Vendimi i Albin Kurtit për pronat e uzurpuara nga ish-deputeti i PDK-së, Bedri Selmani

Aktuale

Vendimi i Albin Kurtit për pronat e uzurpuara nga ish-deputeti i PDK-së, Bedri Selmani

Më: 4 gusht 2022 Në ora: 18:29
Bedri Selmani

Pronat shoqërore të uzurpuara pasluftës nga ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Selmani, u janë nënshtruar një procedure të shpronësimit.

Vendimin për nisjen e procedurave të shpronësimit për pronat shoqërore, për të cilat Bedri Selmani kërkonte 65 milionë euro dëmshpërblim nga shteti, e ka nxjerrë qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti në muajin mars të këtij viti.

Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar ka vendosur në favor të Qeverisë së Kosovës dhe kundër padisë së ushtruar nga ish-deputeti  Selmani.

Megjithatë, Qeveria Kurti kishte nisur një procedurë të re shpronësimi për dy pronat shoqërore të uzurpuara nga Selmani.

Qeveria e Kosovës kishte nxjerr një vendim mbi dy pronat shoqërore të ndërmarrjeve “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb”.

Madje, ekzekutivi i pati anuluar dy vendime të nxjerra nga Qeveria Mustafa më 2015, përkatësisht 2016, për shpronësimin “për interes publik” të tokave shoqërore të “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb”.

Anulimi i vendimeve paraprake, i ka pasuar inicimit të një procedure të re të shpronësimit.

“Iniciojmë procedurën e re të shpronësimit që do të përdoret për nevoja të Doganës së Kosovës, ATK-së etj”, deklaronte kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë, të mbajtur më 9 mars të këtij viti.

Dy pronat, të cilat i kishte uzurpuar pasluftës Bedri Selmani, i njohur si “uzurpatori më i madh në Kosovës, sipas vendimeve paraprake të qeverisë ishin dedikuar për ndërtimin e objekteve për nevoja të Qeverisë së Kosovës.

Pronat shoqërore të Ndërmarrjeve Publike “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb” ishin uzurpuar pasluftës nga Bedri Selmani.

Deri më 2013, Selmani e kishte sfiduar shtetin në të gjitha mënyrat. Ai kishte pushtuar pas lufte një hapësirë të madhe toke shoqërore si dhe një objekt të cilin e kishte kthyer në hotel. Bëhet fjalë fiks për dy pronat e shqyrtuara në mbledhjen e qeverisë, në marsin e 2022-s.

Pasi i ishin shterur rrugët ligjore, Bedri Selmani e ka paditur Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29 prill të vitit 2019.

Ndërkohë, i njëjti rast ka marrë epilogun final të shqyrtimit nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Bedri Selmani, i cili kërkonte dhjetëra miliona euro nga Kosova në Arbitrazhin Ndërkombëtar ka humbur betejën ligjore me shtetin.

Përveç padisë në Arbitrazh, Bedri Selmani ka ushtruar edhe një padi civile kundrejt Qeverisë së Kosovës në gjykatat vendore.

Sipas padisë para rreth një muaji, Selmani ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti për shpronësimin, siç pretendon ai, të kundërligjshëm të një sipërfaqeje tokësore ku ndodhet Hoteli “Victory” në Prishtinë.

Bazuar në vendimet e autoriteteve vendore, Selmani e kishte mbajtur të uzurpuar parcelën e tokës tek Hoteli “Victory” për 13 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat