A janë tradhtare, bashkëpunëtore të Serbisë, familjet Krasniqi, Maloku, Mustafa, Hallaqi, Rraci, Jashari?! / Dënimi i Gucatit e Haradinajt

Aktuale

A janë tradhtare, bashkëpunëtore të Serbisë, familjet Krasniqi, Maloku, Mustafa, Hallaqi, Rraci, Jashari?! / Dënimi i Gucatit e Haradinajt

Nga: Idriz Morina Më: 18 maj 2022 Në ora: 13:42
Gucari dhe Haradinaj u sakrifikuan gabimisht për Thaçin, ia rënduan akuzat

A janë tradhtare, spiunë, shqipfolës, bashkëpunëtorë të Serbisë, familjet Krasniqi, Maloku, Mustafa, Hallaqi, Rraci, Jashari, Ukëhaxhaj, Hajdari, Bytyçi, Dajaku, Kastrati, Ajeti,....? Nuk besoj se këta ishin të tillë, të paktën nuk ka prova, përveç dëshmisë se ata janë viktima të vrasjeve politike.

Nëse nënat, motrat, baballarët, vëllezërit, të vejat e këtyre familjeve nuk ishin tradhtare, spiune, bashkëpunëtore të Serbisë, atëherë, çfarë prisnit të ishte vendimi në rastin Gucati dhe Haradinaj.

Image
Nasim Haradinaj shquhej për agresivitet kundër speciales

Trupi gjykues i shpalli të mërkurën në Hagë, z. Gucati dhe z. Haradinaj fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, me çka anëtarët e familjeve në fjalë dhe të tjera mund të ishin rrezikuar me jetë, përveç të tjerëve.

Po ashtu gjykata ka vërtetuar se të akuzuarit publikisht i quajtën dëshmitarët “tradhtarë”, “spiunë”, “bashkëpunëtorë” dhe “shqipfolës”: “të bëra në kontekstin e një atmosfere të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, Trupi Gjykues konstatoi se synimi i komenteve të të akuzuarve ishte për t’i frikësuar dëshmitarët dhe dëshmitarët e mundshëm dhe rrjedhimisht për t’i bërë që të ngurronin të jepnin informacion për hetimet e ZPS-së lidhur me ish-anëtarë të UÇK-në”.

Image
Hysni Gucati, pak ditë ma parë e vizitoi familjen në Kosovë

Epilogu

Me këtë një rast gjykimi në Hagë, mori epilog, edhe pse të dënuarit kanë së paku edhe një shkallë ankimimi.

Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati haptazi kishin dalur kundër punës së gjykatës speciale, përfshirë edhe përpjekjet për të penguar arrestimin e tyre. Në të gjitha rastet, publikisht qëllim ishte goditja e autoritetit dhe kompetencave të gjykatës me seli në Hagë, të themeluar nga Kosova.

Ende nuk është krejtësisht i qartë motivi i tyre, por bazuar në deklarimet, këta zgjodhën të vetësakrifikoheshin në mbrojtje të shefit të tyre, Hashim Thaçit, ish-president dhe ish-kryeministër i Kosovës, e deputet dikur.

Më vjen keq të them për arsye humane dhe të familjarëve të të dënuarve, por që të dy ishin treguar pa respekt ndaj viktimave të vrasjeve politike. Në këtë kontekst duhet ta shohin apo lexojnë dënimin edhe familjarët e tyre, por edhe mbështetësit e tyre.

Ata kanë të drejtë legjitime të diskutojnë për shkallën e dënimit, por faji i tyre është i padiskutueshëm, jo vetëm pse tashmë kemi një vendim gjyqësor.

Të mendojnë për një çast se si kanë jetuar tërë këto vite familja e Ahmet Krasniqit, Ali Ukës, Enver Malokut, Ilir Konushecit, Behajdin Hallaqit, Xhemail Mustafës, Sadri Ramqës, Drinit – Ekrem Rexhës, Bekim Kastratit e Besim Dajakut, Bardhyl Ajetit, e Rashit Mustafës “Karadakut”, e Haki Imerit, e Shaban R. Shalës, Agim Qelës, Mirush Dakajt, ushtarakut Ekrem Rexha – Drini, Shaban Manajt, Ramiz Hoxhës e Selman Binishit etj., Shefki Popovës, Smajl Hajdarajt, Ismet Rracit, Adem Ukëhaxhajt, Agim Çelajt, Hajdar Ahmetit, Sabahate Tolajt, Isuf Haklajt, Arben Sejdiut, Xhevat Jusufit, Skënder Gashit, Ukë Bytyçit, kolonelit Tahir Zemaj, Enis dhe Hasan Zemajt, Kosovë e Albert Zeqirajt, Azem Ahmetit, nipi i Ahmet Delis etj.

Image
Disa nga heronjtë e Kosovës të vrarë

E qindra të tjera, sikurse edhe të plagosurit, Sabri Hamiti, që ende e bart plumbin shqiptar me të cilën e goditën të pamëshirshmit, palëvizshmërinë me të cilën jeton Fetah Rudi, por edhe familja e tij, duke e ndihmuar që sado pak të mund ta jetojë jetën, qe më se 22 vite... sa nëna mbylli sytë, sa motra, vëllai, dhe familjarë të tjerë, pa e parë asnjë të dënuar, përveç të ndonjë përjashtimi,

Ai ia vlente, pra që Nasimi dhe Hysniu ta sakrifikonin lirinë e vet për të mbrojtur me forcë, paligjshëm, ata që dyshohen për krimet e atilla.

Koha e pandëshkueshmërisë po kalon, bashkë me modelin politik të Hashim Thaçit &Co!

Pasojat e dënimit

Për ironi të sjelljes së Gucatit e Haradinajt, sjellja e tyre, përpjekja e tyre që paligjshmërisht ta mbronin Thaçin &Co, ka prodhuar disa rezultate negative për grupin, pra për drejtësinë.

Ky dënim i tyre, dëshmon tri gjëra thelbësore të procesit:

1. U vërtetua se të akuzuarit për krime lufte Thaçi dhe të tjerët janë përpjekur të provojnë ta pengojnë drejtësinë;

2. Përpjekja për të penguar drejtësinë argumenton se ata (Thaçit dhe të tjerët) ndihen fajtor për shumë nga krimet e akuzuara; dhe

3. Legjitimuan mbajtjen në paraburgim të Thaçit dhe të tjerëve, sepse nëse nga burgu u përpoqën ta pengojnë drejtësinë në liri do ta pengonin edhe më shumë!

Pra, nëse Nasim Haradinaj dhe Gucati nuk ishin të vetëdijshëm për dëmin që po ua bënin Thaçit dhe të tjerëve, ata duhej të këshilloheshin nga avokatët dhe njohësit e drejtësisë që e donin apo ende kishin interes nga Thaçi dhe të tjerët, që të hiqnin dorë nga sjellja e tyre, dhe që mbrojtjen e tyre ta bënin me prova, që provojnë pafajësinë.

Lufta apo betejat e vazhdueshme, që nëpërmjet paragjykimeve të fitohet lirimi nga burgu apo nga akuzat, duke përdorur slogane patriotike, nuk fitohen.

As me përpjekje për ta kërcënuar shtetin. As për të kërcënuar sistemin e drejtësisë!

Profesionistët e dinin se do të dënoheshin

Të gjithë profesionistët e vërtetë, madje edhe gazetarët e tillë, e dinin se të akuzuarit do të dënoheshin. E dinin sepse ashtu kishte ndodhur në të kaluarën edhe ndaj gazetarëve si Haxhiu etj., dhe ndaj Haraçisë në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi.

Nuk kishte asnjë shans tjetër. Aq më tepër që ata kishin rreth dy vjet që po mbaheshin në paraburgim. Pa ekzistencën e provave të mirëfillta një trup gjykuese si e Hagës, Dhomave të Specializuara, nuk ia lejon komoditetin vetes, t’i mbajë në burg njerëzit e pafajshëm, përkatësisht ndaj atyre që nuk mund të provohet fajësia.

Teza se çdo i dyshuar është i pafajshëm deri në shpalljen e vendimit përfundimtar, në rastet e tilla dhe nga gjykata të tilla, është jo vetëm e debatueshme, por e paqëndrueshme.

Madje edhe kur shpallen të pafajshëm, koha e mbajtjes në paraburgim, është ndëshkimi për krimet e bëra, dhe se gjykatësit kanë besuar, por pse është shpallur dikush apo disa të pafajshëm arsyet mund të jenë të ndryshme. Natyrisht edhe në këto raste ka gabime, kur një sistem apo një grup i caktuar brenda një shteti, përpiqet t’ia ngarkojë krimet e të tjerëve një personi të caktuar!

Sintagmat “gjykata e Serbisë”, “gjykata e shpifur”, “gjykata antishqiptare”, e dhjetëra fjali të tilla u hodhën gjithandej, nga të gjitha grupet, thuaja, mbështetës, intelektual, mediokër e të tjerë, por askush nuk tha “gjykata e Hashimit”, siç e quanin jo rrallë të tjerë.

Ishte Hashim Thaçi, që i mblidhte thuaja një nga një deputetët, që të sigurohej, se nuk do të mungonte asnjë votë më pak se 80, aq sa duheshin për t’i miratuar ligjet, që mundësuan formimin e gjykatës speciale!

Ku ishin këta trima, Nasimi e Gucati, që nuk i dilnin para Hashimit dhe ta pengonin atë për themelimin e gjykatës speciale, kur ende kishte pak përkrahje apo të pamjaftueshme politike.

Pse nuk kërkoni llogari nga ata që kërkonin vrasje politike!

Pra, pse nuk e pyesin veten këta që sot qajnë e akuzojnë, pse i shërbyen kaq devotshmërisht Hashim Thaçit dhe grupit të tij?

Pse nuk pyesin, se si u bë, që të bien viktima të këtij grupi?

Këtij grupi famoz që vrau qindra patriot shqiptar, duke filluar me gazetarin Ali Uka, 25 vjet ma parë, së paku për 8 vjet rresht, e disa thonë se zgjatën deri në 2007, e deri më sot, asnjë prej jush nuk i kërkoi llogari.

Përkundrazi vazhdoni t’i shërbeni vullnetshëm, me obediencë ose pa të, atëherë është koha që familjarët tuaj dhe mbështetësit tuaj, të pyesin se kush ishit apo kush jeni ju në të vërtetë? Sa përputhen deklaratat tuaja publike me ato jo publike, apo me ngjarjet, gjatë, në luftë dehe deri më sot?

Ashtu si NATO-ja na çliroi nga robëria serbe, gjykata speciale po na çliron nga mashtruesit tanë, vrasësit tanë, robëruesit e mendjeve shqiptare!

Vetëm një katarsis e tillë e kthen Kosovën në rrugën e duhur dhe të merituar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat