Alma Lama tregon pse njohja e dy territoreve separatiste të Ukrainës nga Putini nuk krahasohet me rastin e Kosovës

Aktuale

Alma Lama tregon pse njohja e dy territoreve separatiste të Ukrainës nga Putini nuk krahasohet me rastin e Kosovës

Nga: M.L. Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 22:42
Alma Lama

Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar vendimin e tij për njohjen e pavarësinë së territoreve separatiste rusisht-folëse në Donetsk dhe Luhansk (Donbass) pas një takimi të Këshillit të Sigurimit rus për Ukrainën.

Sipas medieve ndërkombëtare presidenti rus kontaktoi me homologun e tij francez Emanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Solz dhe i njoftoi ata për vendimin e tij për të njohur “në të ardhmen e afërt” pavarësinë e Donbasit, përkatësisht rajoneve lindore, Donetsk dhe Lugansk.

Këtë vendim të presidentit rus e ka komentuar për gazetën “Bota sot” ish ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama.

Lama ka thënë se, kjo ishte një lëvizje taktike e Rusisë për të acaruar perëndimin.

“Njohja nga ana e presidentit rus e pavarësisë së dy krahinave në Ukrainë Lubanskut dhe Donteskut, ishte e pritshme, dhe është. Një lëvizje taktike për të acaruar më tej perëndimin dhe për të gjetur pretekst për sulm në Ukrainë. Të mos harrojmë se 14 mije vetë janë vrarë në këto krahina prej kur ka filluar lufta në 2014 mes seperatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare”, ka potencuar Lama për gazetën “Bota sot”.

Ajo ka theksuar se veprimi i Putin për njohjen e dy krahinave është shkelje e të drejtës ndërkombëtare, shkelje e sovranitetit të Ukrainës dhe se ky rast nuk krahasohet me Kosovën.

“Putin si në raste të tjera do të bëjë krahasimin me ndarjen e Kosovës nga Serbia, një krahasim që duhet të hidhet poshtë nga përfaqësuesit e Kosovës pasi nuk qëndron. Veprimi i Putin për njohjen e dy krahinave është shkelje e të drejtës ndërkombëtare, shkelje e sovranitetit të Ukrainës. Ndërsa për Kosovën ka folur GJND-ja kur ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk është shkelje e të drejtës ndërkombëtare”, ka përfunduar ajo.

Kujtojmë se NATO ka dënuar njohjen e rajoneve rebele të Ukrainës nga Putin.

“Dënoj vendimin e Rusisë për të zgjeruar njohjen për të vetëshpallur “Republikën Popullore të Donetskut” dhe “Republikën Popullore të Luhanskut”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ky vendim cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, shkatërron përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit dhe shkel Marrëveshjen e Minskut, në të cilën Rusia është pjesëtare”, ka deklaruar Sekretari i NATO, shkruan BBC.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat