Përfundon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit/ Vendoset për tri seanca të radhës

Aktuale

Përfundon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit/ Vendoset për tri seanca të radhës

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 12:43 më 13.06.2022
Kryesia e Kuvendit

Tahiri i bën thirrje Kurtit për kalim të Trustit dhe përfshirje të veteranëve në pagën minimale

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka bërë thirrje pozitës që të heqë nga rendi i ditës pikën për përcaktimin e pagës minimale në seancën e nesërme, derisa për seancën e rregullt të së enjtes ku në rend të dite do të jetë çështja e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, Tahiri bëri thirrje që të përkrahet kjo iniciativë.

Ne si grupe opozitare kemi kërkuar që përmes një mocioni procedural një pikë e rendit të ditës që i diskriminon rëndë veteranët dhe pat një tentim që të kalohet ligji për pagën minimale, ta tërheqin ligjin për përcaktimin e pagës minimale. Lënien jashtë të kategorisë më të ndjeshme në asnjë rrethanë s’e përkrahim. Diskriminimi deri në këtë masë, pikërisht në 23 vjetorin, kur thurim lavde për UÇK-në, veteranë, invalidë, familje të dëshmorëve, ta kemi një pikë siç është përcaktimi i pagës minimale dhe të mos t’i shtijmë as në pagën minimale pensionet e veteranëve të UÇK-së, është një dëm që i bëhet themeleve të lirisë së vendit. I bëjmë thirrje mazhorancës ta tërheqin këtë pikë, sepse është e papranueshme dhe në asnjë rrethanë s’duhet të kalojë”.

Tahiri i bëri thirrje kryeministrit Kurti “të reflektojë”, sepse tha se s’mund të lihet jashtë një kategori me minimumin e të ardhurave që mund të jetohet në Kosovë.

Tahiri në argumentimin për kalimin e projektligjit për Trustin tha se tërheqja e mjeteve mund të zbusë pak krizën në vend.

Të enjten do ta kemi një pikë të rëndësishme. Ne e dimë që në rrethana normale s’duhet të diskutohet, por gjendja në të cilën e ka sjellë kjo Qeveri Republikën tonë karshi kësaj krize. Pra çdo ditë po ballafaqohemi me kriza. Në gjendjen çfarë kemi ardhë, ku qytetarët po e humbin shpresën të jetojnë në këtë vend, ku e vetmja zgjidhje po iu lë kjo Qeveri, është largimi nga Kosova – dhe ne pikërisht për këtë arsye për të zbutur sado pak këtë krizë, për ato familje që mund t’i tërheqin këto të ardhura, ju bëjmë thirrje të gjitha partive, përfshirë mazhorancën, që ta ndërmarrin këtë hap”.

Kusari-Lila për tërheqjen e 30 përqindëshit nga Trusti: Është një kërkesë shumë e dëmshme

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë që kërkesa për tërheqjen e 30 përqindëshit të mjeteve nga Trusti pensional, është shumë e dëmshme.

Kusari-Lila ka theksuar që nuk do ta mbështesin këtë iniciativë të cilën  e quajnë të dëmshme.

Sa i përket tërheqjes së 30 përqindëshit nga Fondi pensional, për ne si grup parlamentar asnjëherë s’ka pasë dilema në raport me idenë për arsye se ka pasë tendencë që kjo ide të prezantohet si ide të cilën VV-ja apo qeveria nuk e kanë marrë parasysh, vetëm pse ka ardhë prej opozitës”.

Kjo nuk ka të bëjë me inate politike, apo me kokëfortësinë tonë në raport me kërkesën, ne mendojmë që është kërkesë shumë e dëmshme, pasi shkatërron një sistem pensional dhe lirisht vendimi tjetër mund të jetë mbyllja komplet e trustit të kursimeve pensionale”, tha Kusari-Lila në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë.

Kryesia e Kuvendit vendos për tri seanca

Kryesia e Kuvendit ka vendosur për tri seanca.

Pas mbledhjes së Kryesisë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se seanca me pikat e papërfunduara do të mbahet nesër më fillim të orës 13:00. Ndërkohë, dy seancat e reja do të mbahen të enjteve.

Njëra mbahet këtë të enjte pra më 16 qershor në orën 10:00, dhe tjetra të enjten tjetër më 23 qershor.

Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

Mbledhja e Kryesisë ku do të konfirmohet rendi i ditës për seancën e re plenare pritet të mbahet nga ora 11:00.

Rendi i ditës:

I. Miratimi i procesverbalit i mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,


II. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 22, 23, 24 shkurt, 16 mars dhe 14 prill 2022:

14. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale.


III. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 24, 25 shkurt, 16 mars dhe 14 prill 2022:

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.


IV. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 7 dhe 14 prill 2022:

8. Zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb,


V. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 14, 19 prill, 11 dhe 19 maj 2022:

7. Votimi i mocionit nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.

VI. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 5, 11, 13 maj dhe 6 qershor 2022:

5. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,

6. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022,

7. Emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës,

8. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar.

VII. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 26 maj dhe 6 qershor 2022:

4. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për provimin e jurisprudencës,

5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pijet e Forta Alkoolike,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës,

8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve,

9. Zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit,

10. Zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

VIII. Konfirmimi i rendit të ditës për seancë plenare të radhës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga Seanca plenare e mëparshme,

4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit,

5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Markat Tregtare,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Pyjet,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara,

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes,

12. Shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike për zgjatjen e mandatit,

13. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike,

14. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës,

15. Propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionet Hetimore Parlamentare,

16. Emërimi i kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit,

17. Përzgjedhja e kandidatit për një anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës,

18. Formimi i Komisionit Ad-hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë,
19. Shqyrtimi i raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021,

20. Shqyrtimi i raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.

IX. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat