​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të tretë, nesër dëshmon Hazir Borovci

Aktuale

​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të tretë, nesër dëshmon Hazir Borovci

Më: 29 mars 2022 Në ora: 11:22 Përditësuar në ora: 16:46 më 29.03.2022
Jakup Ismaili

​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të tretë, nesër në Hagë dëshmon Hazir Borovci

Dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Salih Mustafës, Jakup Ismaili e ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Para trupit gjykues ai ka thënë se është takuar me Salih Mustafën në mars dhe prill të vitit 1999. Sipas tij, ata kanë biseduar për sigurimin e medikamenteve dhe gjërave të tjera humanitare që atë kohë ishin të nevojshme për civilët shqiptar.

Në pjesën e fundit të seancës, dëshmitari ka përmendur edhe datën 20 prill të vitit 1999 kur ka thënë se nga fshati Butovc ka tentuar të hyjë në Prishtinë me Salih Mustafën për të marrë medikamente.

Ismaili: Më 24 prill kam tentuar të hyj në Prishtinë me Salih Mustafën

“Të njëjtin muaj, diku më 20 prill, përafërsisht nuk më kujtohet saktë data, ne kemi udhëtuar deri në Prishtinë dhe kemi tentuar me hy me tërheq medikamente, por prej pamundësisë jemi kthyer prapë dhe kemi blerë disa gjëra tek një person i komunitetit rom disa gjëra ushqimore, dhe jemi kthyer prapa, kjo ka zgjatë tetë orë. Kërkoj ndjesë avokatit që në moment nuk më është kujtuar për shkak se kam problem me kujtesën”, ka thënë dëshmitari.

Gjatë dëshmisë së tij, Ismaili ka thënë se me Salih Mustafën është takuar disa herë në Butovc në fundin e marsit dhe deri më 8 prill të vitit 1999.

Ndër të tjera ai ka thënë se aty kanë ndërtuar lloj bunkerësh për të ruajtur medikamentet që ishin të nevojshme për popullin. Për këtë ai ka thënë se ka qenë plan i tij dhe i Mustafës.

Ismaili: Me Salih Mustafën kemi bërë plan për ruajtjen e medikamenteve

“Tek puna fizike, në hartimin e planit të bunkerëve ka marrë pjesë edhe Salih Mustafa. Në aspektin fizik, në aspektin e ndërtimit fizik jo, këtu është dallimi. Unë e kam kuptuar në kuptimin e planit operativ për me ndërtu e jo në asketin fizik me punu punë fizike, edhe ashtu ka qenë me shëndet shumë i dobët, nuk ka pas shans me përdorë mjete të punës. Tek puna fizike nuk ka marrë pjesë, te hartimi dhe planifikimi për me i ndërtu dhe me i vendosë medikamentet aty kemi marrë pjesë unë dhe Salih Mustafa dhe është zbatuar edhe tek të tjerët, kanë marrë pjesë tani të gjithë për me ndërtu me i hapë, por në aspektin fizik nuk ka marrë pjesë”, ka thënë Ismaili.

Para trupit gjykues ai ka thënë se me Salih Mustafën ka biseduar çdo javë pas arrestimit të tij por ka shtuar se kjo nuk ka ndikuar në dëshminë e tij para gjykatës.

Ismaili ka theksuar se i ka bërë të qarta pakënaqësitë e tij lidhur me arrestimin e Mustafës.

Ismaili: Mustafa është marrë tërë jetën me humanizëm dhe tani i është ngritur aktakuzë

“Unë vet personalisht kam qenë i kyçur dhe kam bërë pyetje, çka është bërë, tërë jeta ka shkuar në aspektin human dhe me ardh me u ngritë një aktakuzë, unë kam folur hapur pakënaqësitë”, ka shtuar Ismaili.

Dëshmitari i tretë i mbrojtjes, Jakup Ismaili ka bërë të ditur se ishte pjesë e UÇK-së përmes njësisë BIA, nga qershori i vitit 1998.

Ai ka thënë se i ka raportuar mikut të tij, të ndjerit Sabit Krasniqi dhe ka shtuar se nuk ka qenë në dijeni se kush ishte struktura apo komandanti i njësisë BIA.

Ndërsa nesër para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të dëshmojë Hazir Borovci.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Image

Ismaili: Forcat policore ushtarake serbe i kanë dëbuar civilët nga Prishtina

Jakup Ismaili, dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Salih Mustafës, ka treguar para trupit gjykues në Hagë për periudhën kur është takuar më Mustafën në fundin e marsin dhe fillimin e prillit të vitit 1999. Ismaili ka thënë se me Salih Mustafën kanë biseduar rreth planeve për të furnizuar me ndihma humanitare civilët shqiptar.

Ismaili ishte pjesë e Këshillit të Emergjencave, organizatë kjo që merrej me ndihma humanitare por sipas tij me fillimin e bombardimeve këshilli ka dalë jashtë funksionit.

Ismaili i cili ka deklaruar se në UÇK ka shërbyer si pjesë e njësisë BIA, ka thënë se me fillimin e bombardimeve të NATO-s ai, bashkë me popullin civil ishte shpërngulur nga vendbanimi i tij në Prishtinë për në fshatrat përreth.

Ismaili: Forcat policore ushtarake serbe i kanë dëbuar civilët nga Prishtina

“Forcat ushtarake policore paramilitare e kanë bërë dëbimin e popullatës dhe për shkak të represionit dhe dhunës popullata u detyrua të shpërngulet nga Kosova, për në Maqedoni dhe pjesë të fshatrave të rrethinës së Prishtinës. Gjithë aktiviteti i Këshillit të Emergjencës ra poshtë, nuk ka qenë e mundshme me funksionu. Ne u detyruam, popullata bashkë me ne, gradualisht të bëjmë plane me u shpërngulë nga Prishtina. Ne aktivistët të shpërngulemi në pjesë të fshatrave, e popullata të shpërngulet në Maqedoni e fshatra të ndryshme. Ashtu u bë dëbimi, dëbimi u bë me dhunë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, largimi nga Prishtina ka ndodhur më në mes të 24 dhe 25 marsit të vitit 1999.

Ai ka thënë se ka vazhduar për në Hajvali e pastaj në fshatin Mramor ku sipas tij ka synuar të gjejë një organizim të ri për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Pas fshatit Mramor, Ismaili ka deklaruar që bashkë me Sabit Krasniqin ka shkuar në Butovc.

Aty ka thënë se është takuar me Salih Mustafën.

Sipas tij, takimi i parë ka qenë në fund të muajit mars por që nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejt me të.

Ismaili: Takimin e parë me Salih Mustafën e kam pasur në Butovc në fund të marsit 1999

“Takimi i parë (me Mustafën) ka ndodhur në Butovc, jo të shtëpia e Mutafë Sopit, ka ndodhur të familjari i Sabit Krasniqit, ka qenë mjek. Unë personalisht aty nuk kam pasur kontakt direkt personal ,por udhëzimet për me shku të këshilli i emergjencës dhe ku janë të vendosur personat Këshillit të Emergjencës të Mustafë Sopi në Butovc janë marrë nga Salih Mustafa. Unë direkt nuk kam pasur kontakt në atë moment, por ka qenë aty”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij nga Mustafa kanë marrë udhëzime për takimin me këshillin tjetër të emergjencave që ndodhej në pjesën tjetër të Butovcit në shtëpinë e Mustafë Sopit.

Dëshmitari ka thënë se në atë shtëpi janë organizuar rreth planit strategjik për të ndihmuar civilët.

Ismaili: Me Salih Mustafën jam takuar disa herën ë fillim të prillit 1999

“Pas këtij takimi kanë qenë takime të tjera, mandej kur kemi shkuar jemi stabilizuar të shtëpia e Mustafë Sopit, kemi filluar me bë organizimin për ndihma humanitare dhe kemi filluar me vepru konkretisht për ndihma humanitare për popullatën e zhvendosur, mandej aty ka ardhur të Mustafë Sopi dhe unë nuk kam qenë aty prezent. Unë kam qenë me një pikë ku është dashur të jem i pozicionuar, për shkak se forcat serbe ishin shumë afër dhe ishte një pikë shumë strategjike dhe është dashur të jem aty për me përcjellë situatën se kishim frikë që në momente të caktuara do të ketë ndonjë ofensivë”, ka thënë ai.

Ismaili ka thënë se ishte pozicionuar në një rrugë e cila frekuentohej nga forcat serbe dhe se kishte për detyrë të mbante të informuar pjesën tjetër të grupit.

Ismaili: Me Salih Mustafën kemi biseduar vetëm për ndihma humanitare

“Salih Mustafa në atë takim ku ne kemi qëndruar, ne kemi pasur biseda vetëm për plane strategjike, si me vepru dhe si me hy në Prishtinë me furnizu popullatën civile me armatim, me barna dhe furnizime të tjera”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe e ka takuar Salih Mustafën disa herë, e sipas tij bëhet fjalë për javën e parë të prillit të vitit 1999.

Ismaili: Salih Mustafën e kam takuar disa herë në fillim të prillit 1999

“Ka qenë fillimi i prillit, 7-8, fillimi i prillit ka qenë takim formal që unë nuk kam marrë pjesë, takimin e dytë ka shkuar 7-8 ditë, planet për me hy në Prishtinë, planet operative si me i tërheq barnat ka qenë diku përafërsisht mbas 7-8 dite, ka qenë fillimi i prillit”, ka thënë Ismaili.

Duke ju përgjigjur avokatit mbrojtës, Ismaili e ka përshkruar Salih Mustafën me një veshje jo të veçantë, jelek gjuetie dhe rroba të tjera civile.

Ai ka thënë se nuk ka dalluar ndonjë emblemë në rrobat e tij.

Jakup Ismaili është dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës, i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

​Fillon dëshminë dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Mustafës në Hagë

Jakup Ismaili është dëshmitari i tretë i mbrojtjes së ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ai po përgjigjet në pyetjet e avokatit të Mustafës, Julius Von Bone rreth aktivitetit të tij në vitin 1999 në Kosovë.

Ismaili ka thënë se në vitin 1999 është marrë me çështje që lidhen me ndihma humanitare duke theksuar Këshillin Komunal të Emergjencave.

Ismaili: Këshilli Komunal i emergjencave është themeluar për të ndihmuar popullin e shpërngulur nga rajone të ndryshme të Kosovës

“Në Prishtinë kanë qenë të zhvendosur popullata e cila është shpërngulë në rajone të tjera të luftës, siç ka qenë rajoni i Drenicës, Dukagjinit dhe rajoneve të tjera, ka qenë domosdoshmëri me formu një këshill të emergjencave për me ndihmu atë popullatë. Popullata strehohej nëpër familje tona së pari mandej edhe nëpër familje nëpër fshatra, në përgjithësi në Prishtinë dhe rrethinë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtjes.

Ai ka thënë se këshilli është furnizuar nga njerëzit bamirës, nga qeveria e përkohshme dhe organizatat si Nënë Tereza dhe Kryqi i Kuq.

Ismaili: Këshilli Komunal i emergjencave ka shpërndarë ndihma për civilët

“Këshilli komunal i emergjencave është themeluar nga këshilli republikan, qeveria e përkohshme që ka qenë në ekzil i ka dërguar mjetet dhe e ka financuar, përveç ndihmave nga bamirësit. Janë blerë të gjitha produktet e nevojshme dhe kanë filluar me u shpërnda”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se selia e këtij këshilli ishte e vendosur në një shtëpi private në lagjen Velania në Prishtinë dhe se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë në strukturat organizative të këtij këshilli.

Ismaili: LDK ishte e përfshirë në strukturat organizative të Këshillit të Emergjencave

“LDK ishte e përfshirë në strukturat organizative të Këshillit të Emergjencës shumica e aktivistëve të cilët kanë ekzistuar edhe më herët kanë qenë të përfshirë, për me mujt me përfshi terrenin nëpër gjithë Kosovën”, ka thënë Ismaili.

Duke folur për rolin e tij në atë kohë, Ismaili ka thënë se vet ka qenë aktiv në shpërndarjen e ndihmave.

Jakup Ismaili është dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës, i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Jakup Ismaili, dëshmitari i tretë që do të flas gjatë seancës së sotme

Ka filluar seanca e së martës në gjykimin ndaj Salih Mustafës, gjatë së cilës pritet të dëgjohet dëshmitari i tretë i mbrojtjes, Jakup Ismaili.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat