​Mbrojtja e Shalës synon që dosjen paraprake ta dorëzojë nga mesi i shtatorit

Aktuale

​Mbrojtja e Shalës synon që dosjen paraprake ta dorëzojë nga mesi i shtatorit

Më: 14 prill 2022 Në ora: 10:18 Përditësuar në ora: 13:48 më 14.04.2022
Pjetër Shala

​Mbrojtja e Shalës synon që dosjen paraprake ta dorëzojë nga mesi i shtatorit

Në konferencën e shtatë mbi ecurinë e çështjes, avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen ka thënë se mendon që nga mesi i shtatorit do të jenë në gjendje të dorëzojnë dosjen paraprake.

Pas një pauze, avokati Jean-Louis Gilissen,ka deklaruar se është i çuditur me trysninë që po ushtrohet mbi ta sa i përket kalendarit, e po ashtu edhe dorëzimit të dosjes paraprake të mbrojtjes.

“Dosja kundër zotit Shala ka filluar para disa viteve. Gjatë gjithë këtyre viteve, ZPS ka pasur mundësi të përgatis çështjen e saj, kjo është normale. Ne merremi tani me këtë çështje prej më shumë se 1 viti, 1 viti i gjysmë dhe jam i çuditur dhe zhgënjyer që ju mendoni se nuk po punojmë me ritmet e duhura. Kjo nuk është e vërtetë”, tha ai.

Tutje, tha se përballen me një numër vështirësish, së pari lidhur me nxjerrjen e materialeve nga ana e ZPS.

“Kanë pasur vështirësi dhe nuk kanë përfunduar nxjerrjen e tërë materialeve, për më tepër prokurori kërkon të shtojë dëshmitarë të ri dhe më duket sikur ju tërë trysninë po e ushtroni mbi palën tonë”, tha ai.

Sa i përket hetimeve, ai tha se gjykata e di sa e vështirë është organizimi në terren i ekipeve që të merren me çështjen e hetimeve.

“I kemi filluar hetimet, ishim në Kosovë para dy jave, ishte vizitë e frytshme dhe gjetëm një numër çështjes të çuditshme, por sikur lexoheshin informacionet e siguruara nga ZPS, krijuam ndjesi jo të mirë kundrejt disa dëshmitarëve dhe elementeve. Në terren takuam një numër njerëzish, ishim te fabrika e famshme e Kukësit dhe zbuluam gjëra interesante dhe prandaj deshëm të vijojmë hetimet edhe gjatë kohës së gjyqit”, tha ai.

Tutje, tha se ka më se 20 vite nga koha e fakteve të pretenduara dhe kjo krijon vështirësi, disa njerëz kanë ndërruar jetë, disa nga dëshmitarët e akuzës kanë vdekur.

“E njëjta gjë vlen edhe për palën mbrojtëse. Ne kur vizitojmë OVL, Qeverinë, ish- pjesëtarët e UÇK, jemi detyruar të bisedojmë me ta, ata nuk janë në gjendje të sigurojnë dokumentacione që kanë ekzistuar dikur, por nuk ekzistojnë më, për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar. Ju mendoni që ne brenda një viti të mund të hartojmë dosjen paraprake”, tha ai.

I njëjti shtoi se sapo kanë marrë dosjen paraprake të ZPS-së, vetëm para disa ditëve dhe sipas tij, është problem i disiplinës në këtë çështje dhe nuk kanë gjë për të fshehur këtu.

“Ne po hetojmë disa çështje shumë çuditëse. Dëshmitarët të rëndësishëm kanë ndryshuar shpeshherë deklaratat e tyre dhe jemi të çuditur se si hetuesit nuk i kanë pyetur se përse e keni ndryshuar deklaratat kaq shpesh”, tha tutje ai.

Ai tha se gjërat kanë ndryshuar për një dëshmitar, e po ashtu edhe deklaratat e tij dhe është një problem shumë i madh.

“Si të marrim qëndrim lidhur me pranueshmërinë apo për një kaq të rëndësishme si dosja paraprake në momentin kur prokuroria ende nuk ka dorëzuar informacionin që ka në dispozicion dhe unë mendoj se ky është një qëndrim jo realist. Kur të na jepet gjithë ky dokumentacion, këto deklarata, këto elemente që prokuroria me të drejtë do t’i përdor gjatë gjyqit dakord”, tha ai.

Sipas avokatit, problemi nuk është që thjesht duhet t’ua japin, por duhet të kenë kohën për t’i lexuar e analizuar, andaj shtoi se punojnë me ritme mjaft të larta.

Jean-Louis Gilissen tha se është gabim të imagjinohet se ata do të mund të realizojnë punën e tyre pa u përballur me vështirësitë, me të cilat janë përballur palët mbrojtëse dhe gjykatësit në rastet e tjera penale.

“Ne punojmë me ritme mjaft të larta. Kjo nuk është çështja që duam të fitojmë, nuk është fare kjo çështje, nuk kemi nevojë për këtë. Kur prokurori t’i ketë nxjerrë të gjitha dokumentet dhe po i drejtohem atij nuk ka nevojë për shumë kohë. Jemi në fund të procesit sipas mendimit tim, dua të kemi mundësinë të kemi rezultatin e ekspertizës mjeko-ligjore, mundësinë për të hedhur hapat e fundit hetues.  Kjo nuk është çështje muajsh. Duhet të kuptojnë të gjithë dokumentet duhen lexuar dhe rilexuar”, tha ai tutje.

Sipas tij, këtu bëhet fjalë për krime lufte dhe jo për shitje droge në rrugë dhe përballen me vështirësi të mëdha kur e dinë që Shala nuk ka qenë në Kosovë për shumë kohë.

“Duam të dimë si ka qenë situata e Shalës kur ka qenë në Kosovë më 1999. E vështirë, nuk po përmend njerëzit që kemi takuar, por dëshmitarët e prokurorisë ata të gjithë bëjnë deklarata të ndryshme në mënyra të ndryshme”, tha avokati i Shalës.

Ai shtoi se do të ishte gabim të kalonin në gjyq në këtë moment kohor dhe kanë nevojë për më shumë kohë dhe realiste do të ishte të vazhdonin të punonin gjatë majit, qershorit, korrikut dhe gushtit.

“Nuk kam asnjë synim të kërkoj për shtyrje të këtij afati. Varet nga materiali që do të marrim nga ZPS, por më lejoni se siç e kam thënë edhe më parë, jemi në fund të këtij procesi. Nëse nuk bëj ndonjë gabim, do të urreja të bëja ndonjë gabim, do të thoja që arrijmë që dokumentin që kundërshton pranueshmërinë e provave ta dorëzojmë nga fillimi i shtatorit”, tha ai.

Avokati tha se mendon që nga mesi i shtatorit do të jenë në gjendje të dorëzojnë dosjen paraprake dhe se kjo i duket e arsyeshme.

Kurse, prokurori Felipe Deminiqes, deklaroi se shumicën e dokumenteve të çështjes së tyre i kanë nxjerrë para përfundimit të verës së 2021.

“Disa hetime për shembull një vizitë në këtë fabrikën e metalit mund të ishte më përpara. Ndryshimet e pretenduara të deklaratave të dëshmitarëve kanë qenë të njohura për palën mbrojtëse prej një kohe mjaft të gjatë. Hetimet shtesë që ZPS është detyruar të bëjë kohën e fundit dhe siç e kemi shpjeguar në parashtrimet tona kanë ndodhur për shkak të ngjarjeve të paparashikuara nuk i ndryshojnë çështjet tona, nuk shtohet fakte të reja, nuk ka ndryshuar çështja e ZPS”, tha ai.

Sa i përket, njoftimit të rregullit 102 (3), ai tha se nuk është çështje e diskutueshme pasi i përmbushin detyrimet e tyre në këtë kontest.

Ndërkaq, tha se kuptojnë nevojën që mbrojtja të analizojë të gjitha provat në çështjen e tyre, por se kjo mund të bëhet edhe gjatë gjyqit, ku ka procedura për të kundërshtuar materialet.

“Kur zoti Gilissen përshkruan vështirësitë me të cilat po ballafaqohen, janë vështirësi që përballen të gjithë që përgatisin një gjyq për ngjarje të para 23 vitesh, është një punë që bëhet në të gjitha çështjet për krime lufte”, tha prokurori.

Sipas tij, nuk e kundërshtojnë një shtyrje të arsyeshme të afatit që kërkon mbrojtja me qëllim që të paraqes çështjen e saj në mënyrë të duhur.

Nga mbrojtja u tha se dosja paraprake ka një dyzinë emrash dhe hollësisht në to, ku ka njerëz që nuk janë dëshmitarë të listës apo viktima dhe nuk ka prova e duhet hetuar.

“Nuk duhet të kufizojmë veten në dëshmitarët e paraqitur nga ZPS, duhet të analizojmë pse një person është përmendur në dosjen paraprake dhe nuk është intervistuar e s’do të vijë si dëshmitar”, tha mbrojtja.

Më pas, prokurori tha se edhe njëherë po thonë që nuk kundërshtojnë një shtyrje të arsyeshme të afatit, por emrat e dosjes paraprake nuk kanë ardhë nga asgjëja dhe ishin pjesë e materialeve që janë nxjerrë para dorëzimit të dosjes paraprake.

ZPS e mbrojtja diskutojnë për nxjerrjen e provave, përkthimet e hetimet në rastin e Pjetër Shalës

Në konferencën e shtatë mbi ecurinë e çështjes, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtja e të akuzuarit për krime lufte, Pjetër Shala, kanë diskutuar për nxjerrjen e provave, përkthimet e hetimet.

Lidhur me nxjerrjen e disa materialeve të rregullës 102 (1) (b) që është materiali që ZPS dëshiron të paraqes gjatë gjykimit, prokurori Filipe Deminiqes ka deklaruar se kanë ndërmarrë hapat e parë dhe kanë siguruar miratimin e palëve të interesuara dhe kanë filluar përgatitjen e mocionit që besojnë se do ta dorëzojnë brenda javës së ardhshme.

“Kjo do të varet nga koha që do të kërkoj pala e tretë për të na kthyer përgjigje. Pra, do të ndikoj në mundësinë tonë për të nxjerrë këto deklarata shtesë siç e kemi thënë edhe në parashtrimet tona me shkrim. Mund të ju siguroj që materiali është i kufizuar edhe nga pikëpamja sasiore edhe cilësore. Ka të bëj vetëm me një dëshmitar dhe është e kufizuar nga fushë përfshirja kështu që nuk parashikojmë që do të ketë nevojë për ndonjë vonesë që mund të shqetësoj juve i nderuar gjykatës apo palën mbrojtëse”, tha ai.

Ndërkaq, sa i përket rubrikave të dëshmitarëve, ai tha se kanë plotësuar 10 nga 15 entitete të tilla, dhe këtë tha se do ta përfundojnë para fillimit të gjyqit.

Ai konfirmoi se nuk do të mbeten materiale nga kjo rregull që do të mbeten pa nxjerrë.

Sipas prokurorit Deminiqes, përveç disa materialeve që i përmendi që sipas tij i ka kërkuar mbrojtja, nuk ka materiale të tjera që mbeten pa i nxjerrë sipas kësaj rregulle.

Në anën tjetër, avokati Jean-Louis Gilissen ka deklaruar se sa i përket këtyre materialeve, nuk ka gjë për të shtuar përveç se kanë një kërkesë për të shtuar katër dëshmitarë si pjesë të provave.

“Kolegu im e kupton shumë mirë këtë çështje, kjo është gjëja e vetme që doja të thoja, ne kemi kërkuar 580 materiale nga ZPS, të cilat janë në bazë të rregullës 102 (3)”, tha tutje ai, ndërkaq gjykatësi Nicolas Guillou i tha se këtë çështje do ta diskutojnë në pikën tjetër të rendit të tij.

Tutje, lidhur me materialin e rregullës 102 (3), prokurori Deminiqes, ka thënë se do të paraqesin mocionet për masat mbrojtëse brenda datës 6 maj siç është kërkuar.

Lidhur me rëndësinë materiale të dokumenteve që kërkon brenda, tha se do të bëjnë të pamundurën që ta bëjnë këtë brenda datës 6 maj nëse do të kundërshtojnë rëndësinë materiale të dokumenteve të kërkuara.

“Sa i përket kërkesës për hamendimin e njoftimit të rregullës 102 (3) dhe tre kategoritë e identifikuara nga ju, do të fokusohem në kategorinë 2 që keni kërkuar informacion. Janë dokumente që nuk kanë vlerë prove, ne e kuptojmë që duhet të ishin në listën origjinale, tërësia e dosjes është shumë e madhe e kemi rishikuar dhe pas kërkesave që kemi marrë nga mbrojtja pas konferencës në janar në mënyrë që të kemi gjithë dosjen, kemi bërë analiza të mëtejshme dhe prandaj kanë dal këto dokumente që kemi përfshirë tani”, tha ai.

Tutje, deklaroi se sa i përket kërkesës gojore që kanë thënë që do të bëjnë, ai tha se po e bën këtë mocion tani për të shtuar materialin TFHS0014574 deri në 0014576.

“Është material që është zbuluar gjatë analizimit të dokumentacionit të çështjes pasi kishte patur një përsëritje të çështjeve të materialeve të kësaj çështje me brenda disa dokumenteve. Kemi përfunduar këtë analizë, dosja ishte e gjerësishme dhe jemi të bindur se të gjitha dokumentet ose janë nxjerrë dhe mbetet vetëm ky dokument. Është procesverbal me tre faqe, ku i akuzuari ka ushtruar të drejtën për të mos folur”, tha ai.

Ndërkaq, tha se nëse pala mbrojtëse kërkon mund t’ia dorëzojnë këtë dokument.

Në anën tjetër, avokati i Shalës tha se kanë kërkuar tua jepnin 587 materiale, ku disa ua kanë dhënë gjatë ditës së djeshme dhe nuk i kanë marrë gjithë dokumentet.

“Pikat e tjera më duket që po ecin në rrugën e duhur. Unë sa i përket kësaj çështje mund të them që ne jemi dakord që së bashku me ZPS t’i ndajmë të gjitha materialet që kanë të bëjnë me përkthimin që ka mbetur, dokumentet që kanë mbetur dhe nëse ka probleme që kanë lindur procedura do të ndihmoj të zgjidhim këtë së bashku me panelin dhe ky është avantazh që na siguron ruajtjen e kohës”, tha ai.

Tutje, avokati tha se tani janë në gjendje të deklarojnë se do të kundërshtojnë pranueshmërinë e disa materiale që janë nxjerrë në  bazë të rregullës 102 të rregullores.

“Mbrojtja nuk është absolutisht të bëj deri para datës 22 prill 2022, duhet të përcaktojmë të gjitha dokumentet për të cilat do të ngrejmë kundërshtim lidhur me pranueshmërinë. Kjo është një punë mjaft e madhe dhe po punojmë në lidhje me dokumentet që tashmë na janë dhënë. Këto dokumente që i përmenda, për mendimin tim, kërkojnë një detyrë mjaft delikate dhe vëmendje të plotë”, tha ai tutje.

Sipas avokatit të Shalës, çështja në lidhje me të mbrojturin e tij nuk është aq voluminoze dhe nuk është më e rënda në krahasim me tjerat, me të cilat gjykata po merret dhe ky dallim mund të jetë edhe thelbi i vështirësive që Dhoma ka hasur në disa raste.

“Edhe pse akuzat kundër zotit Shala janë mjaft të rënda, pyetja që ngrehet është natyra e punës që duhet të bëhet, ajo është e njëjta sikur edhe me çështjet e tjera, do të thotë që ne jemi të zënë me përpunimin e informacionit të shumtë që është nxjerrë deri tani. Nxjerrja me materialeve ka qenë një proces që nuk ka shkuar pa vështirësi”, tha ai.

Tutje, tha se janë nxjerr disa befasi që lidhen edhe me problemin e papranueshmërisë dhe sipas tij ndonjëherë lajmet dhe mediat nxjerrin një informacion shumë interesant që i bën ato të bëhen temë e diskutimit për pranueshmërinë.

“Të komplotit kundër zotit Dick Marty që është autor i një raporti në lidhje me formimin e DhSK. Ky komplot raportohet se është përgatitur nga zbulimi serb me synimin e fabrikimit dhe falsifikimit të disa të ashtuquajturave prova dhe për këtë t’ia hedhin fajin udhëheqësve kosovare shqiptarë. Ky është një informacion, por kjo pasqyron në fakt disa pyetje që mund të dalin edhe në çështjen e zotit Shala. Do të thotë fabrikim apo falsifikim i mundshëm i informacionit dhe materialeve provave me synimin e implikimit të disa individëve në kryerjen e disa krimeve”, tha ai.

Tutje, ai tha se kanë qenë në terren në Kosovë dhe kishin synimin të kuptojnë disa gjëra më mirë, t’i dëgjojnë e shohin më mirë.

“Unë nuk them se do të ketë ndonjë problem, por mund të ndodh që të ngritet problemi i pranueshmërisë së disa elementeve, të disa provave. Në këto kushte, të gjitha këto shpjegohen dhe justifikojnë dhe se në këto rrethana dhe pa pas nevojë që të përsëriten apo të lexohen të gjitha dokumentet, ne nuk mund të zotohemi për një datë të caktuar për përpunimin e kundërshtimit në lidhje me pranueshmërinë e disa materiale të nxjerra në bazë të rregullës 102”, tha ai.

Sipas tij, nëse kërkohet një deklaratë e thjeshtë dhe drejtpërdrejt që nëse synojnë të kundërshtojnë pranueshmërinë e disa dokumenteve, ai bëri të ditur se do të kundërshtojnë disa prova të nxjerra nga ZPS.

“Nëse kërkoni një shpjegim më të hollësishëm për kundërshtimet tona në të ardhmen dhe secilin dokument veç e veç pritni prej nesh të ju drejtohemi me parashtrime pasi të ketë përfunduar ZPS me detyrimet e veta të nxjerrjes”, tha ai.

Kurse, lidhur me materialin nga rregulla 103, prokurori Deminiqes, konfirmoi se të gjitha i janë nxjerrë mbrojtjes. Ndërkaq, nga ekipi i mbrojtjes, u konfirmua po ashtu ajo çka e deklaroi prokurori.

Sa i përket përkthimeve të parashtrimeve dhe provave materiale, nga prokuroria u tha se kanë marrë dhe në mëngjes do të nxjerrin gjashtë dokumenteve përkthimesh dhe transkriptimesh të dokumenteve që i kanë kërkuar mbrojtja.

Sipas tij, dje kanë marrë një email, ku mbrojtja ka bërë një përmbledhje të cështjeve që i konsiderojnë më të ngutshme dhe do të bëjnë çmos t’i dorëzojnë përkthimet e mbetura sa më shpejtë të jetë e mundur.

Kurse, nga mbrojtja u tha se kanë në dispozicion tre burime për përkthim, të zyrës administrative, prokurorisë dhe burimeve të tyre.

“Kam plot kënaqësi të deklaroj se nuk kemi kurrfarë problemesh me përkthimin dhe dua të falënderoj zyrën administrative dhe ZPS-në për këtë”, tha mbrojtja.

Gjatë kësaj konference u diskutua për hapat hetimor të mbetur të ZPS-së.

Prokurori Deminiqes deklaroi se mund të konfirmoj që krejt çka kanë për të thënë lidhur me këtë e kanë përfshirë në parashtrimet me kusht. E më pas, u kërkua të kalohet në seancë të mbyllur përkohësisht, çka edhe u realizua nga gjykata.

Kurse, më pas, mbrojtja tha se nuk kanë për të ngritur asnjë pikë tjetër dhe ato që patën për t’i bërë i kanë bërë në seancë private, e po ashtu tha se të gjitha kërkesat do t’i përgjigjen me shkrim.

Pas një pauze 30 minutëshe, më pas do të diskutohet edhe për hetimet e mbrojtjes.

Konferencë për ecurinë e çështjes së Pjetër Shalës

Ka nisur konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes, në rastin ku Pjetër Shala po akuzohet për krime lufte.

Sot mbahet konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin e Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot do të mbahet konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes, në rastin ku Pjetër Shala po akuzohet për krime lufte.

Në urdhrin e gjykatësit paraprak, Nicolas Guillou, me anë të së cilit u caktua kjo konferencë, thuhet se palët do të diskutojnë për zbulimin e provave, përkthimet, hetimet e prokurorisë dhe mbrojtjes, si dhe pikat e pajtimit për çështje ligji dhe faktesh.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat