Këta janë dy të rinjtë që u përleshën mes vete në Prizren, 21-vjeçari dyshohet për vrasje në tentativë

Aktuale

Këta janë dy të rinjtë që u përleshën mes vete në Prizren, 21-vjeçari dyshohet për vrasje në tentativë

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 19:50
Ilustrim

Një përleshje mes dy të rinjve ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Rrustë Kabashi’ në qytetin e Prizrenit, ku si pasojë e therjes së shumëfishtë me thikë, mbeti i plagosur rëndë një 20-vjeçar.

Ai u gjet në gjendje të rëndë në një veturë nga shokët e tij të cilët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal në Prizren, ndërsa i dyshuari tjetër që u përfshi në rrahje, ishte arratisur nga vendi i ngjarjes. Por ai u kap pak më vonë nga njësitet policore, të cilët e shoqëruan në stacion për intervistim.

Mësohet nga burimet brenda Prokurorisë se dy të rinjtë të përfshirë në përleshje janë Eni Bytyqi 20-vjeçar dhe Virtyt  Zogaj 21-vjeçar.

Zogaj u arrestua nga Policia dhe iu nënshtrua tretmanit mjekësor pasi që edhe vetë kishte pësuar lëndime si pasojë e përleshjes me Bytyqin, i cili u transferua për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Burimet bëjnë të ditur se Zogaj ka rrëfyer në Polici se gjithçka ka ndodhur për shkak të një ngatërrese të mëhershme , me ç’rast dy të rinjtë fillimisht vetëm ishin fjalosur e që më pas kishte eskaluar situata në përdorim të mjeteve të forta si thika si dhe armëve të zjarrit.

Sipas Zogajt, ka qenë Bytyqi ai i cili fillimisht ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tij dhe si rrjedhojë deklaron se në vetëmbrojtje e ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin, duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore.

I dyshuari tjetër, Eni Bytyqi, nuk është intervistuar ende nga hetuesit policorë, për shkak se siç mëson Sinjali nga burimet brenda Emergjencës, gjendja e tij shëndetësore e është e rëndë dhe po vazhdon të trajtohet në QKUK.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47 dhe një gëzhojë, teksa mësohet se po vazhdojnë kërkimet edhe për armën e ftohtë, me të cilën dyshohet se u ther 20-vjeçari, Eni Bytyqi.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se dy të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Virtyt Zogaj do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje në tentativë’, ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’. Ndërsa Eni Bytyqi do të hetohet për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat