​Osmani kërkon mbështetjen e Lituanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Aktuale

​Osmani kërkon mbështetjen e Lituanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Më: 12 maj 2022 Në ora: 18:24
Foto nga takimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Lituani, sot është pritur në takim nga kryeministrja e këtij vendi Ingrida Shimonyte, me të cilën ka biseduar mbi thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Osmani ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit me aleatët mbetet prioritet kyç i politikës së jashtme të Kosovës.

“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyçe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe NATO. Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u dakorduam që ta intensifikojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë”, tha Osmani.

Temë e takimit ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, për të cilin presidentja Osmani ka potencuar mbështetjen e Kosovës ndaj popullit ukrainas.

Pozicioni i Kosovës për Ukrainën është plotësisht në përputhje me SHBA-në, BE-në dhe të gjitha vendet demokratike. Kosova ka miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe është duke ofruar gjithë mbështetjen e mundshme për popullin e Ukrainës”, ka theksuar Osmani. 

Ajo po ashtu ka përmendur tendencat e Rusisë që nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë ta destabilizojë Ballkanin. 

Osmani ka kërkuar nga kryeministrja Shimonyte mbështetje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e në veçanti në Këshillin e Evropës, e po ashtu mbështetje në bindjen e shteteve skeptike për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që vazhdimisht është përkrahur nga Lituania.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat