​Kurti: Duam paqe afatgjate, Osmani: Anëtarësimi në NATO objektiv strategjik i Kosovës

Aktuale

​Kurti: Duam paqe afatgjate, Osmani: Anëtarësimi në NATO objektiv strategjik i Kosovës

Më: 5 mars 2022 Në ora: 07:25
Ceremonia e rreshtimit të njësive ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës

(E plotësuar 12:17) - Rifat Jashari: Kënaqësi kur e shoh ushtrinë e Kosovës

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, vlerëson se liria e mund dhimbjen e për këtë duhet të jemi gjithmonë krenarë.

“Gjithmonë do të jemi bashkë dhe do të jemi krenarë, liria e mund edhe dhimbjen e të tjerat”.

Në fjalimin e tij në emër të familjes Jashari, tha se është kënaqësi kur e sheh ushtrinë e Kosovës të rreshtuar.

“Është kënaqësi kur e shoh ushtrinë e Republikës së Kosovës të rreshtuar, duke falënderuar Zoti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe gjitha shtetet mike që ne e arritëm 14 vjetorin e pavarësisë dhe kjo do të qëndrojë sa të ketë jetë populli kosovarë “dem-baba-dem”.

Jashari në ceremoninë e Rreshtimit të Njësive Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me rastin e 24 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pati edhe një mesazh për qytetarët e Kosovës.

“Duhet të kemi një gjuhë të përbashkët dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin që t’i arrijmë qëllimet tona shekullore”, tha Jashari.

***

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova i dhuroi botës aktin më të pashembull, familjen Jashari dhe tash kur po ndodhë pushtimi i Ukrainës, është edhe më e qartë vlera dhe rëndësia e epopesë së UÇK-së.

Kurti me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ceremoninë e rreshtimit të njësive ushtarake të FSK-së, e cila u mbajt në kazermën “Adem Jashari”, Prishtinë, Kurit tha se Kosova nuk ka trima pushtimi por dëshmorë çlirimi.

“Ne duam paqe afatgjatë andaj nuk ngutemi e nuk vendosim data përfundimtare. Datat na duhet por në zhvillimin e brendshëm. Së brendshmi na duhet sinqeritet, së jashtmi na duhet reciprocitet”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, Kosova i dhuroi botës aktin më të pashembull, familjen Jashari.

“Jasharët na dëshmuan se vullneti e sjell subjektivitetin. UÇK e çliroi Kosovën, jemi të qartë për këtë pikë. Këto ditë të planetit kur jemi dëshmitar të pushtimit të Ukrainës na sjellin edhe më të qartë vlerën dhe rëndësinë e epopesë së UÇK-së. Vullneti i Ukrainës do ta bëjë të mundur kthjelltësinë e shprehjes botërore. Sot Ukraina mund ta kuptojë Kosovën dhe epopenë e luftën e saj. Urojmë që Ukraina mos të jetë as Bosnje, as Kosovë. Të mos ketë pastrim etnik, as të zhdukur me dhunë, as dhunime seksuale”, ka thënë Kurti.

Osmani: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë

“Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, andaj anëtarësimi tani është mëse i domosdoshëm se kurrë dhe është parakusht për paqe në rajon”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani në ceremoninë shtetërore të shënimit të 24 vjetorit të Epopesë se lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Presidentja Osmani u shpreh se familja Jashari është protreti i lirisë së Kosovës për të cilën u deshtë shumë mund për ta arritur.

“Marsi i viti 1998 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të popullit të Kosovës për liri. Në këtë ditë fryma e lirisë që nisi në Prekaz në familjen Jashari u bart gjithandej nëpërmjet UCK-së. Në këtë ditë që është vetëm prej disave të tilla por do të mbesë në historinë për shekuj tonë[...]me 5,6, 7 mars të vitit 1998 rezistenca e familjes Jashari ishte thirrje për mobilizim të të gjithë popullit për t’i dhënë fund robërisë, për ta kthyer dinjitetin në vend dhe për ta dërguar mesazhin se liria nuk ka çmim. Duke refuzuar nënshtrimin komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjarët e tjerë dhe bashkëfshatarë ranë heroikisht në mbrojtje të atdheut. Ky sakrifikim i familjes Jashari me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë u bë guri themeltar i lirisë së shtetit tonë. Kjo familje është portreti i lirisë sonë e cila ishte e zorshme për tu arritur. Rezistenca dhe sakrifica sublime e familjes Jashari ishin idealet për të mbrojtur të drejtën për të jetuar në një shtet sovran. Faleminderit komandat, faleminderit uck-së te cilët vulosën fatin tonë si popull dhe si shtet”, ka thënë Osmani.

***

24-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - Ceremonia e rreshtimit të njësive ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

24 vjet nga rënia heroike e Jasharëve, sot nis Epopeja e UÇK-së

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.

Pikërisht më 5 mars bëhen 22 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 24-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat