“Drejtori 5 ditë ushtroi dhunë psiqike”/ Flet avokati i arsimtares që u përjashtua nga puna për shaminë

Aktuale

“Drejtori 5 ditë ushtroi dhunë psiqike”/ Flet avokati i arsimtares që u përjashtua nga puna për shaminë

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 23:40
Ilustrim

Arsimtarja e matematikës, Remzie Lezi është përjashtuar nga Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Flamuri i Arbrit” në Komunën e Suharekës, kjo për shkak se mbante shami.

E njëjta, sipas avokatit të saj Muhamet Mujaj, është ofenduar dhe nuk është lejuar të hyjë as brenda në shkollë.

“Jam kanë vet aty të premten e kam pa gjendjen qysh është. Drejtori është sjellë në mënyrë të vrazhdë se ka lanë asnjëherë me hy as brenda në shkollë, pa asnjë shkresë zyrtare, i ka bërë dhunë psiqike dhe e ka fyer me fjalë të ndyta”- tha avokati Mujaj.

Tutje, avokati bëri të ditur se presin nga Drejtoria e Arsimit në Suharekë që të anulohet kjo kërkesë.

“Është shkresë që e ka nxjerrë drejtori së bashku me këshillin drejtues, sipas asaj që shkruhet aty. Po besoj që vendimi duhet me marrë drejtoria e arsimit në Suharekë, kemi bo kërkesën jemi tu pritë me anulu kërkesën” – përfundoi Mujaj.

Më poshtë shkresa e plotë e Shkollës “Flamuri i Arbrit” në Suharekë, e cila përmbanë një mori gabimesh gramatikore dhe sintaksore.

“Që duke u mbështetur në UA.nr03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformes fetare, i gjithë këshilli vendosi unanimisht që nuk i lejohet arsimtares së matematikes, znj, Remzie Lezi ta ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë”.

Shkresa e Drejtorit të shkollës në Suharekë që kërkoi të largohej nga puna arismtarja me shami.

Kujtojmë se, për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla, para një muaji ishte zhvilluar edhe një fushatë në rrjete sociale.

Ishin Durim Berisha dhe Liridon Kurti që kërkuan të ndryshohet Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 i cili ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla që ishte hartuar në vitin 2014 nga ministria e Arsimit.

Derisa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte thënë se udhëzimi administrativ që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla nuk do të ndryshojë.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte theksuar edhe një herë qëndrimin e tij pro mbajtjes së shamisë për vajzat nga mosha 16-vjeçare.

“Qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vjetësh, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve. Por, gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu”, kishte thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat