​Klinaku-deputetëve: Mos e miratoni projektligjin diskriminues, do të ketë protesta natë e ditë

Aktuale

​Klinaku-deputetëve: Mos e miratoni projektligjin diskriminues, do të ketë protesta natë e ditë

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 23:37
Faton Klinaku

Një ditë para vazhdimit të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faton Klinaku u ka bërë thirrje deputetëve që të mos e miratojnë Projektligjin për pagën minimale nga i cili janë të përjashtuar kategoritë e luftës.

Në një postim në Facebook, Klinaku ka paralajmëruar se në rast votimi të këtij projektligji, atëherë do të detyrohen të organizojnë protesta për të qëndruar para institucioneve, siç është shprehur ai, natë e ditë.

“Të nderuar deputetë, që ju ka mbetur pak dinjitet! Mos e miratoni nesër projektligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së e për inate politike, sepse ne jemi duke mbrojtur interesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe jo interesat e partive politike”, ka shkruar Klinaku.

Teksa ka pasur edhe një porosi për deputetët nga radhët e pakicave.

“Mos u rreshtoni kundër interesave të kategorive të luftës së UÇK-së, sepse ju jeni në bashkëqeverisje aty për interesat e pakicave që i përfaqësoni”, ka shkruar Klinaku.

Veteranët e UÇK-së po kërkojnë që rritja e pagës minimale të përfshijë edhe këtë kategori.

Kuvendi i Kosovës nesër në rend dite ka votimin në parim të Projektligjit për pagën minimale, i cili ka ngjallur debate e reagime të shumta nga pozita e opozita, ku këta të fundit janë deklaruar se nuk do të votojnë pro, nëse nuk përfshihet rritja e pensioneve për veteranët dhe disa kategori të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat