Detaje nga kallëzimi penal i SBASHK-ut ndaj Muratit, sa mund të dënohen personat ‘që e cenojnë grevën’

Aktuale

Detaje nga kallëzimi penal i SBASHK-ut ndaj Muratit, sa mund të dënohen personat ‘që e cenojnë grevën’

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 17:31
Hekuran Murati

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në Kallëzimin penal të deponuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë pretendon se Ministri i Financave, Hekuran Murati ka shkelur Ligjin për greva përkatësisht nenin 1 dhe nenin 11, ku definohet “Qëllimi i Ligjit për grevën” dhe “E drejta për grevë” kur ka paralajmëruar ndaljen e pagave për grevistët.

Ministri i Financave Hekuran Murati, të mërkurën, ka thënë se do t’iu bëhet një ndalesë në pagë për secilin grevist pasi, sipas tij, kështu parashihet me ligj.

Këtë deklarim SBASHK-u e ka cilësuar si kërcënuese dhe pengim të grevës së shpallur nga BSPK-ja.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar Kallëzimin penal brenda burimeve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë e ku SBASHK-u ka cituar pikën 1 të Nenit 221 të Kodit Penal, ku përkufizohet “Cenimi i të drejtës për grevë” e ku punëdhënësi mund të dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet nëse parandalon ose pengon punëtorin për të ushtruar të drejtën e grevës së ligjshme.

Sipas SBASHK-ut, rregullativa ligjore lejon pjesëmarrjen në grevë nëse parashihet me ligj, me kontratë kolektive dhe me statutin e sindikatës derisa i punësuari nuk mund të jetë i diskriminuar për shkak të organizimit dhe pjesëmarrjes në grevë.

SBASHK-u ka cituar pikën 1 të Nenit 13, të Ligjit për greva, ku ndaj grevistëve nuk mund të merren masa disiplinore dhe as materiale dhe as nuk mund t’i ndërpritet marrëdhënia e punës.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur grevë të përgjithshme për gjithë sektorin publik me arsyetimin se Qeveria nuk i ka marrë për bazë kërkesat e punëtorëve. Kanë kërkuar 100 euro për secilin punëtor derisa të miratohet Ligji për pagat. Në anën tjetër, Qeveria ka bërë thirrje të ndalen grevat dhe kanë thënë se kërkesat e sindikatave janë akomoduar në Ligjin për pagat, i cili ka dalë në konsultim të brendshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat