Kosova e gatshme të presë refugjatë nga Ukraina

Aktuale

Kosova e gatshme të presë refugjatë nga Ukraina

Më: 5 mars 2022 Në ora: 07:01
Ilustrim

Kompania “Linkplus” e cila ofron shërbime të programimit, kryesisht për klientë ndërkombëtarë, është ofruar të strehojë 10 punonjës ukrainas që punojnë në këtë fushë.

Iliriana Ibraj nga kjo kompani i tha Zërit të Amerikës se ajo vet i ka të freskëta kujtimet e luftës në Kosovë, prandaj kjo nismë ishte e natyrshme si shprehje solidariteti me ukrainasit.

“Nisma jonë nuk është të krijojmë vende pune për njerëz të fushës se IT-së, por qëllimi është që njerëzit të cilët janë të punësuar atje dhe nuk kanë kushte për punë ata mund të drejtohen te ne. Ne do të ofrojmë akomodim e po ashtu hapësira ku ata mund të dalin në zyre dhe të punojnë nga këtu”, thotë ajo.

Kompania thotë ajo, është e hapur edhe për njerëz që e kanë humbur vendin e punës për shkak të situatës në Ukrainë.

“Secili duhet të mundohet të jap kontribut në fushat në të cilat punojnë. Ukraina njihet shumë për zhvillimin e fushës se IT-së dhe ne i kemi pasur edhe ashtu si referencë të mirë se si duhet të zhvillohemi, prandaj fokusi ka qenë në IT, feedbacku ka qenë i mirë në përgjithësi”, thotë ajo.

Në Kosovë agresioni i Rusisë në Ukrainë ka nxitur solidarizimin e institucioneve dhe qytetarëve me ukrainasit. Qeveria e Kosovës para disa ditësh ndau një fond prej 150 mijë eurosh për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, në një bisedë me Zërin e Amerikës, tha se kjo nismë e ka mbështetjen e plotë të institucionit që ai drejton.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar këta gazetarë në forma të ndryshme, fillimisht duke ua ofruar anëtarësinë në Asociacion e pastaj edhe në forma të tjera ashtu që ata të mund të kryejnë punën e tyre, larg shtëpive të tyre”, tha ai.

Parlamenti i Kosovës përmes një rezolute më të cilën dënoi agresoiomimn rus, i bëri thirrje të enjten qeverisë që të ofrojë strehim për rreth 5 mijë refugjatë ukrainas.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se qeveria mbështet këtë rezolutë dhe po përgatitet ta zbatojë atë.

“Përpos vullnetit të cilin ne e kemi, ne besojmë që ekzistojnë edhe kapacitetet për të bërë një gjë të tillë, këtu përfshihen edhe kapacitetet brenda sektorit privat. Po ashtu mirëpresim edhe kërkesën që të formohet një fond i veçantë për ndihmë ndaj Ukrainës. Në ditët dhe javët në vazhdim ne do të intensifikojmë komunikimin me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare të profilit përkatës që të identifikojmë nevojat dhe kërkesat si dhe mundësitë e format nëpërmjet të cilave do t’i dalim në krah shtetit të Ukrainës”, tha zoti Kryeziu.

Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, e kanë dënuar sulmin dhe janë zotuar për bashkërendim me veprimet e aleatëve perëndimorë dhe qeveria u është bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat