‘Ballkani i hapur’ po vdes në Ukrainë – Edi Rama i identifikuar me fatin e Serbisë!

Aktuale

‘Ballkani i hapur’ po vdes në Ukrainë – Edi Rama i identifikuar me fatin e Serbisë!

Nga: Idriz Morina Më: 6 mars 2022 Në ora: 12:31
Edi Rama, një nga politikanët më të korruptuar dhe më të kompromituar

‘Ballkani i hapur’ është qëlluar për vdekje në Ukrainë. U qëllua nga Rusia, nga Kremlini, i cili e projektoi vetë ‘Ballkanin e hapur’, për t’ia hapur një varrë të ri Shqipërisë, tokave shqiptare, edhe në shekullin 21-të, sikurse ka ndodhur në dy shekujt e shkuar të 19-të e të 20-të.

Atë nuk mund ta ngjallë Edi Rama, edhe po të shkojë në Ukrainë në ndërmjetësim këshilltari i tij Baton Haxhiu, për t’ia çuar mesazhet e Beogradit heroit Zelenski, për ta ngatërruar me mesazhet e Moskës. Ndoshta Blendi do të mundohet t’ia hap një kanal komunikimi për këtë, pasi vetë Zelenski nuk besohet se i dha ndonjë rast të tillë Edi Ramës në komunikimin e drejtpërdrejtë.

Kjo qasje ironike bëhet për të kthjelluar marrëzinë e Edi Ramës, që këmbëngul në Ballkanin e hapur, për të fshehur raportet e tij vartëse ndaj Serbisë dhe vetë Vuçiqit.

Deliri i Ramës

Edi Rama në delirin e një të marri, ndërsa fushata politike në Shqipëri po shkonte drejt mbylljes për gjashtë bashki, ai vazhdonte të fliste për projektin serb “Ballkanin e hapur”. Thuajse Europës dhe botës, i ka mbetur e vetmja rreze shprese nga Putini, tek ‘Ballkani i hapur’.

Si mund të ketë ‘Ballkan të hapur’, derisa Serbia është i vetmi vend europian (jashtë zonës ruse, ku bën pjesë p.sh. Bjellorusia) që e përkrah pushtimin rus të Ukrainës.

Nga disa analistë dhe media në Shqipëri, sidomos, deklarimi i Serbisë se e njeh Pavarësinë e Ukrainës, veçanërisht nga vetë kryeministri Edi Rama, madje nga ky i fundit është komentuar me ekzaltim, si qëndrim proPerëndimor i Vuçiqit.

Njohja e mëtejshme e Ukrainës si shtet nga Serbia, është vetëm një lojë fjalësh retorike, sepse në esencë si e kam shpjeguar edhe në deklarimin e parë të presidentit të Serbisë Vuçiqit, se ai e njeh pavarësinë e saj, sipas modelit të Putinit.

Edhe Putini vazhdon të deklarojë se ka urdhëruar një operacion spastrimi në Ukrainë, për denazifikim të saj, shpëtimin e rusëve nga gjenocidi që po e kryen Ukraina dhe gënjeshtra të tjera, por gjithnjë mbi tezën, se Ukraina do të mbetet një shtet sovran, dhe se ai nuk po e konteston Pavarësinë e saj. Pra, ushtria është atje vetëm derisa të mbarojnë disa punë. Madje, edhe formalisht, ai ka dërguar misione ‘paqeruajtëse’ në republikën e Luhanit dhe Donetskit. Pra, përveç Krimesë, ai nuk ka ‘pushtuar’, asnjë zonë tjetër të Ukrainës.

Pra, në këtë kontekst Vuçiqi është në një linjë me Putinin, pasi në aspektin retorik, kërkesa për ta njohur pavarësinë e Ukrainës nuk dallon nga ajo e vendeve të tjera.

Por, janë veprimet, vendimet ato që i zbërthejnë këto qëndrime. Vendet aleate me NATO-n dhe SHBA-në në mbështetje të Ukrainës, i kanë vënë sanksione të rënda Rusisë pushtuese, ndërsa Serbia, refuzon ta bëjë këtë. Edhe Kosova e varfër dhe e dobët, me gjithë brishtësinë e shtetit është në vijë të parë me Perëndimin, dhe me Shqipërinë, e cila si një vend përveç anëtar i NATO-s, edhe anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, po bën më të mirën e mundshme, përkundër vullnetit të Edi Ramës, që nuk ka fuqi t’i pengojë këto veprime.

Pse Edi Rama e mbron me çdo kusht Vuçiqin dhe Serbinë?!

Edi Rama e mori në mbrojtje Vuçiqin dhe Serbinë, pasi ai është identifikuar me fatin e Serbisë, sepse është nën kontrollin serb, dhe se është i korruptuar dhe komprometuar deri në fyt. Skandal, që jo shumë larg pritet të shpërthejë. Dosja e tij e rëndë, është drejt zbërthimit të plotë nga vende mike, që përkujdesen për Shqipërinë.

Pra, për ta zbërthyer më tej gënjeshtrën e Edi Ramës, Serbia refuzon ta bëjë këtë (sanksionet ndaj Rusisë), pasi si e kanë tërhequr vërejtjen Josip Borell Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, më parë, dhe të premten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, lufta pritet të përhapet edhe në Gjeorgji, Moldavi dhe në Ballkanin Perëndimor (BP). Për këtë të fundit, Sekretari i NATO-s e ka bërë të qartë se aktualisht bëhet fjalë për Bosnjën, për dallim nga Borelli, që e ka lënë të hapur rrezikun për tërë rajonin (BP).

Pra, nëse përfundimisht Bosnja është e rrezikuar nga përshkallëzimi i luftës në Ukrainë, kush mund ta dërgojë këtë shtet në rajonin tonë, direkt e në luftë?

Nuk është vetëm Rusia, që mund ta bëjë këtë, por edhe Serbia. Pa ndihmën e Serbisë, atë ushtarake, diplomatike, e të resurseve të tjera, lideri autokrat i serbëve të Bonjës Dodiku dhe serbët e tjerë nuk mund ta imagjinojnë asnjë luftë.

Cili është qëllimi final, atëherë i serbëve, nëse nuk u ndihmuakan nga Serbia? Nuk ka asnjë qëllim tjetër, pasi ata kërkojnë bashkimin e Republikës Serbe me Serbinë. Ky bashkim nuk mund të ndodhë, pa vullnetin, përkrahjen dhe krijimin e kushteve dhe rrethanave nga Serbia.

Por, Ballkani i hapur nuk vdes përfundimisht në Bosnje!

Çfarë po përpiqet të thotë Putini, kur po e përmend se shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, po shkojnë vullnetarë të luftojnë në Ukrainë kundër Rusisë.

Të gjithë e dinë, se nuk bëhet fjalë për më shumë se disa individ, të cilët më parë kanë mundur të shkojnë nga shtete të huaja, pra që nuk jetojnë më këtu, dhe të cilët nuk paraqesin rëndësi në përcaktimin e fatit të luftës atje. Putini e di më mirë thuaja se çdo kush tjetër atë.

Por, Putini po i përmend kroatët, sepse i sheh si armiq në luftën e ardhshme për ndarje të Bosnjës, përkatësisht të bashkimit të Republikës serbe me Serbinë.

E përmend Kosovën, sepse e sheh si objektiv të përcaktuar, që duhet goditur nga Serbia apo bashkërisht.

Ballkani i hapur, do të varroset nga proceset e reja, që i ka hapur pushtimi rus në Ukrainë. NATO-ja nuk ka rrugë tjetër, përpos që ta përshpejtojë anëtarësimin në aleancë të vendeve të rrezikuara nga Rusia, dhe që janë larg kufirit rus, sikurse Kosova.

Bashkimi Europian është i detyruar t’i përshpejtojë procedurat për Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse ka vullnet që ta shpëtojë këtë zonë nga agresioni rus.

Por, edhe fundi i një lufte, ku Rusia e detyruar nga humbjet nënshkruan paqe, duke pranuar kushtet e Perëndimit, do t’i hap rrugë të reja, Kosovës dhe Shqipërisë. Kështu që ‘Ballkani i hapur’, mund të mbetet vetëm si kujtim, i një politike të vdekur të Edi Ramës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat