Krasniqi: “Ballkani i Hapur” projekt politik, Kosova nuk e mbështet

Aktuale

Krasniqi: “Ballkani i Hapur” projekt politik, Kosova nuk e mbështet

Më: 7 qershor 2022 Në ora: 22:47
Foto ilustrim

Për “Ballkanin e Hapur” ka folur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Në një konferencë për medie, ai tha se “Ballkani i Hapur” është projekt politik, i cili nuk ka marrë mbështetje nga institucionet e Kosovës, aq më pak, që sipas ministrit rus Lavrov, është projekt i Serbisë. Krasniqi ka folur edhe për veteranët e UÇK-së.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke folur për “Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar se nuk e përkrahin këtë ide. Ai tha se në Kosovë ka një konsensus që nuk e mbështesin përfshirjen në këtë iniciativë.

“Origjina e “Ballkanit të Hapur” për ne është problematike, ne nuk mundemi që me aq lehtësi të ulemi në tavolinë e të konsiderohemi të barabartë të bisedojmë, e në fakt s’kemi qenë që nga gjeneza e tij dhe besoj se në skenën politike të Kosovës ka një konsensus që nuk e mbështet përfshirjen e Kosovës në “Ballkanin e Hapur”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka folur edhe për deklaratën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se “Ballkani i Hapur” është nismë nga Beogradi.

“Në kuptimin politik kjo vetëm sa i rrit rezervat tona në momentin kur Sregej Lavrov dje deklaroi se kjo është iniciativë e Beogradit? Askush se ka thënë se kjo është iniciativë e Beogradit, por, për të mos e komentuar në detaje ne e kemi mbështet “Procesin e Berlinit”,  në të cilin ka qenë i gjithë rajoni i përfshirë dhe ka pasur një siguri”, tha Krasniqi.

Duke folur për çështjen e pagës minimale dhe veteranët, Krasniqi ka shtuar se është e padrejtë që të përjashtohen nga projektligji për pagën minimale prej 350 eurosh, e cila edhe si e tillë është e pamjaftueshme.

“Veteranët duhet të jenë të përfshirë në pagën minimale ashtu siç ka qenë në fillim. Të gjithë ne kemi thënë se ka probleme me listat e veteranëve dhe ato lista duhet të pastrohen dhe kushdo që s’ka qenë veteran e që është pjesë e saj duhet të hiqet ajo, por i pari që duhet të hiqet si veteran i rrejshëm është Albin Kurti”, tha ai.

Këto komente Krasniqi i bëri në konferencën për medie, ku prezantoi aderimin më të ri në këtë parti të ekonomistit Arben Mustafa, i cili do të jetë koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat