Përfundon takimi mes Kurtit dhe veteranëve – nuk arrihet kompromis, paralajmërohet protestë e radhës

Aktuale

Përfundon takimi mes Kurtit dhe veteranëve – nuk arrihet kompromis, paralajmërohet protestë e radhës

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 08:03 Përditësuar në ora: 11:50 më 17.06.2022
Foto nga vendi i ngjarjes

S’ka pajtim mes veteranëve e Kurtit, do të vazhdojnë protestat

Ka përfunduar takimi i përfaqësuesve të veteranëve të UÇK-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pavarësisht se takimi ka zgjatur më shumë se dy orë, veteranët nuk kanë arritur pajtim me Kurtin në kërkesat e tyre.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë pas takimit se janë diskutuar shumë çështje por nuk është arritur dakordim.

Edhe ditën që do ta vazhdojnë seancën i treguam se do vazhdojmë me protesta”, ka thënë Klinaku.

Xhavit Jashari nga OVL e UÇK-së ka thënë se nuk kishte gatishmëri nga ana e kryeministrit që të reflektojë.

Ne e presim edhe përgjigjen me shkrim e propozimet po ishim aty për ti thënë sy më sy se keni bërë shkelje ligjore. Nuk kem problem me Policinë e Kosovës, nuk kem probleme me objektet se janë tona por kemi problem me ata që nuk respektojnë ligjet, me ata që janë në këto institucione. Nuk kishte gatishmëri që të reflektojë në këtë drejtim”, ka thënë Jashari.

Ende s’ka mbaruar takimi i veteranëve me Kurtin

Janë bërë dy orë prej kur ka nisur takimi i përfaqësuesve të organizatës së veteranëve me kryeministrin Albin Kurti.

Takimi në Qeveri ende nuk ka përfunduar, ndërkohë mediat s’janë lejuar të hyjnë brenda, raporton klan Kosova.

Kujtojmë se veteranët kanë protestuar të enjten më 16 qershor, për herë të dytë pas 6 qershorit, pasi u lanë jashtë projektligjit për Pagën Minimale.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë seancës së djeshme tha se po e anulon pjesëmarrjen në Forumin e Prespës i cili është duke u zhvilluar në Ohër, për t’i pritur veteranët dhe për t’I diskutuar të gjitha.

​Veteranët sapo kanë arritur në objektin e Qeverisë

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sapo kanë arritur në objektin e Qeverisë për tu takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pas ftesës që ky i fundit u ka bërë dje.

Qëllimi i këtij takimi është diskutimi lidhur me pakënaqësitë e tyre për mos përfshirje të veteranëve në Ligjin për pagën minimale.

Përveç ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL-së, Faton Kliniku ishte edhe Xhavit Jashari e të tjerë.

Dje, mbi 8 orë veteranët kanë protestuar para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Protesta ka qenë e qetë ndonëse në dy raste ka pasur tentim për të hyrë në Kuvend.

E krahas protestës jashtë edhe brenda në Kuvendin e Kosovës opozita pengonte mbarëvajtjen e seancës.

Kurti takon sot veteranët e UÇK-së, diskutohet për përfshirjen e tyre në pagën minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar në takim veteranët e UÇK-së për sot në orën 09:00.

Kurti gjatë ditës së djeshme tha se do ta anulojë shkuarjen në Forumin e Prespës për të mbajtur takim me veteranët dhe për të diskutuar në lidhje me pagën minimale.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan dje në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, më 14 qershor, që nuk përfshin rritjen e pensioneve edhe për veteranët.

Më 14 qershor, Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Projektligji, nuk e lidh më pagën minimale me vlerën e pensionit të veteranëve të luftës, siç ka qenë në të kaluarën.

Përfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale e ka kërkuar opozita. Ata kanë refuzuar ta vazhdojmë seancën e djeshme të Kuvendit, me pretendimin se nuk ka kushte normale derisa veteranët po protestojnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës si formë kundërshtimi ndaj vendimit për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagë minimale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat