​Policia e Kosovës gati për zbatimin e masave reciproke për letërnjoftime ndaj Serbisë

Aktuale

​Policia e Kosovës gati për zbatimin e masave reciproke për letërnjoftime ndaj Serbisë

Më: 24 korrik 2022 Në ora: 16:51
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës i cili ka të bëjë me kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore në zbatim të këtij vendimi.

Duke nisur nga data 1 gusht 2022, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një dokument hyrje/dalje që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Dokumenti hyrje/dalje do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Me qëllim të zbatimit të vendimit, mundësimit të pajisjes më të shpejtë me dokument hyrje/dalje për qytetarët që kanë nevojë, shmangies së pritjeve dhe mundësimit të qarkullimit më të lehtë kufitar, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në aspektin e burimeve njerëzore dhe teknike e logjistike.

Policia e Kosovës sipas detyrës do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente në interes të zbatimit të vendimit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallime.

Pajisja me dokumentin për hyrje-dalje

Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Kosovës nga data 1 gusht 2022 me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset me dokument hyrje/dalje.

Dokumenti për hyrje/dalje do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e Kosovës, si dhe për shfrytëzim në institucionet shtetërore të Kosovës.

Dokumenti për hyrje/dalje do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror dhe ka afat vlefshmërie 90 ditë.

Me dokument për hyrje/dalje pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjeç, të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në qershor ka vendosur reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë. Qeveria Kurti vendosi që aplikojë të njëjtën masë, sikur Beogradi zyrtar, që nuk pranon letërnjoftimin, por në hyrje kosovarët i pajisë me një letër që zëvendëson dokumentet e identifikimit.

Vendimi i Qeverisë nxiti reagime të mëdha në Beograd, duke thënë se kjo është një “thirrje për konflikt të madh”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat