Studiuesi: Në dialog të diskutohet për pronat e muhaxhirëve shqiptarë të Sanxhakut të Nishit

Aktuale

Studiuesi: Në dialog të diskutohet për pronat e muhaxhirëve shqiptarë të Sanxhakut të Nishit

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 10:32
Jusuf Osmani

Ishin vitet e fundit të shtatëdhjetave të një mijë e tetëqindtës, kur shqiptarët në Ballkan ndjenë një trazirë, që nuk harrohet kurrë.

Konkretisht, dyndjen dhe shpërnguljet e dhunshme e të detyrueshme të shqiptarëve nga sistemi politik i Serbisë ndodhi përgjatë viteve 1877-1878.

Në ato prona të Sanxhakut të Nishit e më gjerë nuk u kthyen kurrë më pronarët e vërtetë.

E kjo çështje, sipas studiuesit, prof. Dr. Jusuf Osmani, duhet të përfshihet në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

I njëjti në Sytë 7, tha se “edhe më herët kur presidenti (Ibrahim) Rugova zhvillonte biseda me palën serbe, në një takim me profesorin e nderuar, Sabit Ukën, ai i ka propozuar që të futet kjo çështje në bisedime, dhe shkurt i thotë: Kosova mbrohet në Nish!”

Osmani tha se ky veprim duhet të bëhet që “opinionit vendor e ndërkombëtar, t’i prezantohen faktet se shqiptarët janë shtrirë në mënyrë masovike deri në pjesën veriore të Nishit, s’do të thotë që nuk ka pas edhe në pashallukun e Beogradit”.

Studiuesi i rrallë i çështjes së muhaxhirëve shqiptar, i cili së fundmi ka publikuar edhe punimin 30 vjeçar, “Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit” si përfundim i projektit të nisur edhe nga profesori i ndjerë, Sabit Uka, tha se “në këto bisedime duhet me u hap si temë për arsye se çështja e pronave nuk u zgjedh në Kongresin e Berlinit, në nenin 35 dhe 39 është shënuar e drejta e pronarëve në qasje në ato prona, në kompensim apo dhënie me qira”.

Osmani, tha se ka mjaftueshëm të dhëna e dokumente për të vërtetuar pronësinë shqiptare në Serbi. Por, mbetet i zhgënjyer që shteti i Shqipërisë nuk është marr pothuajse fare me këtë temë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat