Krasniqi: Qeveria çdo ditë e më shumë është duke i varfëruar qytetarët, shumë familje mezi e kalojnë muajin

Aktuale

Krasniqi: Qeveria çdo ditë e më shumë është duke i varfëruar qytetarët, shumë familje mezi e kalojnë muajin

Më: 15 mars 2022 Në ora: 16:14
Rrezarta Krasniqi

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar qeverinë aktuale për ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve në vend.

Krasniqi, ka thënë se që nga koha e ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti, qytetarët çdo ditë e më tepër janë përballur më vështirësi të reja.

“Dua të theksoj se prej kur e ka marrë drejtimin e shtetit ky Kryeministër me këtë kabinet qeveritarë, të cilët më shpesh nuk janë këtu, se sa që janë, çdo ditë e kaluar, ka qenë më e rëndë se sa tjetra për shumë familje. Pra, çdo herë më pak ka ushqim në sofrat e tyre, e çdo ditë e më shumë varfëri në vend. Kësisoj, shumë familje tani mezi e kalojnë muajin me ato pak të hyra që kanë. Ndërkohë që në krye të shtetit kemi një Kryeministër i cili nuk brengoset fare për gjendjen e tyre, madje shfrytëzon situata për tu tallur me ta, si në rastin e furnizimit me miell që e kanë bërë ditëve të fundit shumë qytetarë nga paniku se mund të mbesin pa miell, duke ju thënë se kush ka tepër ta dërgojë ata në furrë”, tha deputetja Krasniqi në seancën e sotme plenare.

Sipas saj ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka qenë më keq se tash, “e si rezultat i kësaj as jetesa e qytetarëve asnjëherë nuk ka qenë me e ligë në këto dy dekadat e fundit”, ka theksuar ajo.

Deputetja Krasniqi, ka thënë se qytetarët mezi po e kalojnë muajin me të hyrat që kanë, derisa kritikoi qeverinë për mashtrim të qytetarëve.

“Paratë që i marrin nga shteti nuk ju mjaftojnë për të mbijetuar, por kjo siduket nuk po e shqetëson qeverinë e Kurthit, e cila nuk mund të quhet ndryshe sepse i ka mashtruar qytetarët. E mashtruan bujkun, mjekun, ushtarin, policin, pensionistin dhe të gjitha shtresat tjera. Keni deklaruar se kanë qenë të rinjtë që ju kanë sjellur në pushtet me dy kërkesa, të cilat ju pohoni se i keni përmbushur, punësimi dhe drejtësia. Është mirë të na tregoni tani se ku i keni punësuar të rinjtë, apo mos po i llogaritë të punësuar edhe ata që u detyruan të largohen në Gjermani dhe në vendet tjera. Pra asnjë zotim i tyre nuk është përmbushur. Ndryshe kanë premtuar, e ndryshe kanë vepruar, prandaj kemi situatë të rënduar ekonomike”, u shpreh Krasniqi.

Tutje, ajo tha se një qeveri e cila mendjen do ta kishte tek populli në rrethana të pazakonshme në të cilat ndodhet vendi, do të gjente forma për të vepruar, “para se të gjente mënyra për t’u arsyetuar e viktimizuar, siç po bënë kjo qeveri.”

Në fund ajo ka kërkuar nga deputetët që të përkrahet rezoluta e përgatitur nga LDK dhe të mirren parasyshë të gjitha propozimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në mënyrë që të nxjerrim qytetarët nga varfëria.

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me rreth një orë e gjysmë vonesë nga kur ishte planifikuar të zhvillohej. Seanca është ftuar me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat