​Abdixhiku takon Ballën: Kosova pret më shumë nga Shqipëria

Aktuale

​Abdixhiku takon Ballën: Kosova pret më shumë nga Shqipëria

Më: 25 mars 2022 Në ora: 18:03
Foto nga takimi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka takuar kreun e shumicës parlamentare në Shqipëri. Ai pas takimit ka thënë se pret nga Shqipëria përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se qytetarët në Kosovë, ani pse janë plotësuar kriteret, tash e katër vjet nuk mund të lëvizin lirshëm.

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur rol të rëndësishëm në shtetësinë dhe orientimin e euroatlantik të Kosovës.

Më tej, u shpreh se për Partinë Socialiste është me rëndësi që të thellojnë marrëdhëniet me partitë në Kosovë.

Balla: Muri i vizave vazhdon të jetë vetëm për qytetarët e Kosovës

"Ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet në dobi të interesit të përbashkët, duke mos harruar për asnjë moment se Shqipëria dhe Kosova janë dy vende fqinje dhe po ashtu që Shqipëria mbështet gjithmonë rrugën e lëvizjes euroatlantike në Kosovës. Është momenti tani që të flasim për një përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe natyrshëm të mos harrojmë edhe humbjen e besimit tek Bashkimi Evropian dhe të kredibilitetit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Është e pashpjegueshme që Kosova për më shumë se katër vitesh ka përmbushur të gjitha kriteret e vendosura për heqjen e vizave dhe ndërkohë që ky mur i vizave vazhdon të jetë vetëm për qytetarët e Kosovës. Kështu që në këtë këndëvështrim, unë mendoj që BE është në kohën e duhur për të marrë një vendim sa i përket kësaj çështje. Dhe ndërkohë që rruga e orientimeve euroatlantie të Kosovës duhet të vazhdojë", ka thënë ai.

E kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se ndërtimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, mbetet esencial për partinë që udhëheq.

Abdixhiku: Ne presim shumë nga Shqipëria

"Do të ngrisim nivelin e bashkëpunimit partiak në këtë ngjarje të re të zhvillimeve politike mes shqiptarëve. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, relacionet Kosovë-Shqipëri në nivele të larta politike, përfaqësimit partiak e institucional janë esenciale për zhvillimet e mëtejshme. Ne presim shumë nga Shqipëria, siç edhe presim nga institucionet tona. Kosova si edhe Shqipëria përballet me problemet e njëjta ekonomike, politike e integruese. Në rrethanat e reja gjeopolitike në Evropë, bashkëpunimi me shqiptarët është esencial. Për LDK-në, për klasën politike tonën, anëtarësimi në NATO është objektiv tradicional dhe i domosdoshëm. Dhe këtu presim edhe përkrahjen e Partisë Socialiste", ka thënë ai.

Më tej, Abdixhiku shtoi se ka marrë përkrahjen edhe për vendosjen e monumentit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova në Tiranë.

Kreu i LDK-së bashkë nënkryetarë dhe anëtarë të kryesisë kanë zhvilluar takim edhe me kryeministrin, Edi Rama dhe me presidentin, Ilir Meta. Në agjendën e kësaj vizite zyrtare ka qenë edhe takimi me ushtruesin e detyrës së kryetarit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, por pas zhvillimeve në këtë parti, ky takim është anuluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat