Memli Krasniqi: Marsi do të kujtohet gjithmonë si muaj i sakrificës

Aktuale

Memli Krasniqi: Marsi do të kujtohet gjithmonë si muaj i sakrificës

Më: 25 mars 2022 Në ora: 19:26
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka shkruar për muajin mars të vitit 1999, në të cilin ndodhën shumë masakra në vende të ndryshme të Kosovës, nga paramilitarët serbë.

“Muaji Mars, në historinë e Kosovës, do të kujtohet përgjithmonë si muaji i sakrificës e i dhembjes, por edhe i krenarisë sonë të përbashkët. Sulmet, dëbimet, granatimet, vrasjet e masakrat që u bënë mbi popullsinë civile të Kosovës në javën e fundit të këtij muaji në vitin 1999, do të mbeten përjetësisht të paharruara në kujtesën tonë individuale e kolektive”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi tha se shumë fshatra e qytete të Kosovës u mbuluan me gjakun e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve të pafajshëm e të paarmatosur.

“Në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Celinë, Fortesë, Pastasel, Izbicë, Padalishtë, Kotlinë, Randobravë, Landovicë, Llashticë, Burim, Dumnicë të Epërme, Podujevë,  Dardhishtë, Keqekollë, Matiqan, Gjakovë, Mitrovicë, Suharekë, Mamushë, Beleg dhe lokalitete të tjera, u vranë mbi një mijë civilë shqiptarë. ‘Krimi’ i tyre i vetëm ishte që ishin shqiptarë dhe kërkonin lirinë”, u shpreh tutje deputeti në një postim në Facebook.

“Prandaj, dje, sot, nesër dhe secilën ditë tjetër që të lirë do të jetojmë në Repubikën e Kosovës, do të kujtojmë me krenari secilin që dha jetën për lirinë tonë – martirët e kësaj lirie dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbi gjakun e tyre qëndron themeli i shtetit të Kosovës.  Lavdi e nderim i përjetshëm për ta!”, përfundoi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat