Grevat, Nagavci: Pres të reflektojë kryesia e SBAShK-ut, mësimi duhet të fillojë më 1 shtator

Aktuale

Grevat, Nagavci: Pres të reflektojë kryesia e SBAShK-ut, mësimi duhet të fillojë më 1 shtator

Më: 24 gusht 2022 Në ora: 18:56
Arbërie Nagavci

Ministrja Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se viti shkollor duhet të fillojë më 1 shtator, kjo pas grevave të paralajmëruara nga Sindikata e Bashkuar Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Në Info Magazine, ajo ka thënë se është optimiste që SBASHK do të mendoj edhe njëherë para se t’i fillojë grevat e paralajmëruara.

“Shpresoj dhe pres që kryesia e SBASHK-ut të reflektojë edhe njëherë, edhe në përpjekjet e tyre për t’i realizuar qëllimet që i kanë të mos i përfshijnë edhe fëmijët. Ajo që e konsiderojë tepër të rëndësishme është se si ministri edhe si qeveri i kemi adresuar kërkesat e kamotshme të SBASHK-ut  në raport me pozicionimin e mësimdhënësve në lidhje me koeficientët në Projektligjin për Pagat. Ne i kemi dhënë propozimet tona që janë marrë parasysh nga grupi punues”.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet në bashkëpunim me të gjitha drejtoritë komunale që mësimi të fillojë me kohë, jemi duke i shpërndarë tekstet mësimore, kemi ndërmarrë një varg veprimesh në aspekt ligjor që është në kuadër të kompetencave tona. Po ashtu, deri tani kemi marrë një varg vendimesh që janë në interes dhe në të mirë të mësimdhënësve, kështu që duke e pasë parasysh se ekziston vullneti edhe përpjekja, angazhimi jonë që të trajtohet me prioritet sistemi i arsimit dhe përmirësimi i rezultateve në këtë fushë, mësimi duhet të fillojë më 1 shtator dhe të angazhohemi bashkë për më të mirën e nxënësve dhe mësimdhënësve të gjithë së bashku”,ka thënë Nagavci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat