Avokati nga Shqipëria paralajmëron rrëzimin e Vladimir Putinit, zbulon edhe arsyet

Aktuale

Avokati nga Shqipëria paralajmëron rrëzimin e Vladimir Putinit, zbulon edhe arsyet

Nga: P.R Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 20:18
Vladimir Putin

Avokati nga Shqipëria, Spartak Ngjela, përmes një postimi në facebook ka komentuar situatën e krijuar së fundi në Ukrainë, e cila kërcënohet nga pushtimi rus.

Sipas Ngjelës, zhvillimet në Ukrainë do të çojnë në rrëzimin e Vladimir Putinit nga posti i presidentit të Rusisë.

“Nuk kam parë deri më tani në historinë e kombeve një luftë kaq qesharake sa kjo që po kërkon të bëjë aktualisht cari i Rusisë: Vladimir Putin. I gjithë dështimi i kësaj politike ka dhjetë kontradikta të brendshme, të cilat na çojnë te idea e rrëzimit politik të Vladimiri Putinit”, ka shkruar Ngjela, i cili ka renditur edhe arsyet, pse sipas tij Putin do të rrëzohet nga posti.

Postimi i plotë:

Nuk kam parë deri më tani në historinë e kombeve një luftë kaq qesharake sa kjo që po kërkon të bëjë aktualisht cari i Rusisë: Vladimir Putin.

I gjithë dështimi i kësaj politike ka dhjetë kontradikta të brendshme, të cilat na çojnë te idea e rrëzimit politik të Vladimiri Putinit.

Kontradikta e parë e këtij qerthulli me kërcënime lufte është kjo:

Ore zotëri! kur ti ke forcën e një lufte që vetë po e kërcënon; përse duhen fjalët?

E dyta: Ai që ka forcën nuk kërcënon kundërshtarin por i tregon atij vendin.

E treta: Që të kesh forcë dominante kundër Ukrainës duhet të kesh forcë kundër Amerikës dhe Gjermanisë.

E katërta: Që të shpallësh një luftë kundër Amerikës; duhet të kesh para. Kurse Rusia është në një krizë financiare.

E pesta: Që t'i shpallesh luftë Ukrainës duhet të kesh mundësi të përballosh forcën ushtarake, financiare dhe gjeopolitike të Amerikës. A e ka Rusia këtë mundësi? Kjo është pamundësi absolute.

E gjashta: Që të jesh një politikan i madh i një vendi të madh, nuk duhet ta arrish madhështinë tënde nga madhësia e vendit që drejton; sepse bëhesh qesharak. Njëlloj si Putini në këta muajt e fundit, që, duke dashur të kërcënojë të fortin nga pozitat e të dobtit; i ka dhënë mundësi politikës amerikane që, me një intrigë brilante, ta fusë Putinin brenda një sistemi rropatës; duke i dhënë të kuptuar atij se Amerika po trembet.

E shtata: Putini, nëse vijon kështu, kur të kthejë kokën mbrapa, do shohë se ka drobitur Rusinë.

E teta: Putini, si çdo diktator, nuk mund të tërhiqet nga loja e tij; sepse nuk mund të pranojë dështimin.

E nënta: Shkatërrimi personal i Putinit nuk mund të vijë bashkë me shkatërrimin e Rusisë; prandaj do shkatërrohet Putini për të mos u shkatërruar Rusia.

E dhjeta: Ku ishte sekreti i kësaj politike ruse kaq kontradiktore?

Politika amerikane dhe NATO e shtynë politikën e Ukrainës që kjo të kërkonte antarësimin e saj në NATO. Putini e konceptoi këtë antarësim si fundin e tij; prandaj kërcënoi Ukrainën me luftë; dhe këtu po kuptohet se, sipas kontradiktave që shprehëm më lart: Putini, në vend që të kapte suksesin e tij, po kap shkatërrimin e vetvetes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat