Rizvanolli: Ka rritje të të hyrave në thuajse të gjitha ndërmarrjet publike

Aktuale

Rizvanolli: Ka rritje të të hyrave në thuajse të gjitha ndërmarrjet publike

Më: 30 mars 2022 Në ora: 21:32
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se gjatë këtij viti të udhëheqjes së Qeverisë Kurti performanca e ndërmarrjeve publike në vend është përmirësuar dukshëm.

“Sa i përket rritjes së prodhimit, Trepça është një shembull. Do të fokusohem tek ndërmarrjet e mëdha ku diferenca në të vërtetë e bën dallimin për krejt sektorin. Në Trepçë kemi pasur rritje të prodhimit për mbi 30 për qind, nga 180 në 250 ton xehe. Vitin paraprak, pra vitin 2021, Trepça  e ka kaluar me humbje prej minus 4.7 milionë euro, ndërsa sivjet me 2 milionë euro. Janë zvogëluar borxhet e akumuluara nga 12 milionë në 4 milionë euro. Është hapur terminali doganor dhe të tjera”.

Rizvanolli, shtoi se thuajse të gjitha ndërmarrjet publike që i monitoron kjo ministri kanë pasur rritje të të hyrave gjatë vitit të fundit.

“Në Telekom kemi pasur gjithashtu një trend të rënies së të hyrave ndër vite me radhë, tash jo vetëm që është ndalur trendi i uljes, por ka pasur edhe rritje të të hyrave dhe pothuajse në të gjitha, me përjashtim të një apo dy nga 17 ndërmarrje publike që i monitorojmë, ka pasur përmirësim të performancës në kuptim të uljes së shpenzimeve operative ose rritjes së të hyrave, ose rritjes së prodhimit”.

Duke folur për transparencën, Rizvanolli tha se ministria që ajo drejton i publikon të gjitha vendimet në ueb faqe, ndërsa për paraqitjen e rrallë në media tha se janë shumë të zënë me punë.

“Sa i përket transparencës, unë fola për publikimin e vendimeve, po sigurisht kjo është një mënyrë. Mënyra tjetër se si ne komunikojmë me publikun është që jemi të rregullt në kthimin e përgjigjeve në të gjitha pyetjet e gazetarëve, si dhe përmes mediave sociale dhe përmes ueb faqes së ministrisë i publikojmë vendimet tona”.

“Si qeveri kemi shumë kritika që jemi pak prezent në media, ministrat dhe kryeministri, është shumë e saktë, kjo është edhe një arsye përse shumë punë të bëra nuk dihen ndoshta nga publiku. Për mua është një ‘trade off’ në mes të të qenit në një intervistë dhe të kryerjes së ndonjë pune, unë prej natyrës jam një person i tillë që gjithnjë më shumë fokusohem për të përfunduar ndonjë punë dhe mendoj po e përfundoj edhe këtë edhe atë tjetrën para se të dal në media. Gjithmonë ka hapësirë më shumë për të qenë në studio dhe në media por ajo që po them është se arsyeja përse unë dhe koleget e mi nuk jemi në media është se jemi duke punuar prapa diku në zyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat