Surroi: Lufta në Ukrainë e shfaqi realisht Ballkanin Perëndimor si mjedis natyror të euro-atlantizmit

Aktuale

Surroi: Lufta në Ukrainë e shfaqi realisht Ballkanin Perëndimor si mjedis natyror të euro-atlantizmit

Më: 8 prill 2022 Në ora: 18:12
Veton Surroi

Publicisti dhe studiuesi i njohur nga Kosova, Veton Surroi, tha sot se lufta në Ukrainë pritet të ndikojë ndjeshëm për integrimet euro-atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse ky rajon u njëjtësua më qartë tani si një mjedis natyral i euro - atlantizmit.

Ai i bëri këto komente në Forumin e Politikës së Jashtme të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare “Sulmi rus mbi Ukrainën: Ndikimet për Ballkanin Perëndimor”.

Zoti Surroi pohoi se sulmi rus mbi Ukrainën po prish balancat mes Europës dhe Rusisë, se kjo është njëkohësisht luftë mes Rusisë dhe NATO-s dhe se kufiri i ri mes Europës dhe Azisë do të jetë kufiri euro-atlantik.

Zhvillimet e fundit, sipas zotit Surroi, e dëshmuan Ballkanin Perëndimor si mjedis natyror i euro-atlantizmit, ndaj edhe tani e tutje përfshirja në BE e vendeve të këtij rajoni do të jetë më e lehtë, edhe njohja e Kosovës nga 5 vende të BE-së dhe 4 të NATO-s mund të ndodhë më shpejt, që të frenohen përdorimi i kësaj teme nga Rusia në rajon dhe t’i jepet fund idesë së shtete të papërfunduara.

“Një njeri i ulur në Kremlin si zoti Putin e sheh Ballkanin Perëndimor si pikën më të dobët të Europës Perëndimore, sepse kemi të bëjmë me një territor, i cili ende nuk është integruar brenda kësaj tërësie europiane dhe mund të prishë idetë e tërësisë. Rusi e ka provuar pëgjatë viteve Ballkanin Perëndimor si një poligon për testimin e politikave të veta” - tha zoti Surroi.

Analisti Surroi theksoi se sulmi rus mbi Ukrainën riktheu lidershipin amerikan në arenën botërore, solli një kohezion europian, një kohezion të ri në NATO-s dhe mundësi të reja anëtarësimi nga Europa veriore, e ndoshta një valë zgjerimi të NATO-s.

Ai shtoi se dukshëm ekziston rreziku që revizionizmi rus të gjejë terren të përshtatshëm në revizionizmin serb, ndërkohë që Ballkani Perëndimor mbetet i përfshirë nga traumat e luftërave të papërfunduara mes Serbisë dhe fqinjëve të saj.

“Nga e tërë kjo lëvizje “tektonike” ushtarake e politike rrezikojmë të kemi Serbinë si një enklavë euro-aziatike në Ballkanin Perëndimor. Ky është për mua rreziku më i madh, sepse aspiratat e gjithë popujve të tjerë janë tek integrimi euro-atlantik, por jo edhe të Serbisë. Në Serbi ende ekziston ideja se mund të jetohet edhe me Rusinë, ose ndoshta edhe më shumë me Rusinë, ose me përfaqësim të interesave të Rusisë në një rajon, i cili është Perëndim” - thotë zoti Surroi.

Studiuesi i njohur nga Kosova thotë se Rusia provokoi ngjarje që synojnë pasiguri energjitike, pasiguri ushqimore e financiare dhe pasiguri të ndërhyrjeve ushtarake.

Zoti Surroi tha se Rusia është përpjekur të ndikojë që edhe shtete që tashmë kanë hyrë në NATO si Mali i ZI, të trazohen nga grindje të luftës identitare, po ashtu është përpjekur të ndikojë që Bosnja dhe Kosova të mos funksionojnë si njësi shtetërore në gjithë territorin e tyre.

“Rusia ka patur një interes të përhershëm që veriu i Kosovës të mos integrohet në Kosovë. Me shumë pak investim logjistik, ndihmë Serbisë me veto në Këshillin e Sigurimit ka ndikuar që Bosnje-Hercegovina, Kosova të mbeten konflikte të papërfunduar dhe shtete të papërfunduara, e këto i përdor si analogji të shteteve pranë saj, për të justifikuar veprimet e veta atje” - tha zoti Surroi.

Lufta në Ukrainë është e pakthyeshme në status quo, theksoi zoti Surroi. Zhvillimet mund ta çojnë Rusinë shumë më thellë në Euro-Azi, shtoi ai, dhe kjo mund të sjellë një ndikim më të madh të Kinës në bashkësinë euro-aziatike.

Studiuesi nga Kosova tha se Rusia mund të shkojë drejt Kinës më lehtë se sa drejt Europës dhe në tërësi fundi i luftës në Ukrainë pritet të ketë ndikim të njëjtë ose më të madh se sa rënia e Murit të Berlinit, sepse nuk do të sjellë vetëm ripërcaktim i kufijve, por edhe shumë raporteve të tjera mes kombeve dhe aleancave./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat