Kurti: Parku i ri i erës do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë

Aktuale

Kurti: Parku i ri i erës do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë

Më: 11 mars 2022 Në ora: 14:50
Foto ilustrim

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, ditën e dytë të qëndrimit të saj në Republikën e Kosovës, bashkë me kryeministrin Kurti, kanë bërë përurimin e parkut të ri të erës “Selac Windpark”, në fshatrat Selac dhe Bajgorë të komunës së Mitrovicës.

Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, ka treguar se prodhimi i energjisë nga ky park me erë, me 27 turbina, do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë dhe do të ulë emetimet e CO2 për 247 mijë tonë.

"Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme" shkruan ai.

Shkrimi i plotë:

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë të Ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, inauguruam parkun e ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës.

Prodhimi i energjisë nga ky park me erë, me 27 turbina, do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë dhe do të ulë emetimet e CO2 për 247 mijë tonë.

Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme.

Fjala ime e plotë në ceremoninë e inaugurimit:

Shkëlqesia juaj Ministre Baerbock,

I nderuar Z. Cornelius,

I nderuari zëvendëskryeministër Bislimi

E nderuar Ministre Rizvanolli,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Dhe të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi – edhe pse një kënaqësi shumë e ftohtë dhe me erë – të jem këtu me ju sot për inaugurimin zyrtar të parkut të erës Selac.

Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme. Ne e mirëpresim me gjithë zemër këtë investim strategjik.

Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshinë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse ne kemi nevojë të ulim gradualisht përdorimin e qymyrit duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike.

Tri aspekte janë të rëndesishme kur bëhet fjalë për këtë investim. I pari është diversifikimi i prodhimit të energjisë pasi prodhimi i energjisë nga ky park me erë do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë. I dyti është ulja e emetimeve të CO2 për 247 mijë tonë dhe i treti është se do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm me energji që ndihmon në plotësimin e kërkesës sonë në rritje, veçanërisht pas krizës energjetike që pasoi këtë dimër. Qeveria jonë i është përgjigjur kësaj krize në një afat të shkurtër, duke bërë subvencionim për konsum të energjisë që i atribuohet familjeve. Megjithatë, është e qartë se në afat të gjatë zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme.

Nuk do të kishte një projekt më të mirë për të hapur rrugën si investimi i parë strategjik, se ky.

Së fundi, shfrytëzoj rastin të falënderoj SoWi Kosovo dhe z. Cornelius i cili përfaqëson kompaninë sot këtu. Falënderoj gjithashtu aksionerët e saj, Enlight Renewable Energy, Ilir Grapci dhe Christian Hammeke. Gjithashtu, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e këtij projekti të sektorit privat, i cili është më i madhi që kanë financuar deri më tani në Kosovë. Zonja Ministre Baerbock, vizita dhe përkushtimi juaj për zhvillimin e Kosovës vlerësohet shumë.

Ju falemnderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat