Shënohet Dita e Tokës, ministri Aliu kërkon vetëdijesim për ta ruajtur ambientin

Aktuale

Shënohet Dita e Tokës, ministri Aliu kërkon vetëdijesim për ta ruajtur ambientin

Më: 22 prill 2022 Në ora: 13:01
Foto nga vendi i ngjarjes

Me rastin e 22 Prillit, “Ditës Ndërkombëtare të Tokës”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëorganizim me MASHT-in, UNDP-në, OJQ- të: Ecokos Women, Pamkos dhe shoqërinë civile shënuan disa aktivitete në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Disa nxënës të shkollave të Prishtinës, Lipjanit dhe Fushë Kosovës kanë mbjellë disa bimë në katër muret vertikale të ndërtuara për pastrimin e ajrit.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu theksoi se ambienti është ndotur dhe po vazhdon të ndotet në masë të madhe, por ai ngjalli shpresën tek fëmijët për përmirësimin e ambientit në të ardhmen.

Ministri Aliu tha po ashtu se për ndotjen që është shkaktuar dhe që po vazhdon ende, fëmijët e kanë të drejtën që kur të rriten t’i padisin keqbërësit.

Aliu: Për ndotjen që e kemi shkaktuar, fëmijët e kanë të drejtën që të na padisin kur të rriten

“Për ndotjen që kemi shkaktuar dhe po e shkaktojmë ne çdo ditë, këta fëmijë e kanë të drejtën që të na padisin kur të rriten dhe të bëhen të vetëdijshëm për ambientin të cilin e kemi dëmtuar ne. Pra, të dashur fëmijë këto bimë që po i mbjellim sot në këtë mur, këto do të ndikojnë që të pastrohet ky ajër. Ndërsa, ky ajër është i ndotur sot për shkak se ne e ndotim. Gjithë ushqimin, ujin, dhe ajrin që e thithim janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Këto shishe sot po na helmojnë çdo ditë, sepse ne i kemi helmuar së pari ato. Ne e kemi helmuar tokën me këto shishe të plastikës, e kemi helmuar tokën çdo ditë me mbeturina dhe vazhdojmë me e helmu. Nuk është e lehtë me i bindë njerëzit që të mos e dëmtojnë më ambientin, të mos hedhin më shishe, e të mos e helmojnë më tokën, sepse ashtu janë pjekur. Por, s’ mund të vetëdijesohen sot ata? E vetmja shpresë jeni ju të dashur fëmijë”, theksoi Aliu.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, edhe komuna e Prishtinës ka organizuar disa aktivitete për pastrimin e ambientit në kryeqytet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se pastërtia e Prishtinës është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve.

Rama: Pastërtia e kryeqytetit është përgjegjësi e të gjithëve

“Jemi duke bërë agjendën për vetëdijesimin e qytetarëve për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e qytetit, për arsye se kjo është përgjegjësi e gjithë neve, fillon nga fëmijët se si mundet një qytet me qenë shumë më i mirë dhe më i shëndetshëm për qytetarët e Prishtinës, sepse të gjithë e dëshirojmë, e çmojmë dhe e ruajmë”, theksoi Rama.

Riga Rudari nxënëse e shkollës “Hasan Prishtina”, tha se gjeneratat e reja do ta ruajnë dhe rregullojnë ambientin, i cili tash nuk është i mirë.

Rudari: Ne gjeneratat e reja do ta rregullojmë ambientin

“Ambienti në Kosovë nuk është i mirë, por besoj që me kalimin e kohës gjeneratat e ardhshme, pra ne do ta rregullojmë atë dhe gjithmonë do të bëjmë përpjekje që të bëjmë më të mirën, sepse jo kot themi që ‘mjeku udhëzon, kurse natyra shëron’”, u shpreh ajo.

Edhe Ela Menxhiqi nxënëse nga shkolla “Mehmet Xhevori” në Prishtinë tha se pastërtia është gjysma e shëndetit, kështu edhe kërkoi nga të gjithë që të kujdesen për ambientin dhe ta mirëmbajnë atë.

Menxhiqi: Edhe ne si fëmijë duhet të kontribuojmë për ambientin

“Çdo shtet duhet ta mbikëqyrë ambientin dhe ne si fëmijë, si gjenerata e re duhet të kontribuojmë për shtetin tonë”, theksoi ajo.

Aktivitetet për shënimin e “Ditës së Tokës”, kanë organizuar edhe komuna të tjera në mënyra të ndryshme, organizata dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat