Berisha komenton fjalët e Muratit për veteranët: Thua se janë shkruar serbisht, e i ka përkthyer në shqip

Aktuale

Berisha komenton fjalët e Muratit për veteranët: Thua se janë shkruar serbisht, e i ka përkthyer në shqip

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 17:18
Hisen Berisha

Hisen Berisha, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, ka kritikuar ashpër qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Berisha, në seancën në të cilën po diskutohet kriza e rritjes së çmimeve, ka thënë se qeveria ka vepruar njëjtë edhe me veteranët, duke thënë se gjuha që është përdorur për këta fundit, nga ana e qeverisë, dukej sikur ishte shkruar në gjuhën serbe.

Tutje, ai ka thënë se gjuha e ministrave, deputetëve dhe vetë kryeministrit shkon edhe më larg, duke përmendur deklaratën e Ministrit të Financave Hekuran Muratit, i cili ka thënë se veteranët po i kushtojnë shtrenjtë Kosovës.

“Kështu vepruat edhe ndaj veteranëve, ngjasonte gjuha e juaj thua se ato fjalë u janë shkruar në serbisht e ju vetëm po i përktheni në gjuhën shqipe. Mos u mundoni t’i bëni argat Vuçiqit duke u munduar t’i vrisni me skamje veteranët. Gjuha e juaj si ministra, deputetë e kryeministër shkon edhe më larg. Si për shembull ajo e ministrit të financave me urrejtjen që shpreh për kategoritë e dala nga lufta, duke shkuar deri atje sa të thotë se më lirë do të na kishte dalë nëse paguanim mercenarë se sa të luftonim vetë e sot të paguanim veteranë. Pastaj duke e shpreh dëshpërimin në humbjen në luftë të ushtrisë, policisë, të regjimit të Millosheviçit, të bënë me dyshuar se i kujt është ky ministër, a është i qeverisë së Kosovës apo i asaj të Vuçiqit”, ka thënë Berisha. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat