​Kurti flet për veteranët, liberalizimin, marrëveshjen për energjinë...

Aktuale

​Kurti flet për veteranët, liberalizimin, marrëveshjen për energjinë...

Më: 18 qershor 2022 Në ora: 16:53
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së sotme për media foli edhe për çështje të tjera, si kërkesave e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së që beneficioni i tyre të jetë në lartësinë e pagës minimale, paralajmërimet për liberalizim të vizave më 23 qershor, marrëveshjen e paralajmëruar me Serbinë për energjinë, deklaratat e Bërnabiqit për krimet e kryer nga Serbia në Kosovë si dhe heqjen e akcizës për naftën.

“VETERANËT”

Kurti u shpreh se gjatë javës së ardhshme do t’i dorëzojnë organizatave të dala nga lufta propozimin e tyre si zgjidhje për kërkesat e tyre . Duke kujtuar se neni që lidh beneficionin e veteranëve me pagën minimale është larguar, ka përsëritur kërkesën e tij se duhet të bëhet rregullimi i listave dhe se veteranët meritojnë më shumë se paga minimale.

Kurti: Propozimet për veteranët do t’i dorëzojmë gjatë javës së ardhshme

“Propozimet me shkrim do t'i dërgohen sa më shpejtë që të mundemi, gjatë javës së ardhshme patjetër, dhe bashkë me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve jemi duke punuar në një propozim konkret, ofertë përmbajtjesore me shkrim, të qartë për organizatat e dala nga lufta. Jam i hapur dialog, për komunikim, për kontakte të rregullta, zyrën time e kanë të hapur për të gjitha takimet dhe dilemat që mund t'i kenë, por në të njëjtën kohë e shpreh edhe përkushtimin tim, jo vetëm me këtë çështje, se Qeveria e Kosovës është e interesuar që UÇK të trajtohet me dinjitet edhe sa i përket zhvillimit socio-ekonomik të vendit tonë, por edhe sa i përket aspektit institucional e demokratik të shtetit të pavarur të Kosovës. Pra, nuk duam rritje ekonomike e mirëqenie pa veteranët, dhe nuk duam demokraci e pavarësi pa veteranët, e duam me ta”, deklaroi Kurti.

LIBERALIZIMI I VIZAVE

Kurti ka refuzuar të flasë me data për liberalizimin e vizave ndërsa ka komentuar deklarimet e fundit se kjo çështje mund të marrë një epilog përfundimtar gjatë javës së ardhshme. Sipas tij, Kosova ka plotësuar më shumë kritere se çdo vend tjetër i rajonit ndërsa edhe imazhi i vendit është më i miri që pas shpalljes së pavarësisë.

Kurti: Nuk flas me data për liberalizimin e vizave

Nuk mund të flasë me data se kur liberalizohen vizat, në këtë samit apo në atë konferencë, sepse nuk është çështje e jona. Ne po i bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi më së miri detyrat tona të shtëpisë që janë edhe detyra evropiane. Ne ato po i bëjmë dhe shpresojmë më të mirën. Mirëpo, nuk mund të flasim në emër të tyre. As para zgjedhjeve, as në fushatë zgjedhore, as kur jam bërë kryeministër, ju nuk më keni dëgjuar mua duke dhënë data për liberalizim të vizave, sepse nuk varte prej neve. Ajo çfarë duhet ta theksojmë përditë është që moti i kemi plotësuar 95 kriteret që janë më shumë se dyfishi i numrit të kritereve për vendet e tjera të rajonit dhe që në muajin e ardhshëm shënojmë katër vjetorin e Komisionit Evropian që për herë të dytë, para 4 viteve, tha se Kosovës duhet t'i liberalizohen vizat”, u shpreh Kurti.

MARRËVESHJA ME SERBINË PËR ENERGJINË

Kurti ka sqaruar se për çfarë është biseduar mes palës serbe dhe kompanisë turke KEDS në lidhje me marrëveshjen për energjinë, që u tha se mund të arrihet gjatë javës së ardhshme, gjatë një takimi të paralajmëruar nga Lajçak mes kryenegociatorëve. Ai theksoi se kjo marrëveshje nuk ka të bëjë asgjë me çështjen e liberalizimit të vizave.

Kurti: Ditët në vijim janë vendimtare për marrëveshjen e energjisë

Vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matëse, faturimi dhe inkasimi dhe këtë obligim ne e kemi përmbushur e që i referohet takimeve ndërmjet KEDS-it dhe palës serbe. Pra, vetëm në këtë aspekt ata kanë biseduar. Nuk do të ketë asnjë shërbim shtesë në fushën e distribucionit përtej këtyre katër shërbimeve që i përmenda dhe përtej katër komunave në veri të Republikës së Kosovës. Pra, në këtë aspekt kanë biseduar KEDS-i me palën serbe. Kjo ka ndodhur më 9 qershor, ditët në vijim në janë vendimtare për parë se a do të bëhet finalizimi i dakordimit për nismën e zbatimit të udhërrëfyesit të energjisë, andaj duhet të kemi shumë kujdes që as me hamendesime, dhe as me gjysmë të vërteta apo çerek të vërteta të mos e dëmtojmë procesin në ditët në vijim, për shkak se po kërkohen pretekste për t'i ikur ose devijuar nga marrëveshja afër së cilës jemi si asnjëherë më parë”, shtoi Kurti.

DEKLARATAT E BËRNABIQIT

Kurti ka komentuar edhe deklaratat e homologes serbe Ana Bërnabiq që mohoi se në Kosovë ka pasur gjenocid si dhe ka zvogëluar numrin e të vrarëve dhe të përdhunuarve gjatë luftës së fundit. Shefi i ekzekutivit u shpreh se Serbia po dëshiron të minimizojë krimet e saj në Kosovë.

Kurti: Qasja e Beogradit është të minimizojnë krimet në Kosovë

Numri që e paska thënë ajo padyshim se është një zvogëlim, është një deformim, është e pavërtetë e padurueshme. Veç në varrezën masive në Batajnicë, janë zhvarrosur 744 kufoma shqiptare. Veç në një varrezë masive në Batajnicë…. Kam vërejtur që kryeministrja e Serbisë ka një tendencë që të thotë se kanë ndodhur krime por shumë më pak. Pra, ajo e kupton që është në pozicion i pambrojtshëm nëse thotë që nuk kanë ndodhur krime. Por çfarë përpiqet të bëjë është që të thotë se janë përdhunuar, janë vrarë, janë torturuar, janë dëbuar shumë më pak sesa ka qenë rasti. Por këtë qasje të Beogradit ne e kemi më herët në raport me Bosnjën kur edhe masakrën e Srebrenicës ka zyrtarë të Serbisë që nuk e mohojnë, por thonë që numri i tyre nuk është mbi 8 mijë siç është realisht, pra të njëjtën qasje sikurse ndaj Srebrenicës, duket e minimizuar humbjet, vuajtjet, viktimat, po e përdorin edhe në Kosovë”, u shpreh Kurti.

HEQJA E AKCIZËS DHE TVSH-së PËR NAFTËN

Kryeministri ka thënë se heqja e akcizës dhe TVSH për naftën nuk është një politikë e dobishme dhe rrezikon të shndërrohet në një super-profit për kompanitë. Ai përmendi se si po punojnë për të ndihmuar qytetarët.

Kurti: Heqja e TVSH-së dhe akcizës për naftën nuk është politikë e dobishme

Heqjen e TVSH-së dhe akcizës nuk e konsiderojmë politikë të dobishme sepse nuk iu ndihmon atyre që janë më së shumti në nevojë dhe rasti i Gjermanisë ka treguar që çfarëdo heqje e tatimit në derivate të naftës nuk i ndihmon më së shumti qytetarëve përkundrazi mund të rris fitimin e tregtarëve. Ne dëshirojmë që me politika sociale të ndihmojmë qytetarët e Republikës dhe jo duke bërë hamëndesime të cilat në fund shndërrohen super-profit për tregtarët dhe aspak lehtësime për qytetarët. Në veçanti jemi duke përcjellë me vëmendje naftën e cilën hyn në kufi, çmimet në dogana ditë për ditë dhe jemi duke përpiluar një udhëzim administrativ si Qeveri e Kosovës, lidhur me çmimet e naftës në Kosovë, këto ditë”, përfundoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat