave, që po qëndronin për tre ditë me radhë në bodrumin e shtëpisë, aty ku edhe ka ndodhur sulmi paramilitarë.

Ata pos tjerash, për të identifikuar varret e të vrarëve kishin marrë disa dërrasa, mbi të cilat kishin shkruar emrat dhe ditëlindjet e tyre, në mënyrë që pas luftës t’i gjenin më lehtë varret.

Familja e mbijetuar e kësaj masakre, thotë se pas luftës askush nga institucionet e shtetërore të drejtësisë deri më tani nuk është interesuar lidhur me rastet e tilla që kishin ndodhur në Pejë, me theks të veçantë të familjes Bala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat