Çka shkruhet në tabelën, që Serbia thotë se do të jetë në pikat kufitare me Kosovën?

Aktuale

Çka shkruhet në tabelën, që Serbia thotë se do të jetë në pikat kufitare me Kosovën?

Më: 27 gusht 2022 Në ora: 21:28
Foto ilustrim

Serbia thotë se marrëveshja e arritur me Kosovën për dokumentet identifikuese do të zbatohet me kushtin e tyre.

Aleksandar Vuçiq, në adresimin e tij të ditës së sotme, tha se është gati që të pranojë dokumentet e Kosovës, por vetëm nëse në pikat kufitare vendosen tabela ku thuhet se kjo nuk nënkupton se po e njohin Pavarësinë e Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë një shpallje të përgjithshme dhe ta vendosim nëpër vendkalimet administrative, presim garancitë e BE-së, dhe në to do të shkruajë se mundësohet përdorimi i dokumenteve personale të lëshuara nga ana e Prishtinës ekskluzivisht për arsye praktike për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur njëanshëm të Kosovës”.

Një gjë të tillë e ka ripërsëritur edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili madje ka treguar edhe tekstin që, sipas tij, do të shfaqet në këto tabela.

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina (Kosova) bëhet vetëm për arsye praktike për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialogun e vitit 2011. Nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Media i ka shkruar edhe Qeverisë së Kosovës për të kuptuar nëse Prishtina zyrtare e ka pranuar vendosjen e tabelave të tilla si pjesë të marrëveshjes për dokumentet identifikuese, por nuk ka marrë përgjigje.

Në ndërkohë kryeministri Albin Kurti është deklaruar rreth kësaj ujdie, por nuk i ka përmendur këto tabela që Serbia insiston se do të vendosen në pikëkalime kufitare.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ato s’i ka përmendur as kryediplomati evropian, Josep Borrell, i cili me plot entuziazëm njoftoi për arritjen e marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pas disa ditësh negociata e takime.

“Kemi një marrëveshje. Në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për poseduesit e dokumenteve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i kërkojë ato për poseduesit e dokumenteve të Serbisë”, ka shkruar ai në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat