“Vrasjet e institucionalizuara të SHIK-ut” / Ishin me bashkëpunëtorët e UDB-së, ata që vranë intekeltualët e Rugovës

Aktuale

“Vrasjet e institucionalizuara të SHIK-ut” / Ishin me bashkëpunëtorët e UDB-së, ata që vranë intekeltualët e Rugovës

Nga: Idriz Morina Më: 19 korrik 2022 Në ora: 20:30
Hashim Thaçi

Sa është tronditës për ato familje të viktimave të vrasjeve politike, fakti kur mësuan se njerëzit e fuqishëm të SHIK-ut, nuk paskan qenë “të papërlyer” me Serbinë.

Thuaja e gjithë popullata e dinë se viktimat e vrasjeve politike ishin viktima të drejtpërdrejta të luftës për pushtet të një grupi, një pjesë e të cilit sot mbahet në Hagë nën dyshimin se ishin anëtar dhe e udhëhiqnin një ndërmarrje kriminale, sipas Prokurorisë së Gjykatës Speciale.

Por, një pjesë, sidomos ata që ishin nën udhëheqjen e SHIK-ut dhe përfitonin prej tyre, ende duan t’i kualifikojnë si figura të dyshimta viktimat.

Që nga deklarata publike e ish agjentit të UDB-së, se ai ka punuar nën urdhrat e Kadri Veselit, e bën të qartë se kjo organizatë ishte e komprometuar.

A duhet që sot të kërkojnë falje

Si ndihen sot familjarët e këtyre që organizuan dhe kryen vrasje politike, si familja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e të gjithëve, që morën pjesë në hartime listash?

Si duhet të ndihen sot bashkëpunëtorët e ngushtë në parti, në PDK, për faktin se ata u kanë shërbyer njerëzve që bashkëpunonin me agjentë të UDB-së!!? Se kjo parti e ka financuar SHIK-un!?

A duhet që sot të kërkojnë falje për vrasjet politike familjet e këtyre figurave.

Ndërsa, që prej shumë vitesh inteligjenca ushtarake e KFOR-it amerikan e kishte vlerësuar SHIK-un si grup kriminal, që kryen vrasje politike dhe të tjera. Po ashtu ky grup i strukturuar në SHIK, kryente edhe krime të tjera për qëllim të pasurimit, si plaçkitje, shantazhe, haraç, frikësime njerëzish, kontrabandime nafte, alkooli etj.

Fatmir Sheholli, edhe para intervistës së fundit vite më parë kishte deklaruar se familja e tij, babai i tij ishte me Jugosllavinë e Millosheviçit.

Nëna e tij, në televizionin e Prishtinës kishte deklaruar se shqiptarëve që nuk e duan Jugosllavinë (e Millosheviçit) duhet ‘t’u këputet koka si pulës’!

Dhe në fund, biri i kësaj familje që ishte plotësisht me regjimin serb, i cili kishte punuar për UDB-në, jo që nuk akuzohet, por, e bëjnë anëtar të rëndësishëm të SHIK-ut!

Ndërsa, sipas mediave në Serbi, ai vazhdonte të bashkëpunonte me agjencinë serbe të sigurimit, dhe me partitë serbe, si Partia Socialiste e Serbisë, të cilën e udhëhoqi Millosheviçi.

Pra, të ishe i lidhur drejtpërdrejt me Serbinë, ishe i nderuar, i mbështetur, pasi Sheholli veç tjerash qe bërë edhe zëvendësministër për Kthim, dhe gëzonte edhe poste të tjera më vonë.

Ai edhe sot nderohet nga mediat e krijuara ose të kontrolluar nga ish SHIK-u, dhe po ashtu nga ato tek të cilat ka ndikim Serbia.

Image
Presidenti Rugova

Rugovën e patën shpallur disa herë tradhtar

Por, nuk ka vend po tek këto media, për analistë e gazetarë, që kanë shkruar përveç tjerash edhe për vrasjet politike, për krimet e SHIK-ut, dhe për mijëra të këqija!

Mbështetësit e Rugovës i njollosnin me çdo gjë, i bënin tradhtar, spiun të Serbisë, dhe deri aty ku mund të arrinin i ekzekutonin. Edhe vetë Presidentin Rugova e patën shpallur disa herë tradhtar, edhe sot ka nga ata që shkruajnë në mënyrë diskredituese, duke u bazuar në vlerësimet dhe deklarimet, që i jepnin Thaçi apo njerëz të SHIK-ut.

Takimin e tij kur qe kidnapuar nga Serbia dhe e dërguan në selinë e Millosheviçit, krejtësisht i parëndësishëm dhe pa pasoja, sepse pas lirimit, Rugova vazhdoi me të gjitha qëndrimet si më parë. Vetë Rugovën e sulmuan disa herë, njëherë me një shpërthim me tritol, karakteristikë për sulme terroriste.

Ndërsa, këta që bashkëpunonin hapur, madje duke kryer edhe krime me banda të përbashkëta në veri, donin të mbesnin patriot!

Kadri Veseli vetë, në një proces gjyqësor për detyrën e shefit të SHIK-ut ka thënë se e ka marrë në mars të vitit 1999, sipas tij, pas Konferencës së Rambujesë!

Veseli në procesin “Bllaca” në gjykatën në Prishtinë në vitin 2012 ka thënë se para se të bëhej shef i SHIK-ut në mars të 1999-ës, kishte qenë “shef i Zbulim-Kundër-Zbulim, një shërbim spiunazhi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”. Sipas tij Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK-u), sipas tij, kishte nisur të funksiononte në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Sipas raporteve sekrete të NATO-s, të botuara në vitin 2014, gati një dekadë më parë, vrasjet i kishin institucionalizuar.

“Vrasjet ishin institucionalizuara dhe nuk ishin të ndara në operacione të kufizuara tek një numër i vogël pjesëtarësh të SHIK-ut”, citohet raporti i NATO-s.

Pagat, po sipas tyre raporteve i kryheshin nga PDK-ja.

Sipas raporteve të KFOR-it dhe NATO-s, mediat raportonin se “tre emra potencohen veçanërisht: Hashim Thaçi (si autoritet përfundimtar në majë të piramidës së krimeve) dhe Kadri Veseli e Elmi Reçica si persona që “me siguri” kanë qenë “të vetëdijshëm për programin” e SHIK-ut”.

Image
Kadri Veseli

Hetimet dëshmonin se SHIK-u kishte një program, financimi, që realizohej nëpërmjet kontrollit të tregtisë ilegale me derivate të naftës dhe me drogë, tregut të zi, shmangies së tatimeve frikësimit të kundërshtarëve politik dhe më në fund vrasjeve.

Këto të dhëna ishin bërë publike pasi kishin rrjedhur dokumente të NATO-s, njëri prej të cilëve e bënte profilin e Kadri Veselit, që akuzohej ishte i lidhur ngushtë me veprime të paligjshme, dhe me njerëz që biznes kryesor e kanë drogën, si Ismet Osmani, i njohur me nofkën “Curri”.

Po ashtu këto dokumente njoftonin se SHIK-u e kishte një listë për ekzekutimin e 40 anëtarëve të LDK-së sepse “paraqisnin problem për ardhjen në pushtet të krahut të luftës”!

“Një listë me 40 emra njerëzish që duhej eliminuar pretendohet se kishte SHIK-u dhe Kadri Veseli. Këta njerëz, intelektualë të afërt me LDK-në, paraqisnin problem për ardhjen në pushtet të krahut të luftës. (…) Objektivi i tij (Kadri Veselit) është që t’i ngufasë intelektualët më të njohur të LDK-së. Ekziston një listë me 40 emra të njerëzve të afërt me Rugovën. Kadri Veseli është drejtpërdrejt i lidhur me disa nga figurat më të njohura politike, kriminale dhe ekstremiste brenda Kosovës”, raportonin mediat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat