​S’ka kuorum për votimin e rezolutës së AAK-së për dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

​S’ka kuorum për votimin e rezolutës së AAK-së për dialogun Kosovë-Serbi

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 07:21
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 19:30) - Pas rreth shtatë orëve ka përfunduar debati parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi. Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin e rezolutës së propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka njoftuar se nuk ka kuorum për vendimmarje.

Bogujevci: Vetëm 52 deputetë janë të pranishëm

“Vetëm 52 deputetë janë të pranishëm. Kështu që nuk ka kuorum për vendimmarrje”, ka njoftuar ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se qeveria e ka devijuar debatin në formën më të ulët të mundshme.

Kreu i deputetëve të kësaj partie tha se rezoluta është e përkthyer në dy pika.

Tahiri: Rezoluta reflekton në pozicionin e kryeministrit

“Rezolutën e kam përkthyer në dy pika dhe ato reflektojnë në pozicionin e kryeministrit që e tha për dialog dhe pozicionin e opozitës se si e shohim ne dialogun. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë në nivel politik dhe jo teknik, si dhe të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës. Dialogu duhet të fokusohet në njohje të ndërsjellë dhe ulësen në OKB, që e tha kryeministri i Kosovës. Këto dy pika i qes në votim”, tha ai.

E vetmja pikë e rendit të ditës në seancën e sotme plenare ka qenë debati parlamentar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj në Kuvend përsëriti mesazhin e vitit 2005 për “komandantët e Bllacës”: Ashtu ju qoftë të gjithëve!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës-deputet në Kuvendin e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke reaguar ndaj akuzave të deputetit nga grupi parlamentar i LVV-së, Haxhi Avdyli, sot nga foltorja e Kuvendit ka përsëritur fjalët që i kishte përdorur në pranverën e vitit 2005 në stadiumin e Prishtinës.

Atë kohë Haradinaj, si kryeministër, i kishte quajtur “komandantë të Bllacës” ata që e kishin fishkëlluar gjatë fjalimit të tij.

Sot nga foltorja e Kuvendit ai përsëriti të njëjtën, pasi deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli, e kritikoi për dialogun me Serbinë, për periudhën kur ai ishte kryeministër.

Avdyli e kritikoi Haradinajn për akuzat që sot po ia bën Qeverisë për çështjen e dialogut.

Ai e cilësoi Haradinajn si njeri që ka bërë gjimnastika politike.

Në replikën e tij, Haradinaj tha se s’ka respekt jo vetëm për Avdylin, por edhe për shumë të tjerë.

“Nëse doni të kaloni në rrafshe tjera urdhëroni, mirësevini. Njëherë jam kanë në stadium këtu në Prishtinë. Dhe ju kam çu të fala shumëve. Qashtu ju qoftë të tanëve”, tha Haradinaj. 

***

Vazhdon seanca për dialogun Kosovë-Serbi.

Përplasen Kurti e Haradinaj në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me ish-kryeministrin njëherit kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e sotme plenare në Kuvend, ku po debatohet për dialogun.

Në foltoren e Kuvendit, kreu qeveritar tha se nuk mund të pranojë leksione nga Haradinaj, kur ky i fundit sa ka qenë kryeministër dialogun ia ka lënë ish-presidentit në kohën kur ka lulëzuar ideja e shkëmbimit territorial dhe ka krijuar delegacion teknik.

Kurti ia ka përkujtuar Haradinajt edhe ambiciet e tij për t’u bërë president, por ka nënvizuar se tashmë presidente është Vjosa Osmani me 300 mijë vota në popull dhe shumicën e nevojshme në Kuvend.

Kurti: Haradinaj kishte të dëshirë të bëhet president, por presidente është Vjosa Osmani

“Ju deputeti Haradinaj keni qenë kryeministër, dialogun ia keni lënë ish presidentit, kur lulëzoj projekti i shkëmbit territorial. Çka bëtë ju, na keni krijuar një grup super teknik në krye me Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin. A ju kujtohet ? Ja çfarë grupi keni bërë ju. Dhatë dorëheqje sepse ju intervistuan në Hagë dhe mandej dëshironit të bëheni president. Presidente është Vjosa Osmani-Sadriu, 300 mijë vota në popullin e Kosovës dhe 82 këtu në Kuvend. Pra nuk mund t’iu marr si dikush që e keni sinqerisht dhe seriozisht. Keni qenë kryeministër, ia dhatë Malit të Zi 8200 hektarë, më herët i keni marrë 200 për veti. Aman na kurseni tash nga leksionet”, tha ai.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Haradinajt, i cili ka vazhduar ta quaj mashtrues kryeministrin Kurti.

Haradinaj: Kurti është mashtrues

“Këtu e pamë ma të mirin mashtrues të mundshëm. Ky njeri është mashtrues profesionist, edhe bravo i koftë qysh po mundet me mashtru. Unë e kam sjell një çështje shumë të thjesht në parlament për këtë njeri që është kryeministër. Unë po e pyes mos t’i mëshon mjegull, por a dëshiron të dërgosh teknikun tonë në Bruksel, çka i sjell Kosovës me këtë qasje...8200 hektarë të Malit të Zi nuk janë dhënë t’i mashtrues masi je kryeministër shko nxjerri i ki 80 vota, rrëzo atë ligj nëse dëshiron dhe guxon me rrëzuar”, tha ai.

​Bislimi: Është bërë përparim për energjinë në veri, po punojmë për takim të nivelit të lartë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se është bërë përparim i dukshëm për të gjetur një zgjidhje finale për energjinë në veri të vendit. Kryenegociatori në dialogun me Serbinë tha se momentalisht po punohet për sigurimin e substancës së nevojshme për aranzhimin e takimit të radhës në nivel të krerëve të shtetit për të diskutuar për elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Në debatin parlamentar, ku po diskutohet për dialogun me Serbinë, Bislimi paraqiti edhe gjashtë principet e ekzekutivit në raport me dialogun.

Bislmi: Këto janë gjashtë principet tona për dialogun me Serbinë

Me Serbinë diskutojmë vetëm për çështjet e mbetura dhe atë vetëm në kuadër një marrëveshje të tërësishme që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve e shtetin fqinj. Kjo marrëveshje duhet të trajtojë temat e pambyllura mes shteteve dhe të ndërtohet rreth njohjes reciproke si elementi kyç i saj. Në asnjë rast nuk do të diskutohet për temat që vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendit, respektimin e kushtetutshmërisë dhe funksionalitetin e qeverisjes. Çështjet e brendshme të Kosovës nuk do të hidhen në tavolinën e bisedimeve siç ka ndodhur më herët, ku palët kanë diskutuar për dizajnin e urave mbi lumenjtë e Kosovës. Tema e të pagjeturve është nxjerrë nga ky princip për shkak të urgjencës që e ka dhe për të është biseduar gjatë secilit raund të negociatave. Tre, tema e targave të veturave është biseduar jashtë kornizës për shkak të përfundimit të marrëveshjes paraprake, domosdoshmërisë së avancimit të problematikës në nivel të reciprocitetit të plotë dhe mundësisë së parë që kjo temë të rezultojë me një zgjidhje përfundimtare. Pesë, angazhimi ynë ka ndjekur ngusht edhe mandatin e ndërmjetësuesit Lajçak që nënkupton që kuadër të mandatit të tij për të mbështetur dhe implementuar marrëveshjet paraprake për njëjtat është diskutuar vetëm në nivel bilateral me BE-në. Kurse në kuadër mandatit të tij për të ndërmjetësuar për marrëveshjen finale është diskutuar në forumin trelateral. Gjashtë, përmes qasjes sonë aktive dhe propozimeve kemi ndikuar në perceptimin e shteteve të BE-së për konstruktivitetin e palëve në dialog”, tha ai.

Bislimi, tha se grupet punuese për arritjen e një marrëveshje të përhershme për targat aktualisht po mbajnë takim në Bruksel.

Ai tha se në takimin e 22 shkurtit është bërë përparim i dukshëm për gjetjen e një zgjidhjeje finale për energjinë në veri.

Bislimi: Është bërë përparim i dukshëm për gjetjen e një zgjidhjeje finale për energjinë në veri

Në kuadër të angazhimeve të deritanishme kemi përparuar dukshëm në gjetjen e një zgjidhjeje finale për energjinë në veri. Problematikë kjo e trajtuar në kuadër të dialogut që nga vitit 2013, por e pazgjidhur deri tani. Kjo temë është diskutuar me BE-në edhe në takimin e fundit, pritjet tona janë që e njëjta të finalizohet shumë shpejt. Kjo do t’i hapte rrugë futjes në sistem legal të gjithë shfrytëzuesve të energjisë duke vendosur parimin e barazisë”, tha ai.

Bislimi tha se po punohet për aranzhimin e një takimi të nivelit të lartë në dialog.

Bislimi: Po punojmë për aranzhimin e një takimi të nivelit të lartë

Për momentin jemi duke punuar për sigurimin e substancës së nevojshme për aranzhimin e takimit të radhës në nivel të krerëve të shtetit ku do të diskutohej për elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Në këtë drejtim në takimin e datës 22 shkurt, bashkë me z. Andin Hoti jemi harmonizuar për një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur me forcë, ku do të nënvizohej sërish urgjenca e kësaj teme”, tha ai.

Krahas këtyre, Bislimi tha se vazhdimisht në takimet e Brukselit ka ngritur çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës./

***

Në debatin parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar ndihmën e opozitës, duke ju rekomanduar që të mos flasin për njohjen e ndërsjellë me të cilën përfundon procesi. Me këto deklarime, ai tha se i dëmtohet pozicioni negociator.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se gati një vit Kosova është pa asnjë kompromis me Serbinë. Sipas tij, viti i kaluar kishin rritje ekonomike, luftim të krimit dhe korrupsionit, menaxhim të pandemisë përkundër problemit me Serbinë.

Kurti: Një mënyrë që të më ndihmoni është që të mos flisni për njohjen e ndërsjellët me të cilën përfundon procesi

“Një mënyrë shumë e qartë që të më ndihmoni është që të mos flisni për njohjen e ndërsjellët me të cilën përfundon procesi, siç e tha njëri prej kryetarëve të partive opozitare apo siç e ka thënë tjetri ‘marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme e cila ka epilog njohjen reciproke. Kjo është shumë gabim. Ju ma dëmtoni mua pozicionin negociator me këso konstatimesh. Që prej viti të kaluar, ka ndodhur një zhvendosje tektonike, në kuptimin diplomatik, në raportin tonë me Serbinë në bisedimet me Brukselin”, tha ai.

Më tej, ai shtoi se prej kur kanë filluar vet procesin e dialogut, është bërë ndryshimi dhe në qendër është dialogu.

Kurti: Njohja reciproke është në qendër, jo në fund

Njohja reciproke është në qendër, jo në fund. Jo të përmbyllet procesi ose epilogu-njohja reciproke. Njohja reciproke është në qendër. Sepse ka ndodhur zhvendosja prej kohës në hapësirë. Kjo është e para, tejet e rëndësishme është”, ka shtuar Kurti.

Për këtë, madje ai kërkoi që të mos flasin fare.

Kurti: Nganjëherë mund të ndihmoni edhe duke mos folur

“Jo në fund, jo në epilog siç keni shkruar deputeti Haradinaj, pas takimit me Lajçakun dhe Escobarin. Shumë gabim keni bërë, jo në fund po në qendër. Ju lutem, kurrë mos thoni më në epilog, se nganjëherë mund të ndihmoni edhe duke mos folur”, deklaroi ai.

Në debatin parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, ai tha se dialogu është për raportin me Serbinë, jo për Kosovën.

Kurti: Gabimi i dialogut dhjetë vjeçar ka qenë se është diskutuar për qenien dhe statusin tonë

Gabimi i dialogut dhjetë vjeçar ka qenë se është diskutuar për qenien dhe statusin tonë. Unë nuk dialogoj për këtë gjë, dialogu që na kërkohet neve është dialog për statusin e raportit me Serbinë, jo për statusin e Kosovës. Edhe ajo rezolutë thotë se ka katër qëllime dialogu: paqen dhe sigurinë, bashkëpunimin, perspektivën në rrugën evropiane dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka deklaruar më tej ai.

***

Kurti-Haradinajt: Kursena prej leksioneve, ti i ke dhuruar Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputetin e AAK-së, Ramush Haradinaj rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti ka deklaruar se Haradinaj nuk është gjendje të ofrojë këshilla për Qeverinë ngase në kohën sa ishte kryeministër e kishte lënë dialogun në duar të ish-presidentit Hashim Thaçi duke kontribuar edhe në idenë për shkëmbimin e territoreve.

“Deputeti Haradinaj në kohën kur keni qenë kryeministër dialogun e keni lënë në dorën e presidentit atëherë kur lulëzoj projekti i shkëmbimit territorial. Dhe çfarë bëtë ju e keni krijuar një grup super teknik me Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmetin. Ja çfarë grupi keni bërë ju.

Nuk mundem me ju marr seriozisht. Sepse në kohën kur keni qenë kryeministër i keni dhuruar Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë. Na kurseni prej leksioneve. Keni dhënë dorëheqje sepse ju intervistuan në Hagë sepse mandej dojshi mu bo president. Presidente është Vjosa Osmani e cila ka 300 mijë vota në popull”, ka thënë ai.

Tahiri: Kosova duhet të kërkojë njohje reciproke, mos të ulet në diskutim teknik

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka prezantuar rezolutën e kësaj partie me pesë rekomandime për dialogun me Serbinë. Sipas tij, formati i tanishëm i dialogut duhet të ndryshojë dhe Kosovë mos të ulet në tryezën e diskutimit teknik.

Ai gjatë seancës plenare ku po mbahet debat parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, tha se rezoluta e AAK-së, kërkon që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, e jo të vazhdohet në nivel të teknikëve.

Tahiri: Dialogu duhet të kalojë në një etapë tjetër

Ne mendojmë që formati i deritanishëm i dialogut Kosovë-Serbi duhet të ndryshojë, duke pasur parasysh se nuk po ka produktivitet. Në marrëveshje që një vit ka lëvizje, ka takime, por nuk ka produktivitet. Për ne dialogu duhet të kalojë në një etapë tjetër, duhet të kalojë në një etapë të diskutimit të marrëveshjes finale, ku Kosova kërkon njohje reciproke dhe nuk ulet më në diskutim teknik. Për shkak se është abuzim me shtetin e Kosovës, është abuzim me kohën e zëvendëskryeministrit, me qeverinë dhe dalje nga prioritet tona”, tha ai.

Ai ka prezantuar pesë rekomandimet e rezolutës së AAK-së, që sipas tij, kanë qëllim fuqizimin përballë Serbisë.

Tahiri: Njohja e shtetësisë dhe mosndërhyrja në çështjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare

Njohja e shtetësisë dhe mosndërhyrja në çështjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. 2. Republika e Kosovës është e përkushtuar që marrëveshja duhet të arrihet në përputhje me idenë e arritjes së zgjidhjes së madhe me një samit ndërkombëtar të organizuar nën kujdesin e presidentit Biden, përfaqësuesve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ne nuk jemi duke folur për turizëm, që të shkojmë në konferenca me u ul. Kur presidenti i shtetit amerikan Biden përmes emisarit të vet e merr rolin që të bëjë një marrëveshje ndërkombëtare e jo të shkojmë me dal në suret në Bruksel”, ka treguar ai.

Ai tha se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me parimet për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Tahiri: Marrëveshja përfundimtare do ta hap rrugën për një dialog të vazhdueshëm brenda palëve

Zgjidhja e madhe duhet të sigurojë që marrëveshja përfundimtare do ta hap rrugën për një dialog të vazhdueshëm brenda palëve për gjitha çështjet e hapura pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Pas marrëveshjes, dialogu duhet të vazhdojë për çështje të tjera të hapura me garanci nga ShBA-të, BE, posaçërisht nga vendet e QUINT-it dhe Mbretëria e Bashkuar”, ka deklaruar ai.

Gjatë fjalimit të tij, ai u zotua se kanë dhënë kontribut në shtetndërtim duke qenë bashkë në momente të caktuara edhe ma partinë e cila sot është në pushtet.

***

Bislimi: Qeveria iu përmbajt principeve të saj në dialog 

Zëvendëskryeminstri, Besnik Bislimi, ka thënë që qeveria e Kosovës e ka trajtuar me seriozitet të lartë temën e dialogut me Serbinë, duke listuar edhe njëherë pikat që thotë t’u jenë përmbajtur.

“Në kuadër të angazhimit të katërt, Qeveria e ka trajtuar me seriozitet të lartë edhe temën e dialogut me Serbinë duke e angazhuar si kryenegociator zëvendëskryeministri ne parë të qeverisë”, ka thënë Bislimi në Kuvend.

“Kjo ka dëshmu një dallim thelbësor si në raport me qasjen e palës serbe, ashtu edhe me atë të qeverisë paraprake. Në kuadër të dialogut të zhvilluar ne kemi etabluar disa principe bazë të cilave u jemi përmbajtur gjatë raundeve të bisedimeve qoftë në nivel të krerëve shtetërorë ashtu edhe në atë të kryenegociatorëve”.

Ai i përmendi principet të cilave qeveria u është përmbajtur si principi që do të diskutohet vetëm për cështjet e mbetura në kuadër të një marrëveshjeje të tërësishme që synon normalizimin e plotë të raporteve me Serbinë, se në këto marrëveshje duhet të trajtohen temat e pambyllura midis dy shteteve dhe të ndërtohen rreth njohjes reciproke, dhe se në asnjë rast nuk do të diskutohet për temat që e vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendit, si dhe nuk do të hidheshin në tavolinë të negociatave, çështjet e brendshme të Kosovës si ka ndodhur më parë.

“Tema e të pagjeturve është nxjerrë nga ky princip për shkak të urgjencës që rrethon të njëjtën dhe për të është biseduar gjatë secilit raund të negociatave”, shtoi mes tjerash Bislimi.

***

Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka sugjeruar Qeverinë që mos të fokusohet në çështjet teknike me Serbinë, por tek marrëveshja përfundimtare për njohjen reciproke.

Në debatin parlamentar për dialogun, Hoti tha se ka paqartësi të madhe për procesin e dialogut. Megjithatë u shpreh kundër mocionin të iniciuar nga AAK-ja.

Hoti: Qeveria të fokusohet në njohjen reciproke

Qeveria ka paqartësi të madhe në këtë proces karshi opozitës dhe qytetarëve, pasi është kthyer në çështje teknike të cilat mund të jetë të rëndësishme, por e devijojnë nga tema e njohjes reciprok. Qeveria duhet të jetë e kujdesshme në këtë drejtim, pasi vetëm kjo është e rëndësishëm për të përmbyllur çështjet me fqinjët tanë verior”, tha ai.

Hoti tha se me qasjen e Qeverisë Kurti procesi i dialogut po kthehet në pikën zero

Hoti: Me këtë qasje po kthehen çështjen në pikën zero

Me këtë qasje po kthehen çështjen në pikën zero, po kthehemi në vitin 2013, nëse kthehesh në çështje teknike kthehesh në vitin 2013... Nuk dëshiroj të politizoj një çështje, por sikur janë harruar të pagjeturit”, tha ai.

Krahas këtyre, Hoti tha se Qeveria nuk duhet të sjell vetën në situatë që të përballet me presionin ndërkombëtar.

Hoti: Qeveria nuk duhet të sjell vetën në situatë që të përballet me presion ndërkombëtar

Qeveria nuk duhet të sjell vetën në situatë që të përballet me presion ndërkombëtar por të insistojë në qëllimin kryesor te dialogut dhe dialogoj me shumë me partnerët tanë se me Serbinë”, shtoi ai.

Derisa shprehu kundërshtimin për mocionin e AAK-së.

Hoti: Zgjidhje të madhe qojnë në kompromise të mëdha

Zgjidhje të madhe qojnë në kompromise të mëdha, ata që kërkojnë konferencë ndërkombëtare për të mbyllur procesin e dialogun me Serbinë në fakt e kërkojnë të njëjtën gjë sikur ata që kërkojnë shkëmbim të territoreve dhe lëvizja e kufijve qojnë në luftë”, tha ai.

***

Tahiri: Kosova është më e fortë kur Opozitë e Qeveri janë bashkë përball Serbisë

Shefi i grupi parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti ka dhënë kontribut të madh për liri dhe në shtetndërtim.

Ai tha se ndonëse parti e vogël, AAK-ja sipas tij, ka pasur qëndrime të sakta kundër ndarjes së Kosovës, deri në momentin kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje.

“Për AAK-në, debati për dialogun Kosovë-Serbi është më kryesorja e këtij vendi, këtij kuvendi dhe e këtij shteti. Kur e kemi ngritur këtë debat, s’kemi pasur informata që kërcet lufta në Ukrainë sepse kemi menduar për shtetin tonë. Ne jemi subjekt politik që kemi dhënë kontribut jo me fjalë por me vepër për liri, ne jemi parti e cila ka dhënë kontribut në shtetndërtim moment pas momenti kurrë pa e parë votën. Kemi qenë me këtë parti (Vetëvendosje) në kauza të përbashkëta, në rrugë e protesta duke e marrë Albin Kurtin në stacion të policisë. Ne jemi ndoshta parti e vogël, por subjekt që ka pas qëndrime të sakta kundër ndarjes së Kosovës deri në momentin kur kryeministri ka dhënë dorëheqje”.

Tahiri theksoi edhe më tutje se AAK-ja ka votuar çdo marrëveshje ndërkombëtare pa asnjë kusht.

“Derisa të jemi këtu, do të veprojmë njësoj. Në çështje që besojmë do të jemi me ju. Kosova është me fortë kur Opozitë dhe Qeveria është bashkë përball Serbisë. Formati i deritanishëm duhet të ndryshojë se s’po ka produktivitet. Ka lëvizje e takime, por s’ka produktivitet. Për ne dialogu duhet të kalojë në një etapë tjetër, në një etapë të diskutimit, të marrëveshjes finale që kërkon njohjen reciproke”, tha Tahiri.

***

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se kur Rusia po shpërfaq agresivitetin e saj në Evropën Lindore, të njëjtën mund ta bëjë edhe Serbia në Ballkan.

Këtë deklarim e bëri në seancën e ajshtëzakonshme, në të cilën po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, të thirrur nga AAK-ja.

“Ne mund të flasim në këtë kuvend si të duam e çfarë do që ma merr menja, këto janë ditë të vështira për Evropën por edhe për Ballkanin ne kemi qenë viktima të një politikë ku kufijtë ka pas pëkpjekv qe të vizatohen me thellësinë e humnerave”

“Ne kem partner strategjik por kemi edhe një kundërshtar të madh strategjik, ai është Rusia. Kur Rusia është shumë agresive në Evropën lindore, Serbia do të jetë edhe më agresive në Ballkan. E ftoj Qeverinë që të monitoroj seriozisht situatën”, tha Hoxahj.

***

“Mimoza ka qenë me mu në qeveri kur janë nënshkru një pjesë e marrëveshjeve”, ka thënë Hoxhaj në foltoren e Kuvendit.

***

“Të paktën kjo nuk duhet të thotë që kemi probleme ke këto marrëveshje. Unë nuk i iki asaj që e ka nënshkruar PDK-ja dhe për çfarë qëndron PDK-ja, ndërsa të paktën personalisht nuk do të duhej të distancohesh për një gjë të tillë”.

Kusari – Lila tha se ajo as nuk është përgjegjëse e as nuk i ka negociuar marrëveshjet lidhur me Serbinë gjatë kohës sa ishte në një qeveri të përbashkët me PDK-në.

“Prej vitit 2013 deri në vitin 2022 janë nëntë vjet zoti Hoxhaj. Prej vitit 2013 unë nuk jam në qeveri dhe për 9 vjet me radhë e kam pasur mundësinë mjaftueshëm që t’i tregoj qëndrimet e mia”, u përgjigj Kusari-Lila.

“E se sa kanë qenë të vlefshme ato marrëveshje në kohën kur unë ti kemi qenë bashkë në qeveri, e ka tregu pastaj viti 2015 kur keni shku në qeveri me LDK-në dhe shumicën prej atyne marrëveshjeve i keni marrë, i keni detaju, i keni shtu elemente shtesë për arsye që kanë qenë të pazbatueshme në formatin që janë nënshkru atëherë. E çka me mbrojtë unë, kë me e mbrojtë?”

“Me mbrojtë diçka që nuk funksionon, që vetë ju dy palët keni konkludu se nuk funksionon, merri të gjitha marrëveshjet e 2013-ës, e kanë vazhdimin e 2015-ës, dilm e mbroji ato nëse menon që ke bo punë të mirë por mos e gjuj fajin diku tjetër”.

Hoxhaj u përgjigj edhe njëherë duke thënë që Kusari-Lila ka folur sërish pa kuptim.

“Nuk di se çka me ba me fjalitë e Mimozës, prej kësaj po kërkoj vizion se i keni 59 deputetë”.

***

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar unitet nga partitë parlamentare për dialogun me Serbinë.

Ajo ka thënë se pas agresionit rus në Ukrainën kanë ndryshuar rrethanat gjeostrategjike dhe Kuvendi duhet të del me një vendim se disa marrëveshje që janë bërë nuk mund të funksionojnë, derisa ka një realitet të ri që po shpërfaq Serbia.

Kusari-Lila: Jemi në një rrethanë gjeostrategjike ndryshe, është koha të unifikohemi

“Sot është koha të unifikohemi, sot fatkeqësisht po ndodh një e keqe e madhe në Ukrainë, por për ne është një mësim i madh gjithashtu mbi qasjen si e kemi pas dhe duhet të organizojmë ndaj Serbisë. Nuk mundemi më të jemi të fragmentuar karshi tyre. Ne duhet të jemi bashkë, ky Kuvend duhet të deklarojë si pikat të cilat janë vendosur, vendimet dhe nënshkrimet e marrëveshjeve që janë bërë në disa rrethana nuk mund të funksionojë se ka një realitet që ka shpërfaq Serbinë nga gjitha aspiratat që kanë pasur deri tash. Nuk e kanë forcën ushtarake të Rusisë, por ka pasur një politikë pak nga BE dhe shumë nga Rusia. Është një rrethanë gjeostrategjik krejt tjetër se ndryshe do të ishte situata sot. Prandaj nuk e shoh këtë debat që ne të përçahemi por si debat që ne të bashkohemi. Ne ti japim mbështetje qeverisë dhe kryenegociatorit”, tha ajo në debatin parlamentar për dialogun.

Shefja e deputetëve të mazhorancën kritikoi edhe iniciuesin e debatit për dialogun me Serbinë.

Kusari-Lila: Ku është zori sot për të shtyrë përpara dialogun

“Cila është marrëveshja e keqe që kjo qeveri ia solli Kosovës. Ju e keni ftuar dialogun që të diskutojmë në ditë pa ditë, në moment pa momente. SI mund të shtyjmë përpara dialogun dhe raportet me Serbinë. Ku është zori sot, cila është kërkesa e juaj që sot ne të amnistojmë dhe ti japim argumente shtesë Serbisë në raport me Kosovën në rrugën e saj drejtë BE-së. Ne duhet bashkërisht të kalkulojmë se kemi pas një proces të gjatë mbi 1 dekadë me pak suksese dhe shumë dështime a do të jemi në gjendje sot aktualisht që ato pak suksese dhe shumë dështime ti vazhdojmë si të tilla, apo në një moment kur një shtet sulmon një shtet sovran dhe ka një sozi këtu në Ballkan që e ka emrin Republika e Serbisë që e fillon të njëjtën me Malin e Zi dhe nesër ndoshta me Kosovën, t’ia lehtësojmë punën. Si një person me bagazh dhe strateg i luftës kisha pritur një qasje tjetër nga ana juaj”, shtoi ajo.

Ajo i quajti ofenduese qëndrimin e mëhershëm të kryetarit të AAK-së në Kuvend.

Kusari-Lila: Në vend se të përcillet mesazhi për unitet, del kryetari i një partie dhe ofendon me radhë

“Për ne si unitet është kjo të përcjellët si mesazh dhe jo të del një kryetar i një partie, një ish kryeministër dhe të ofendojë me radhë në momentin kur një kryeqytet i një vendi bie nga forcat ruse”, tha ajo.

Kusari-Lilës iu kundërpërgjigj, deputeti Haradinaj.

Hardinaj: Sa i përket partive Mimozë je shumë e shkathët

“Sa i përket partive Mimozë je shumë e shkathët, ke qenë e zonja në çdo parti. Sot po shoh se mbi LVV-në je, e di se ke kalu 5-6 parti”, tha ai.

Hardinaj: Qeveria po tallet me Kosovën përmes dialogut të teknikëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka adresuar një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti, lidhur me dialogun me Serbinë.

Në debatin parlamentar për dialogun, deputeti Hardinaj tha se procesi i dialogut është kthyer në dialog të teknikëve.

Haradinaj: Dialogu me Serbinë është kthyer në dialog të teknikëve

“Pra nuk është dialog teknik por i teknikëve të cilët udhëtojnë shpesh në Bruksel dhe për të cilët parlamenti duhet me pri kur ata munden me ardh me i tregu Kosovës çka po ndodh në dialog. Qeveria jonë pas gjithë këtyre viteve në dialogimi sot e quan sukses dialogun e teknikëve arritjen e një marrëveshje për ngjitës në tabela. Qeveria dhe udhëheqësit politik që me vite të tëra kanë kundërshtuar dialogun pa kritere sipas tyre dhe kanë kundërshtuar dialogun teknik të stërzgjatur, tani po e vazhdojnë talljen me Kosovën përmes dialogut të teknikëve dhe përmes riciklimit të temave të zgjidhura dikur”, tha ai. 

Kjo formë sipas tij është tallje për Kosovën. Ai i quajti noter të kryeministrit Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Haradinaj: Presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca noter të kryeministrit Kurti

“Deri kur ju që jeni përballë edhe kryeministri që s’paska ardh këtu, se kumedit e ka agjendën busy, edhe noteria e tij presidentja edhe ky noteri tjetër Konjufca, deri kur doni me u mbush mend mos me bo hajgare me këtë vend. A e kuptoni çka jeni duke bërë, janë disa këtu, baba i Astrit Deharit, është Gani Krasniqi, Fatmir Humolli, Hydajet Hyseni ku jeni o burra. Ju e keni tall Ibrahim Rugovën duke thënë se po na vënë në gjumë prej 1990 deri 1999, çka jeni duke bërë ju sot. Kjo parti e juve po e vënë në gjumë Kosovën dhe po e çon poshtë”, tha ai.

Ai kërkoi deputetëve të miratojnë mocionin e AAK-së për të vendosur kornizën për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Haradinaj: Parlamenti të vendosë për kornizën e dialogut

"Ne AAK-ja i kemi propozuar parlamentit një mocion përmbajtjesor për të vendosur kornizën për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Pra parlamenti të vendosë kornizën qeverisë dhe të cilën do të obligohet qeveria që mos të vazhdojë me dialogun teknik dhe të teknikëve të vet. Por të kalojë në fazën finale të dialogut në marrëveshjen e madhe ose big fix e kemi quajtur me të cilën do të arrihet dhe kërkohet njohja reciproke Kosovë-Serbi në kufijtë ekzistuese bazuar në tri parimet veç të dakorduara edhe me negociatorët ndërkombëtar. Pra integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetutshmëria”, tha Haradinaj.

Pas përfundimit të fjalës, deputeti Haradinaj i reagoi kryeparlamentari, Konjfuca i cili kërkoi të ketë ketë kujdes në terminologjinë që përdor.

Konjufca: Zotëri Haradinaj kujdes në terminologjinë që e përdorni

“Zotëri Haradinaj kujdes në terminologjinë që e përdorni”, tha ai.

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi diskuton sot për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi

Debati parlamentar lidhur me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi do të zhvillohet sot  në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Ky diskutim i paraparë për të enjten (dje)  me pajtimin e të gjitha grupeve parlamentare është shtyrë për shkak të mungesës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri ka kërkuar që me mocion procedural kjo pikë të zhvendoset për seancën e nesërme.

“Kemi diskutuar bashkërisht edhe me nënkryetaren e kuvendit mirëpo edhe me grupet parlamentare ka qenë kërkesë që për të zhvilluar debatin është mirë me qenë prezent edhe zëvendëskryeministri i parë zotëri Bislimi, i cili është po ashtu përgjegjës për dialog dhe jemi dakorduar ta shtymë debatin për nesër, ditën e premte në ora 11:00. Dhe kërkoj një mocion procedural që ta fusim në agjendë për nesër”, ka thënë Tahiri.

Kërkesën e Tahirit e ka përkrahur edhe Lëvizja Vetëvendosje(LVV), Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) sipas së cilëve diskutimi duhet të bëhet kur i pranishëm është kryenegociatori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat