Vuçiq e di të vërtetën e rastit “Panda”, ftohet që t’i tregojë autorët e vrasjes

Aktuale

Vuçiq e di të vërtetën e rastit “Panda”, ftohet që t’i tregojë autorët e vrasjes

Më: 8 qershor 2022 Në ora: 21:51
Vendi ku ndodhi rasti Panda

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është ftuar të tregojë se kush janë autorët e vrasjes së 6 të rinjve serbë më 1998 në kafenenë Panda në Pejë.

Vuçiq e kishte pranuar se ka informacione lidhur me vrasjen e tyre dhe nuk e kishte fshehur se autorët janë të lidhur me ish-regjimin serb.

Këta gjashtë të rinj serbë ishin duke qëndruar në një lokal të quajtur Panda, në perëndim të qytetit të Pejës, kur pabesisht u vranë nga dy persona të maskuar.

Ky mister i vdekjes së tyre akoma nuk është zbuluar, edhe pse kanë kaluar mbi 23 vjet nga kjo masakër. 


Kur ndodhi ky akt kriminal më 15 dhjetor të vitit 1998, gishti u drejtua drejt shqiptarëve, ku më pas 6 prej tyre ishin arrestuar nga policia serbe.

Njëri prej të arrestuarve ishte Agron Kollqaku, pa ndonjë dëshmi që e lidhte atë me krimin që kishte ndodhur në kafenenë Panda.

Kollqaku tregon për Tëvë1, se ndaj tij pati dhunë fizike nga policia serbe.

Ai thotë se që prej asaj kohe ka mbetur me pasoja, dhe se shteti e ka lënë në harresë atë.

E personi që ka informacione për vrasjen e gjashtë të rinjve serb, është Presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai e ka pranuar, që pas këtij krimi nuk fshihen shqiptarët. Prandaj, Ish-prokurori i Serbisë për krime lufte, Vladimir Vukçeviq e ka ftuar Vuçiqin që të tregojë e kush janë autorët e vrasjes.

Se kjo ngjarje është e orkestruar nga shërbimi sekret serb, e thotë edhe Veton Mujaj nga Organizata Syri i Vizionit në Pejë.

Autorët e këtij krimi, nuk u zbuluan dhe rrjedhimisht nuk dolën para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat