Shala kritikon Kurtin për çështjen e verifikimit të listave të veteranëve: E di ai se kush ka qenë UÇK

Aktuale

Shala kritikon Kurtin për çështjen e verifikimit të listave të veteranëve: E di ai se kush ka qenë UÇK

Më: 8 prill 2022 Në ora: 00:29
Ferat Shala

Deputeti i PDK’së, Ferat Shala ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili foli së fundi për mundësinë e verifikimit të listave të veteranëve. Kohë më parë, i pari i ekzekutivit kishte deklaruar se s’mund të kenë qenë më shumë se 20 mijë luftëtarë të UÇK’së.

Rihapja e kësaj teme, sipas Shalës, do të duhej bërë mbi disa parime, pavarësisht se sipas tij, s’janë rrethanat për një gjë të tillë.

“Sot në këto rrethana çfarë jemi si shoqëri, sot në këto rrethana që jemi si ekonomi e vendit, si politikë e vendit, si zhvillim shoqëror, si diplomaci që kemi si Kosovë, me rrethanat globale është gjynah në kuptimin fetar, është gjynah me u hap ajo temë”, tha Shala.

Tha se Kurti po e tenton hapjen e kësaj çështje, për shkak se ndodhet në krizë.

“Këto zakonisht bëhen në situata krize kur subjekte të caktuara nuk kanë zgjidhje, nuk kanë alternativë, nuk kanë kauzë për atë çka janë të thirrur, dhe normal që dëshirojnë të devijojnë, dëshirojnë të manipulojnë, dëshirojnë të ngrisin kauza të panevojshme, të paqena duke u kthyer prapë për të sulmuar vlerën, duke sulmuar pjesën më substanciale më vitale, të kësaj shoqërie, të këtij shteti, të kësaj lindje të natyrshme, pra lindjen dhe rritjen e shtetit të UÇK’së, lindjen e shtetit të Kosovës dhe sot në këtë kohë kur krejt globi merret me diçka tjetër, këtë kohë kur ne kemi më shumë se gjithçka tjetër për zhvillim ekonomik, për punësim, për arsim, për shëndetësi, për diplomaci se jemi vend i izoluar praktikisht, tash po shihet në Europë dhe në botë, na kthehet tema e UÇK’së, na kthehet lufta e brendshme, kush ka qenë e kush s’ka qenë UÇK”, shtoi Shala.

“E di mirë kryeministri, edhe kush ka qenë dhe sa kanë qenë UÇK. E di mirë kryeministri se sot nuk është temë kjo, sot nuk duhet kthyer kjo. Por edhe nëse duhet bërë këtë, duhet bërë mbi bazën e një etike, e një morali. Pse s’fillon nga vetja?’, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat