Arben Gashi: Nuk do të ndalemi deri në krijimin e Komisionit Hetimor për energjinë

Aktuale

Arben Gashi: Nuk do të ndalemi deri në krijimin e Komisionit Hetimor për energjinë

Më: 23 prill 2022 Në ora: 13:46
Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se Komisioni Hetimor Parlamentar për Energjinë do të bëhet patjetër, me apo pa dëshirën e Qeverisë.

Gashi ka thënë se faktet vetëm sa po shtohen, teksa me krijimin e këtij komisioni, mësohet e vërteta, respektohet Kushtetuta e demokracia.

Ai ka akuzuar Qeverinë për shkelje të Kushtetutës, teksa ka thënë se ky komision do të formohet.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Nga dita që kërkuam krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë e deri me sot, faktet që kemi të drejtë po shtohen përditë. Arsyeshmëria po rritet e bindja po forcohet.

Edhe pse e drejta politike, kushtetuese dhe ligjore e opozitës nga pushteti po sfidohet, ajo nuk do të mposhtet assesi. Komisioni hetimor do të bëhet. Ky pengim i pushtetit mund të sjellë vonim, por tashmë faji ka adresë, sepse nuk është “jetim”, pushteti është fajtor. Ikja nga hetimi është vetë përgjigjja.

Me krijimin e komisionit mësohet e vërteta, hiqen ose vërtetohen dyshimet për keqpërdorim apo korrupsion, për paaftësi apo keqmenaxhim. Por, një gjë është e paevitueshme: faji që e bën pushtetin fajtor, në cilindo rast. Ky pushtet i ka dhënë më shumë se 100 milion euro dhe e ka rritur faturën e energjisë elektrike për 100%, të cilat qytetarët po vazhdojnë t’i paguajnë. Kjo është një padrejtësi e shtrenjtë dhe çmim i papërballueshëm për qytetarët.

Për më tepër, me krijimin e komisionit respektohet Kushtetuta dhe demokracia, ngase përmbushet njëra ndër tre shtyllat e funksionimit të parlamentit: Mbikëqyrja.

Ndonëse e keni dëshmuar se Kushtetutën e shkelni dhe demokracinë nuk e respektoni, ne nuk do të ndalemi deri në krijimin e komisionit hetimor parlamentar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat