“Java e Krenarisë”, Osmani: Diversiteti është pasuri

Aktuale

“Java e Krenarisë”, Osmani: Diversiteti është pasuri

Më: 6 qershor 2022 Në ora: 22:55
Vjosa Osmani

Është bërë hapja zyrtare e "Javës së Krenarisë", e cila sivjet synon të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje. Në" Javën e Krenarisë" për disa ditë, përveç festimit, do të adresohen edhe çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+.

Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës është bërë hapja zyrtare e "Javës së Krenarisë". Edicioni i saj i 6-të, nëpërmjet sloganit “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”, synon të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.

Presidentja Osmani ka thënë se “Java e Krenarisë” na kujton rëndësinë e të qenit krenar edhe kur jemi ndryshe. Në nisjen e kësaj jave, Osmani ka thënë se diversiteti është pasuri.

“Në këtë rrugëtim nuk ka ne kundër atyre. Në këtë rrugëtim ne jemi bashkë. Java e Krenarisë na kujton rëndësinë e të qenit krenar për ata që jemi edhe kur jemi ndryshe, sepse diversiteti është pasuri. Kjo Javë na kujton se barazia asnjëherë nuk është selektive dhe barazia duhet të vlejë njëjtë për secilin njeri”, tha presidentja Osmani.

Në këtë ngjarje foli edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se si institucione shtetërore do të angazhohen për të drejtat e njeriut të garantuara sipas Kushtetutës së Kosovës.

“Jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat që kemi, prandaj angazhimi për mbrojtjen dhe liritë e të drejtave të njeriut do të mbetet përkushtim i përhershëm i institucioneve tona”, tha Haxhiu.

Ndërkaq, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se është e rëndësishme që debatet publike të jenë të civilizuara dhe me respekt në përmirësimin e të drejtave të njeriut.

“Sot jemi mbledhur për të vlerësuar dhe për të kremtuar forcën e larmisë së Kosovës. Duhet të kremtojmë këtë përparim që është arritur në Kosovë, Amerikë dhe në botë. Është e rëndësishme që të gjitha debatet publike të jenë të civilizuara dhe me respekt në përmirësimin në të drejtat e njeriut. Është me rendësi t’i avancojmë të drejtat, pikëpamjet tona të përbashkëta për të drejtat e barabarta për të gjithë. Të drejtat e këtij komuniteti janë të drejtat e njeriut”, tha, mes tjerash, Hovenier.

Ndërsa, ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se komuniteti LGBTQI+ vazhdon të përballen me sfida.

Çështja e komunitetit LGBTQI+ është një proces kompleks. Të drejtat e personave të komunitetit LGBTQI+ janë në mbrojtje të ligjeve të vendeve të BE-së, por ata ende përballen me sfida për shkak të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor. Parada e krenarisë në Kosovë është mbajtur për pesë vjet dhe nuk ka pasur asnjë incident. Ne jemi të lumtur të shohim këtë trend”, ka thënë ai.

"Java e Krenarisë 2022" do të zgjasë deri më 9 qershor, e që pritet të përmbyllet me “Paradën e Krenarisë”, ku, përveç festimit, këto aktivitete do të konsiderohen si rezistencë paqësore për të adresuar çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat