​Ministri Murati bisedon me MCC-në mbi Programin Kompakt

Aktuale

​Ministri Murati bisedon me MCC-në mbi Programin Kompakt

Më: 19 prill 2022 Në ora: 21:34
Foto nga takimi

Ministri i Financave, Hekuran Murati është takuar në Uashington me kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice P. Albright me të cilën ka diskutuar mbi Programin Kompakt që parasheh investime mbi 200 milionë dollarë në fushën e energjisë në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova është falënderuese për mbështetjen e vazhdueshme nga populli amerikan.

“Jemi partnerë, por edhe miq. Me këto fjalë e përmbyllëm takimin me Albright, mike e madhe e vendit tonë”, ka shkruar Murati.

Qeveria e Kosovës më 23 mars miratoi nismën për negocimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit të Programit Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.

Programi Kompakt do të jetë në vlerë prej 234 milionë dollarëve dhe do të përfshijë dy projekte rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 MWh) dhe zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe shpenzimit. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë.

Bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës apo të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Projekt i dytë përfshinë dy aktivitete: zhvillimi i fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC dhe fuqia punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë, do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë; bursat për studime universitare në fushën e energjisë të dedikuara për gra, mbështetje e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji, rritja e ndërmarrësisë së grave dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat